Pyetja:
Në hadithin Kudsi Allahu thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, me përjashtim të agjërimit, ai është për Mua dhe Unë di si e shpërblej.” [1]. Kërkoj shpjegimin e këtij hadithi, përse është veçuar agjërimi me këtë specifikë?
***
Përgjigjja:
Ky është një hadith madhështor dhe i vërtetë. Profeti ﷺ e transmeton nga Zoti i tij i cili ka thënë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, me përjashtim të agjërimit, ai është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”. Në këtë hadith tregohet vlera e agjërimit në veçanti nga punët e tjera, dhe se Allahu e veçoi atë për veten e Tij veç të tjerave.
Dijetarët në lidhje me thënien e Tij: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”, kanë dhënë disa përgjigje. Prej tyre ka që kanë thënë: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”, d.m.th.: se te veprat e birit të Ademit do të ndërhyjë shpagimi mes tij dhe atyre që u ka bërë padrejtësi, sepse ata që u ka bërë padrejtësi do të marrin të drejtat e tyre Ditën e Gjykimit duke i marrë prej punëve të tij të mira, sikurse përmendet në hadithin e atij që do të vijë me punë të mira si malet, ndërkohë që ka sharë këtë, i ka qëlluar atij si dhe ka ngrënë nga pasuria e atij tjetrit. Ai këtyre do t’u japë nga sevapet e tij, e nëse i mbarojnë të mirat do t’u marrë prej të këqijave që ata kanë punuar e do të ngarkohet me to, kështu do të hidhet në zjarr, me përjashtim të agjërimit; borxhlinjtë nuk munden dot të marrin prej tij, porse Allahu e ruan për vepruesin e saj në mënyrë që ta shpërblejë me të. Për këtë argumenton edhe thënia: “Çdo punë e birit të Ademit ka shpagim, me përjashtim të agjërimit, ai është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”. Pra në punët e bijve të Ademit do të ndërhyjë kompensimi e do të marrin prej tyre borxhlinjtë Ditën e Gjykimit me përjashtim të agjërimit të cilin Allahu do ta ruajë e nuk do të lejojë borxhlinjtë të marrin prej tij, porse ai do të jetë për pronarin e vet tek Allahu i Lartësuar.
Disa të tjerë kanë thënë se fjala e Allahut: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”, tregon se agjërimi është punë e brendshme të cilin nuk e din askush veç Allahut, sepse ai është vendosmëri në zemër, duke ndryshuar kështu nga veprat e tjera të cilat janë të shfaqshme dhe i shohin njerëzit; agjërimi është vepër e fshehtë mes robit dhe Zotit të tij, ndaj dhe për këtë Ai tha: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej, ai la epshin, ngrënien dhe pirjen për Mua”. Fakti se ai la epshin dhe ushqimin e tij për hir të Allahut, kjo tregon se kjo vepër është punë e brendshme dhe qëllim i fshehtë realitetin e të cilit nuk e din askush veç Allahut, duke dalluar kështu nga sadakaja, namazi, haxhi dhe punët e tjera të shfaqshme të cilat i shohin njerëzit. Agjërimin nuk e sheh askush, sepse kuptimi i agjërimit nuk është vetëm lënia e ngrënies dhe pirjes, porse përpos kësaj ai patjetër ka nevojë të jetë i sinqertë për Allahun e Lartësuar dhe këtë nuk mund ta dijë askush veç Allahut të Madhëruar.
Kështu që: “…ai la epshin, ngrënien dhe pirjen për Mua”. Është komentim i fjalës: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”.
Ka dijetarë të tjerë që kanë thënë se fjala e Allahut: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej”, tregon se shirku nuk hyn tek agjërimi, në kundërshtim me veprat e tjera, sepse idhujtarët ua drejtojnë zotave të tyre si kurbani, zotimet e të tjera adhurime si këto; edhe lutjen, frikën e shpresën, shumë prej idhujtarëve afrohen tek idhujt e tyre me këto vepra, në kundërshtim me agjërimin, ku nuk është dëgjuar që ata të kenë agjëruar për idhujt e tyre, sepse agjërimi është i veçantë vetëm për Allahun, kështu që kuptimi i fjalës së Tij: “Agjërimi është për Mua dhe Unë di si e shpërblej” është se në të nuk hyn shirku, sepse idhujtarët nuk afroheshin nëpërmjet tij tek idhujt e tyre, porse afrohen nëpërmjet agjërimit tek Allahu i Lartësuar.
Shejh Salih El Feuzan
Përktheu: Bledar Haxhiu
————–
[1] Buhariu