Pyetja:

A është e lejuar pirja e Coca cola-s?

***

Përgjigjja:

Në parim, të gjitha llojet e ushqimeve dhe pijeve janë të lejuara, hallall, përveç nëse vjen ndonjë argument i prerë, i cili ndalon ndonjë lloj ushqimi apo pije. Allahu xh.sh. thotë:

“Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë.” (Bekare: 29)

Prandaj askush nuk ka të drejtë të thotë se ndonjë ushqim apo pije është e ndaluar përveçse me argument të saktë. Ngase ashtu siç është e ndaluar të lejohet harami, po ashtu është e ndaluar të ndalohet edhe hallalli. Allahu xh.sh., thotë:

Mos i thoni asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është harame të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim.” (Nahl: 116)

Pija gazuese coca cola është pije joalkoolike dhe si e tillë konsiderohet e lejuar. Nëse dikush nuk dëshiron ta pijë kokakolën për shkak se pijet gazuese konsiderohen jo të dobishme për organizmin e njeriut, kjo nuk është problem, ngase çdokush ka të drejtë të kujdeset për shëndetin e vet ashtu si mendon ai.

Mirëpo t’ua ndalosh të tjerëve pirjen e coca colas duke u bazuar në thashetheme dhe pretendime të paargumentuara është veprim që nuk ka vend në Islam dhe si i tillë është i papranueshëm.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi