Pyetja:
Jam student fakulteti dhe kam dy përgjegjësi, njëra është fakulteti, që t’ia jap hakun si musliman që të mësoj sa më mirë, e tjetra feja e Allahut, së cilës mundohem t’i përkushtohem dhe të lexoj. Marr parasysh këtë fle shumë, 8 deri 8 orë e gjysmë, ndërsa dëshiroj të fle jo më shumë se 5 ose 6 orë.
Si do të më kishit ndihmuar në këtë rast si dhe duke pasur parasysh selefin, se sa pak kanë fjetur ata.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Mendojmë se nuk është ndonjë problem që duhet t’ju preokupojë shumë. Sipas mjekësisë, të flesh tetë orë gjatë njëzet e katër orëve është normale, posaçërisht për njerëzit e moshës së re. Kurse te më të moshuarit sasia e orëve të gjumit mund të jetë më e vogël.
Në Islam nuk ka ndonjë përkufizim të sasisë së gjumit, por ajo që vërtetohet është se besimtari i sinqertë, i cili dëshiron ta arrijë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, rekomandohet që një sasi të natës ta kalojë në adhurim dhe në faljen e namazit të natës. Kështu vepronte i Dërguari ﷺ, shokët e tij, pasuesit e tyre dhe kështu rekomandohet të veprojmë edhe ne. Gjithashtu praktikë e Muhamedit ﷺ, gjatë ditës ishte që në mesditë pushonte dhe bënte pak gjumë.
Sido që të jetë, ndoshta atë që ju synoni mund ta arrini pasi t`i plotësoni edhe ca vite dhe të arrini moshë më të pjekur. Atëherë mendojmë se me një planifikim dhe orar që do t`i përcaktoni vetes, do të arrini ta reduktoni gjumin tuaj.
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi