Pyetja:

Dëgjova një hutbe nga një hatib i cili foli rreth murakabeh (vetëdijes se Allahu vrojton punët e njeriut). Ai tha: ”Vërtet, Allahu, Zoti i botëve, ka kamera mbikëqyrëse me të cilat Ai vrojton robërit e Tij”. Kur shqyrtoi meselenë e udhëzimit, ai tha: ”Kur Allahu udhëzon dikën nëpërmjet teje, ti do të pranosh një foto të filani, dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, ngaqë Ai udhëzoi dikë nëpërmjet teje”. Si është vendimi lidhur me këtë? A përfshihet kjo në ndalimin nga personifikimi i Allahut të lartësuar në thënien e Tij: ”Kurrgjë s’është si Ai. Ai dëgjon gjithçka dhe sheh gjithçka”. (Shura: 11). A ka ndonjë dëshmi nga Kurani apo nga Suneti që thotë se Allahu i Patëmeta ka kamera apo se Ai dërgon foto të ndokujt të dikush tjetër ngaqë Allahu udhëzoi dikë nëpërmjet tij? Ju lutem, na këshilloni.

***

Përgjigjja:

Është e domosdoshme që, kur të mbahet ligjërata apo të jepet këshilla, të zbatohen mënyrat e lejueshme e ligjore. Më e mira nga këto mënyra është të këshillosh dhe të qortosh me anë të Kuranit. Allahu Fuqimadh thotë: ”O njerëz, juve ju erdhi këshillë e mirë nga Zoti juaj dhe shërim për atë që gjendet në gjokset tuaja (injorancë, dyshim, hipokrizi), një udhëzim dhe mëshirë për besimtarët”. (Junus: 57).

“Thuaj:’Le ti gëzohen ata mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij (Islamit dhe Kuranit)’. Kjo është më mirë, sesa pasuria që ata tubojnë”.(Junus: 58)

“Ky (Kurani) është thënie e qartë për njerëzimin, një udhëzim dhe këshillë për të devotshmit”. (Ali Imran: 138)

“Por, këshillo me këtë Kuran atë që i frikësohen kërcënimit Tim”. (Kaf: 45)

 

Mënyra e lejueshme e këshillimit përfshin mësimet e sunetit të cilat janë përcjell besnikërisht nga Pejgamberi ﷺ. Stili që pyetësi përmend, nuk lejohet të përdoret, sepse kjo paraqet mungesë respekti ndaj Allahut dhe i atribuon Allahut të patëmeta disa veprime që s’i kanë hije Shkëlqesisë së Tij, si dhe lë të kuptohet se Ai ka nevojë për pajisje. Rregulla e përgjithshme e Teuhidit është se Allahu nuk bën të përshkruhet, të emërtohet apo të cilësohet me ndonjë gjë pa pasur dëshmi ligjore (sheriatike).

Komisioni i Përhershëm për Fetva

(Vëllimi 26, faqe 355, fetwaja nr.21184)
Kryetar: Abdul-Aziz ibn Abdullah Al esh-Shejh
Anëtar: Bekr ebu Zjed
Anëtar: Salih el-Feuzan
Anëtar: Abdullah Ghudejan