Në ajetin e agjërimit Allahu i madhëruar thotë:
“O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të jeni të devotshëm”
Suretu El-Bekare: 183.
Në këtë ajet shohim se Allahu i madhëruar ka urdhëruar për agjërim me qëllim që njeriu të arrijë devotshmërinë dhe për të gjetur përgjigjen e pyetjes sonë duhet të ndalemi pak te kuptimi i dy termave të përmendura: agjërimi dhe devotshmëria.
Përsa i përket agjërimit ai si adhurim është nënshtrim i shpirtit duke e frenuar atë nga disa dëshira të tij dhe kjo bën që njeriu ta ketë nën kontroll shpirtin e tij dhe s’ka dyshim se njeriu është i prirur për të rendur pas qejfeve të kësaj bote siç thotë Allahu në Kuran:
“Është zbukuruar për njerëzit rendja pas qejfeve: gratë, fëmijët, depot e floririt dhe të argjendit, kuajt e shaluar, bagëtitë dhe të mbjellat. Ato janë plaçkë e kësaj bote dhe te Allahu është kthimi i mirë”
Kështu rendja e pa kontrolluar me rregullat, Allahut të lë bosh në ahiret siç thotë Allahu në Kuran: “Dijeni se jeta e Dynjasë është lojë, argëtim, mburrje konkurrim në pasuri dhe fëmijë si puna e shiut i cili i gëzon bujqtë me bimët që dalin pas tij pastaj thahen, zverdhën dhe copëtohen dhe në ahiret ka dënim të ashpër dhe falje prej Allahut. Nuk është jeta e dynjasë veçse plaçke e të mashtruarit”
Pra, agjëruesi nëpërmjet agjërimit të tij fut nën kontroll qejfet e dëshirat e tij dhe kjo gjë i shton atij vullnetin për punë të mira të cilat kanë vlerë te Allahu dhe i mposht atij dëshirën për punë të liga.
Ndërsa devotshmëria është të bësh mes teje dhe asaj pune që zëmëron Allahun një mburojë dhe kjo nuk mund të ndodhe veçse me kryerjen e detyrave dhe largimin nga të ndaluarat siç thoshte Umr bin Abdulaziz –Allahu e mëshiroftë-: “Devotshmëria është të lësh atë që ka ndaluar Allahu dhe të bësh atë që të ka urdhëruar Allahu”.
Tani duke parë te përkufizimet e dy termave arrijmë të kuptojmë se me të vërtetë agjërimi është rrugë që të çon për te devotshmëria sepse agjëruesi duke arritur nëpërmjet agjërimin vullnetin për të punuar punë të mira dhe mposhtjen e dëshirës për punë të liga hyn në kuptimin e devotshmërinë e cila nuk është tjetër veçse zbatimi i urdhërave dhe lënia e të ndaluarave.
Një përgjigje tjetër e ngjashme me atë që thamë e përfituar nga nga sheikhu-islam Ibn Tejmije, Ibn El-Kajimi dhe sheikh Albani –Allahu i mëshiroftë-.
Ata thonë: Jemi njoftuar nga Profeti -alejhi selam- selam se:
“Shejtani ecën në trupin e birit të Ademit në vendet ku ecën gjaku”
E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
S’ka dyshim se gjaku formohet në trup nga ngrënia dhe pirja dhe kur njeriu ha dhe pi zgjerohen damarët e gjakut duke u zgjeruar kështu edhe rrugët e shejtanëve dhe kur njeriu nuk ha dhe pi ato ngushtohen dhe kështu ngushtohen edhe rrugët e shejtanëve.
Ngushtimi i rrugëve të shejtanit nëpërmjet agjërimit ndikon më pas te një tjetër pjesë e trupit të njeriut që është çlirimi i zemrës nga vesveset e tyre dhe zemra po çlirua nga kjo gjë merr hov për të punuar punë të mira dhe për tu larguar nga punët e liga dhe ky është kuptimi i devotshmërisë.
Dr. Abdullah Nabolli