Përgjigjja: Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Parimisht duhet ditur se muslimani/a lipset të udhëhiqet nga urdhëresat dhe dispozitat hyjnore dhe t’u dorëzohet atyre edhe nëse nuk arrin ta mësojë urtësinë e tyre, pasi jo për çdo urdhëresë sheriatike (ligjore islame) mund të shpjegohet aryseja dhe të kapet urtësia e saj nga mendjet njerëzore, si dhe sepse disa herë ndodh që arsyetimet e bëra në këtë kontekst të pësojnë kusure (mangësi) që konkluzionin e nxjerrë e bëjnë objekt debatesh; kështu që qëndrimi parësor që duhet të mbajë muslimani është arsyetimi i dispozitave ligjore islame me rregullin “Është kështu pse kështu ka vendosur ligji hyjnor”1

 

DISPOZITA DHE FORMA E NAMAZIT TË XHENAZES

Gjithsesi, është një fakt i ditur se juristët muslimanë kanë dhënë mendimet e tyre rreth urtësisë dhe vlerës së faljes së namazi të xhenazes, si vijon:

 

Së pari: Lidhur me të vdekurin musliman të cilit i falet ky namaz2

Namazi i xhenazes i falet çdo të vdekuri musliman (me përjashtim të muslimanit të rënë dëshmor në fushëbetejë) dhe është ligjëruar si lutje (dua) përmes së cilës kërkohet zbritja e faljes dhe mëshirës hyjnore mbi këtë trup të vdekur që tanimë ka përfundur në gjendjen e pamundësisë për të vepruar. Prej të mirave të këtij namazi është se ai konsiderohet prej shkaqeve të lehtësimit të gjendjes së muslimanit të vdekur dhe ndërmjetësimit për të me lejen e Allahut. Është detyrë e vëllazërisë në emër të besimit islam që ta përcjellin këtë udhëtar për në botën tjetër, duke iu drejtuar Allahut të Madhëruar dhe duke e lutur Atë që ta falë dhe mëshirojë të vdekurin musliman, t’ia falë barrat e mëkateve, ta çlirojë prej Zjarrit dhe të pranojë ndërmjetësimin që kjo vëllazëri muslimane bëjnë për të.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çdo muslimani (-je) që vdes dhe ia falin xhenazen dyzet burra (persona) që nuk i bëjnë shok Allahut asgjë [e adhurojnë Allahun Një të Vetëm e të Pashoq], ka për t’ia pranuar Allahu ndërmjetësimin e tyre [të sinqertë tek Allahu për këtë të vdekur, përmes lutjes së tyre zemërhapur për faljen dhe mëshirimin e këtij të vdekuri]”3; pra i vdekuri mëshirohet me namazin që i gjalli ia fal atij dhe lutja që ky numër të gjallësh (për më tepër kur ata janë edhe më shumë se kaq) bëjnë për të vdekurin në këtë namaz, është prej shkaqeve që Allahu ta falë këtë të vdekur.

Së dyti: Lidhur me falësin e namazit të xhenazes4

Ibn AbdulBarr thotë: “Prezantimi i xhenazeve përbën shpërblim, devotshmëri e mirësi dhe lajmërimi që bëhet për to përbën bashkëpunim në të mirë e devotshmëri, si dhe rrugën që shpie tek shpërblimi i prezantuesit të xhenazes dhe të vdekurit që prezantohet.”5

Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “‘Kush e prezanton xhenazen derisa t’i falet namazi ka (si shpërblim) një karat (njësi mase) dhe kush e prenzanton atë derisa të varroset ka dy karatë. Dikush tha: ‘Çfarë është karati?’: Ai tha: ‘Si dy male të mëdhenj’”6; kurse në transmetimin tjetër vjen: “Kujt del me xhenazen nga shtëpia e saj, e fal namazin e kësaj xhenazeje dhe pastaj e ndjek atë derisa të varroset, atij i takon një shpërblim dy karatë, secili si mali i Uhudit7; ndërkaq kujt e fal namazin e kësaj xhenazeje dhe pastaj kthehet [nuk e ndjek derisa të varroset], atij i takon një shpërblim si Uhudi.”8

 

Referuar në mendime të dijetarëve muslimanë, njësia e shpërplimit “karat” e ardhur në këto transmetime autentike profetike ka kuptimin e një vlere të madhe shpërblimi, e cila ndryshon varësisht situatave të ndjekësve të xhenazes (me kushtin që ata të veprojnë të nxitur nga besimi islam i tyre dhe duke synuar shpërblimin përkatës) dhe ku vlera më e vogël është sa mali i Uhudit.

Më konkretisht mbi shpërblimin e ndjekësve të xhenazes sipas situatave të ndryshme të tyre, dijetarët muslimanë kanë përmendur sa vijon9:

Rasti i parë: Të prezantojë në këtë xhenaze nga dalja e saj prej shtëpisë së saj derisa ta falë namazin e kësaj xhenazeje dhe të kryhet varrosja e saj, gjë që  përbën gradën më të lartë, e cila ka vlerën dy karatë të mëdhenj me shpërblim;

Rasti i dytë: Të prezantojë në këtë xhenaze nga dalja e saj prej shtëpisë së saj derisa ta falë namazin e kësaj xhenazeje dhe në këtë rast i takon një karat shpërblim;

Rasti i tretë: Ta falë namazin e kësaj xhenazeje, por të mos e ketë përcjellë atë nga shtëpia e saj dhe në këtë rast i takon një karat shpërblim (bazuar në mendimin e dijetarit të shquar Ibn Haxherit), por ky shpërblim është më i vogël se shpërbimi i kujt e ka përcjellë këtë xhenaze (ka qenë prezent me të) nga shtëpia e saj;

Rasti i katërt: Ta prezantojë vetëm varrosjen e kësaj xhenazeje pa e falur namazin e saj; rastin në të cilin, bazuar në dukshmërinë e transmetimeve profetike përkatëse, ky person nuk merr si shpërblim ndonjë karat, edhe pse për të vlen të thuhet se ai merr një shpërblim varësisht veprës së tij;

Rasti i pestë: Ta ndjekë xhenazen një farë kohe dhe pastaj të largohet pa e prezantuar faljen e namazit të kësaj xhenazeje ose varrosjen e saj; e për këtë person vlen të thuhet se ai shpërblehet sipas qëllimit që ka pasur.

 

Burimi: https://www.jetaever8.de/
  1. Shih: islamweb.
  2. Shih: islamweb dhe Et-Tuejxhiri, Meusuatu El-Fikh El-Islami al-eman, Hikmetu Meshruijeti Salati El-Xhenaze.
  3. Muslimi 948.
  4. Shih: islamqa dhe  islamqa.
  5. Shih: Ibn AbdulBarr, Et-Temhid, v. 6, f. 258.
  6. El-Bukhari 1325 dhe Muslimi 945.
  7. Uhudi: Mal në veri të qytetit të Medines, në Arabinë Saudite.
  8. Muslimi 945.
  9. Shih: islamqa.