Pyetja:
Pse Kurani quhet Kuran dhe kush e bëri atë emërtim?
***
Përgjigjja:
Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut ndërsa lavdërimet dhe bekimet e Tij qofshin mbi Muhamedin ﷺ, të dashurin tonë…
Libri i Madhërishëm nga Allahu, Kurani u emërtua nga vetë Allahu dhe nuk ia la këtë nder askujt prej krijesave. Këtë e shohim nga fjalët e Tij:
“A nuk përsiatin ata për Kuranin?” (Nisa: 82)
“Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.”
(Araf: 204)
“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” (Isra: 82)
“Ja Sin. Pasha Kuranin plot urtësi.” (Jasin: 1–2)
“Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. Ky është premtimi i Tij vërtetë në Teurat, Inxhil dhe Kuran.” (Teube: 111)
Si dhe shumë ajete tjera. Pra, në këtë ajete shohim qartë se Allahu e bëri emërtimin e librit të Tij ndërsa kuptimi i fjalës Kuran rrjedh nga fjala arabe القَرْء (el-kar’ë) që nënkupton tubimin dhe mbledhjen dhe për këtë dijetarët kanë dhënë tre komentime:
1. I tuboi suret e Kuranit afër njëra tjetrës,
2. I tuboi frytet e librave të mëparshëm në një vend,
3. I tuboi të gjitha llojet e diturive në një vend. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi