Pyetja:
Kemi dëgjuar shumë mendime lidhur me faktin se cila është data e lindjes së profetit Muhamed ﷺ dhe sa ishte mosha e tij dhe data kur i zbriti Shpallja hyjnore dhe kur emigroi në Medine. Ku qëndron arsyeja e mendimeve të ndryshme lidhur me këto të dhëna të rëndësishme të historisë profetike dhe cilat janë mendimet më të fuqishme mbi to?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Lidhur me datën e ditëlindjes së profetit Muhamed ﷺ dhe data të tjera të rëndësishme që kanë lidhje me personin e profetit tonë të dashur Muhamedit ﷺ, në literaturën islame përmendet sa vijon:
Së pari: Lindja e profetit Muhamed ﷺ
Të gjithë dijetarët muslimanë janë të një mendimi se lindja e Muhamedit ﷺ ka qenë në Meke, në ditën e hënë dhe në vitin e [Ngjarjes së Ushtrisë së] Elefantit, i cili sipas mendimit më të fuqishëm korrespondon me vitin 571 (diellor).
Mendimi më i shquar i shumicës së dijetarëve muslimanë është se lindja e tij ka qenë me 12 Rebi’ul Euel, por ka edhe mendime se data ka qenë 2 Rebi’ul Euel, 8 Rebi’ul Euel, 9 Rebi’ul Euel4 dhe 10 Rebi’ul Euel; ku mendimi më i fuqishëm vërtitet mes datave 8-12 Rebi’ul Euel.
Së dyti: Data të rëndësishme profetike nga Shpallja deri kur Profeti ﷺ ndërroi jetë
a. Mosha dhe data kur zbriti Shpallja mbi Muhamedin ﷺ
Në kohën kur iu zbrit Shpallja, mosha e Profetit ﷺ ishte 40 vjeç (siç ka qenë rasti i shumë profetëve të Zotit), mbështetur në mendimin më të shquar të dijetarëve muslimanë, që përbën mendimin e saktë tek dijetarët muslimanë (ata të jetëshkrimit profetik dhe ata ekzaminues)7. Lidhur me muajin e parë kur Allahu i Madhëruar e nderoi Muhamedin ﷺ me Profetësinë dhe zbritjen e Shpalljes, historianët muslimanë kanë mendime të ndryshme: një grup i madh dijetarësh janë të mendimit se kjo ka qenë në muajin Rebi’ul Euel, një grup tjetër në muajin Ramazan dhe është thënë edhe se kjo ka qenë në muajin Rexheb; por bazuar në thëniet kuranore mbi zbritjen e Kuranit, mendimi më i fuqishëm është se kjo ka ndodhur në Ramazan.
b. Mosha dhe data kur emigroi Muhamedi ﷺ
Shumica e historianëve muslimanë (si: Ibn Hisham, Ibn Sead, Ibn Is’hak, Ibn Kethir etj.) janë të mendimit se mbërritja e Profetit ﷺ në Medine ka qenë kur ai ishte në moshën 53 vjeçare, me 12 Rebi’ul Euel (në vitin 1 hixhri). Studiuesit e jetëshkrimit profetik përmendin se kjo ka qenë në mesditën e të hënës së kësaj dite, 13 vite pas Shpalljes, në vitin 622 (diellor).
c. Mosha dhe data kur ndërroi jetë Muhamedi ﷺ
Mendimi i të gjithë dijetarët muslimanë është se Profeti ﷺ ka ndërruar jetë në Medine, në ditën e hënë, të muajit Rebi’ul Euel, të vitit 11 (hixhri), që korrespondon me vitin 632 (diellor). Ndërsa sa i përket datës së këtij muaji, shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se ajo ka qenë 12 Rebi’ul Euel (8 qershor 632 diellor), por ka edhe mendime se data ka qenë 1 Rebi’ul Euel, 2 Rebi’ul Euel etj. Lexoni më tepër
Së treti: Dispozita e ekzaminimit të këtyre datave dhe përse ato janë të diskutueshme
a. Ekzaminimi i ekzagjeruar lidhur me ndryshimin e këtyre datave të jetëshkrimit profetik dhe thellimi në këtë, nuk përbën ndonjë dobi të madhe dhe mbi të nuk ngrihet asnjë dispozitë (rregull) juridik islam, prandaj dhe sahabët (shokët e Profetit ﷺ) dhe dijetarët e gjeneratave pasuese të sahabëve nuk i kanë dhënë shumë interes përpilimeve lidhur me këto data të historisë profetike.
b. Ndoshta arsyeja pse këto të dhëna historike profetike janë të diskutueshme, qëndron në faktin se kur Muhamedi ﷺ lindi, askush nuk mendonte se ky i lindur do jetë kaq i rëndësishëm. Ky qe dhe shkaku pse fillimisht historianët nuk u përqendruan tek të dhënat historike profetike, por pasi atij i erdhi Shpallja hyjnore, njerëzit filluan t’u ktheheshin kujtimeve të tyre rreth këtij personaliteti dhe të ngrejnë kërshëri dhe pyetje rreth çdo hollësie historike profetike.
Allahu e di më mirë.
Dr. Bashkim Aliu