Pyetja:
Si u shfaqën katër medhhebet dhe si i dhanë vetes të drejtën e ixhtihadit duke ua ndaluar të tjerëve? E cili është argumenti se duhet pasuar një medhheb nga katër medhhebet?
***
Përgjigjja:
Lavdërimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij, familjen dhe pasuesit e tij.
Dijetarët që bëjnë ixhtihad janë të shumtë, e sidomos në tri gjeneratat e para për të cilat ka dëshmuar i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) për mirësinë e tyre. Por me kalimin e kohës u shquan 4 prej këtyre dijetarëve: Ebu Hanifja Nu’man ibn Beshir në Irak, Ebu Abdilah Malik ibn Enes el Esbahij në Medine, Ebu Abdilah Muhamed ibn Idris Shafi Kureshi dijetari i Kurejshëve dhe krenaria e tyre në Bagdat e më pas në Egjipt, Ebu Abdilah Ahmed ibn Muhamed ibn Hanbel Shejbani imami i dijetarëve të hadithit dhe shëmbëlltyra e tyre si dhe dijetari i fikhut në Irak në kohën e tij.
Shkaqet që i bënë ata të njohur janë të shumta, prej tyre:
-Përhapja e mendimeve të tyre në vendet në të cilat jetonin apo udhëtonin, urtësi e ligjeve universale të Zotit. Si shembulli i Ebu Hanifes dhe Ahmedit (Allahu i mëshiroftë) në Irak dhe imam Maliku në Medine si dhe imam Shafiu në Meke dhe Egjipt.
-Puna dhe thirrja që bënë nxënësit e këtyre dijetarëve në vendet e tyre apo në ato vende ku udhëtuan, si dhe ata që ndoqën mendimet e tyre duke u shkolluar mbi bazat që ata ngritën e mbi mendimet e tyre, si shembull Muhamed ibn Hasen dhe Ebu Jusuf (nxënës të imam Ebu Hanifes) në Irak dhe Ibn Kasim dhe Eshheb (nxënës të imam Malikut) në Egjipt dhe Suhnuni (nxënës i imam Malikut) në Marok. Si dhe Rebia ibn Sulejman (nxënës i imam Shafiut) në Egjipt dhe nxënësit e imam Ahmedit në vendet e Shamit, të Irakut etj.
-Përhapja e mendimeve të tyre nga pushtetarët dhe dijetarët që mbanin postet e gjykatësve dhe dhënien e fetvave, si dhe duke ngritur shkolla ku mësoheshin mendimet e tyre, si dhe duke shpërndarë dhurata dhe vakufe për ta.
Duhet ditur se askush prej këtyre imamllarëve nuk ka bërë thirrje që njerëzit të ndjekin mendimet e tyre me fanatizëm, si dhe nuk i kanë detyruar të tjerët të punojnë me mendimet e tyre, përkundrazi ata bënin thirrje për zbatimin e Kuranit dhe Sunetit duke shpjeguar këto argumente dhe duke i sqaruar rregullat si dhe degëzonin degëzime prej argumenteve dhe u jepnin përgjigje të tjerëve kur pyeteshin, pa detyruar askënd prej nxënësve apo dikën tjetër, që të merrnin mendimet e tyre.
Madje, i qortonin ata që vepronin në këtë mënyrë si dhe i urdhëronin ndjekësit që nëse mendimet e tyre hasnin në kundërshtim me ndonjë hadith të saktë, ta lënë mënjanë mendimin e tyre, e të zbatonin argumentin. Njëri prej këtyre dijetarëve thoshte: “Nëse hadithi është i saktë, ai është medhhebi (mendimi) im”. Allahu i mëshiroftë që të gjithë.
Ndjekja e një medhhebi të caktuar nuk është obligim për askënd, përkundrazi njeriu duhet të mundohet që të arrijë tek e vërteta me aq sa ka mundësi, apo të marrë për ndihmë pas Allahut, diturinë voluminoze që kanë lënë të parët prej dijetarëve që i lehtësojnë rrugën për tek kuptimi i argumenteve dhe zbatimi i tyre. E ai i cili nuk arrin që prej argumenteve të nxjerrë rregulla si shkak i ndonjë pengese që mund të hasë, atëherë mund të pyesë dijetarët e njohur për diturinë e tyre për rregullat fetare, duke vënë në jetë fjalën e Allahut: “Ju (idhujtarë) pyetni pra dijetarët (e Tevratit e të Inxhilit) nëse ju nuk dini.” (Nahl: 43)
Si dhe të sigurohet duke pyetur ata që janë të njohur me dituri, mirësi, devotshmëri e punë të mira.
Suksesi është vetëm prej Allahut, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamed, familjen e tij, e mbi pasuesit e tij.
Komisioni i përhershëm i kërkimeve akademike dhe fetvave
Përktheu: Ylli Rama