Pyetja:

Është e mirënjohur që s’është e lejueshme të varroset i vdekuri në xhami dhe s’është e lejueshme të falemi në xhaminë ku ka varr. Atëherë, pse varri i të Dërguarit ﷺ dhe i disa sahabëve të tjerë u përshi në xhaminë e Pejgamberit ﷺ?

***

Përgjigjja:

Është transmetuar se i Dërguari i Allahut ﷺ kishte thënë: “Allahu i mallkoftë çifutët e të krishterët për atë se i morën varret e pejgamberëve të tyre si vende adhurimi”. [1]

Është transmetuar nga Aisha, se Umm Seleme apo Umm Habibe i kishte treguar Pejgamberit ﷺ rreth një kishe që kishin parë në Abisini (Etiopi) dhe brenda në të kishte imazhe. Ai ﷺ kishte thënë: “Ata janë një popull që, kur të vdesë ndonjë i drejtë prej tyre, ata ndërtojnë një vend adhurimi mbi varrin e tij dhe i vendosin imazhet aty. Ata janë qeniet më të këqija te Allahu”. [2]

Xhundub ibn Abdullah el-Bexheli ka thënë: “Dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Allahu më mori për mik (halil) ashtu siç e mori Ibrahimin për mik. Sikur ta merrja për mik dikë nga umeti im, do ta merrja Ebu Bekrin. Ata që erdhën para jush, i morën varret e pejgamberëve dhe e të drejtëve prej tyre për vende adhurimi. Mos i merrni varret për vend adhurimi, sepse unë ju ndaloj nga kjo’. [3]

Xhabir ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ndaloi suvatimin mbi varre, uljen në to dhe ndërtimin mbi to”. [4]

Këto hadithe dhe të tjera tregojnë se është haram të ndërtohen xhamitë mbi varre dhe se
ata që veprojnë kësisoj, janë të mallkuar. Këto, gjithashtu, tregojnë se është haram të
ndërtohet mbi varre, të ngrehen kube mbi to apo të suvatohen, sepse këto veprime çojnë në shirk, ku përfshihen varret dhe adhurimi it ë varrosurve në vend të Allahut, siç ka ndodhur në kohët e lashta dhe siç po ndodh edhe sot.

Kështu, Muslimanët, pavarësisht se ku gjenden, duhet të ruhen të mos bëjnë atë që i Dërguari i Allahut ﷺ e ndaloi dhe të mos mashtrohen nga ajo çka bëjnë shumica e njerëzve. Besimtari duhet ta pasojë të vërtetën dhe e vërteta mund të njihet nëpërmjet dëshmive nga Kurani dhe nga Suneti, jo nga mendimet e njerëzve apo ajo çka bëjnë ata. I Dërguari i Allahut ﷺ dhe dy shokët e tij Ebu Bekri dhe Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta) nuk qenë varrosur në xhami, por qenë varrosur në shtëpinë e Aishes. Dhe, kur u zgjerua xhamia gjatë kohës së el-Uelid ibn AbdulMalik, nga fundi i shekullit të parë hixhri, dhoma qe përfshirë brenda xhamisë,. Ky veprim nuk hyn në vendimin e varrosjes në xhami, sepse varri it ë Dërguarit ﷺ dhe i dy shokëve të tij nuk u zhvendos në tokën e xhamisë, por dhoma ku ata qenë varrosur u përfshi në xhami, për shkak të zgjerimit. Kurrkush s’mund ta përdorë këtë si dëshmi për të ndërtuar struktura mbi varre apo për të marrë varret si vend adhurimi, apo për të varrosur njerëz brenda xhamisë, për shkak të haditheve të vërteta që u cituan më lart. Ajo çka bëri el-Uelid, nuk është dëshmi për të shkuar kundër Sunetit të vërtetuar të Pejgamberit ﷺ.

Shejh bin Baz, “Mexhmu Fetaua ue Mekalat Mutenewwi’e”, pjesa 4, fq. 337

——————————

[1] Buhariu, el-Xhena’iz 1330. Muslimi, el- Mesaxhid 529

[2] Buhariu, es-Salah 434. Muslimi, el-Mesaxhid 528

[3] Muslimi, el-Xhena’iz, 970

[4] Muslimi, el-Xhena’iz 970