Pyetja:
Shumë njerëz nuk e dinë se është nga suneti që të qëndrojmë me këmbët e bashkuara dhe, gjatë faljes me xhemat, ata lënë një zbrazëtirë të vogël mes tyre. Deri në çfarë mase duhet të mundohemi t’i mbushim këto zbrazëtira duke i hapur këmbët? Nëse vija s’është e drejtë, a duhet të renditemi sipas personit që e kemi në të djathtë, apo sipas atij në të majtë?
***
Përgjigjja:
Një nga gjërat e reja që vërejmë t’i bëjnë njerëzit pa ndonjë dëshmi në sheriat, është se në namaz ata përpiqen të renditen me personin në të djathtë të tyre, nëse ata janë në anën e djathtë të safit, apo të renditen sipas personit në të majtë të tyre, nëse ata janë në anën e majtë të safit, dhe ata i kthejnë shputat nga brenda, në mënyrë që nyejt e këmbëve të tyre të prekin nyejt e këmbëve të atyre që i kanë pranë. Kjo s’ka bazë në sheriat dhe është teprim në zbatimin e sunetit.
Kjo është gabim nga dy njehsime. Renditja e safit duhet të bëhet nga aty ku qëndron imami. Kushdo që është në të djathtë të safit, duhet të renditet duke i shikuar ata që i ka në të majtë [dmth ata që janë më afër imamit]. Kështu, safi do të drejtohet dhe zbrazëtirat do të mbushen. Renditja bëhet duke renditur qafat, krahët dhe nyejt e këmbëve si dhe duke plotësuar safat e parë.
Por, të mundohesh t’i hapësh këmbët dhe t’i kthesh këmbët nga brenda në mënyrë që nyejt e këmbëve të preken ndërmjet vete është një gabim i qartë dhe një teprim, dhe është një interpretim i ri, i cili tregon për teprim në zbatimin e sunetit. Kjo shkakton bezdi dhe nuk është e përcaktuar nga sheriati. Dhe kjo zgjeron edhe më tej hapësirën mes njerëzve që falen në namaz.
Kjo mund të vërehet kur njerëzit bien në sexhde dhe pastaj, kur ata çohen prapë, hutohen duke u munduar t’i mbushin zbrazëtirat, duke i kthyer shputat për t’i ngjitur nyejt ndërmjet vete, çka bën që ata të humbasin atë që duhet bërë – drejtimin e gishtërinjve të këmbëve nga kibla. Bërja e kësaj është si të bësh garë me atë që e ke pranë për të zënë vendin e tij. Krejt kjo nuk është e përcaktuar nga sheriati.
Shejh Bekr Ebu Zejd, “La Xhedid li Ahkam el-Salah”, 12,13