Pyetja:

Si do të jetë gjendja e të vdekurve në Ditën e Kiametit gjatë shkatërrimit të kësaj bote?

***

Përgjigjja:

Me vdekjen e njeriut ndërpritet çdo lidhje e tij me jetën e kësaj bote, përveç gjërave të cilat përmenden në hadith që transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat, përveç tri sosh: sadakaja rrjedhëse, dituria nga e cila kanë dobi të tjerët dhe fëmija i mirë që lutet për të.” [1]
Prandaj njeriu me vdekjen e tij kalon në një fazë që quhet jeta e berzahut, e cila është e veçantë dhe kjo është faza në të cilën pret ringjalljen. Duke pasur parasysh këtë, të vdekurit nuk do të jenë pjesëmarrës në atë që do të ndodhë me këtë botë, gjegjësisht gjatë shkatërrimit të kësaj bote.
Momenti të cilin do të fillojnë ta ndiejnë të vdekurit është kur i fryhet Surit, që ata të ringjallen. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe i fryhet Surit, kur qe, duke u ngutur prej varrezave paraqiten te Zoti i tyre. E thonë: “Të mjerët ne! Po kush na ngriti prej ku ishim të shtrirë në varre?” E, kjo është ajo që premtoi Zoti dhe vërtetuan të Dërguarit.” (Jasin: 5152)

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

————————–

[1] Muslimi