Pyetja:

Cila është mënyra apo rruga e duhur që duhet të ndjek muslimani/ja për marrjen e diturisë fetare islame në lidhje me çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik), e cila mundëson ndjekjen e të vërtetës dhe arritjen tek ajo?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Detyra e muslimanit është që në çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik) të përpiqet të ndjekë të vërtetën dhe të arrijë tek ajo.

Përsa i përket kualifikimit në lëmin e sheriatit (ligjit islam), muslimanët i përkasin dy kategorive:

Kategoria e parë: Dijetari/nxënësi i dijes në lëmin e sheriatit (ligjit islam), ku hyjnë tre rangjet në vijim:

Rangu i parë: Dijetari kompetent në shkencën e sheriatit (ligjit islam), që është specializuar në studimin e argumentit sheriatik dhe ka arritur gradën e ixhtihadit (kompetencës për dhënien e fetvave/opinioneve sheriatike); me kushtin që veçse kompetent të jetë dhe i devotshëm/i përkushtuar në fe.

Rangu i dytë: Dijetari/Nxënësi i shkencës sheriatike me kompetencë të kufizuar në shkencën e sheriatit (ligjit islam), i cili është kompetent vetëm në disa subjekte të caktuara dhe plotëson kushtin që përveçse kompetent në këtë subjekt, është edhe i devotshëm/i përkushtuar në fe.

Rangu i tretë: Nxënësi fillestar i dijes sheriatike që nuk ka arritur gradën e ixhtihadit (kompetencës) në asnjë subjekt, i cili përveçse studion dijen sheriatike, është edhe i devotshëm/i përkushtuar në fe. Nxënësi fillestar i dijes sheriatike lejohet që në rast nevoje të japë fetva (orientime) sheriatike duke u bazuar në fetvatë (opinionet) e dijetarëve kompetentë.

Kategoria e dytë: Masa e gjerë e muslimanëve që kanë njohuri të përcipta në lëmin e sheriatit (ligjit islam), pra nuk janë specialistë apo të afirmuar për të gjurmuar argumentet sheriatike dhe nuk i përkasin asnjërit prej rangjeve të përmendura në kategorinë e parë. I tilli duhet të pasojë atë dijetar- dhe në rast nevoje atë nxënës dije,- i cili mendon se është më i besueshmi në fe dhe dituri. Kështu ai e ka çuar në vend obligimin e vet dhe ka vepruar në përputhje me fjalën e Allahut:

“..Pyetni dijetarët nëse ju nuk dini.” (Nahl: 43)

Nëse muslimani i thjeshtë (që i takon masës së gjerë të muslimanëve) di një mendim të besueshëm në lidhje me një çështje sheriatike apo pyet një dijetar të mirëfilltë, atëherë nuk e ka obligim që pas tij të pyes tjetërkënd.

Nëse paskëtaj informohet mbi një mendim të ndryshëm, ai duhet të ndjekë atë që mendon se është më i saktë dhe i drejtë, siç vepron pacienti nëse mjekët ndryshojnë në këshillat që japin për trajtimin e tij. Ai nuk duhet ta përulë dhe as ta quaj gabimtar muslimanin tjetër nëse ky i fundit nuk pajtohet në mendim me të, për sa kohë që ai ndjek një medhheb fikhu (akademie juridike islame), ose imiton një dijetar që gëzon konsideratë apo që është muxhtehid (kompetent për të dhënë fetva/orientime sheriatike).

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi