Pyetja:
Si duhet të plotësohen radhët (safat) pas imamit radha e parë dhe të tjerat radhë?
***
Përgjigjja:
Drejtimi i radhëve po ashtu do të thotë të parapëlqesh anën e djathtë mbi të majtën, por këtë sʹduhet marrë në kuptimin absolut, si në rastin kur kemi të bëjmë me radhën e parë, ngaqë po të kishte qenë kusht absolut si në rastin kur kemi të bëjmë me radhën e parë, i dërguari i Allahut ﷺ do të kishte thënë: ʺPlotësoni radhët nga ana e djathtëʺ, por ai ka thënë: ʺPlotësoni radhën e parë, pastaj tjetrënʺ. Meqenëse nuk është parashkruar që të nisen radhët nga ana e djathtë deri sa të plotësohen, atëherë duhet të shikojmë në parimet bazë të Sheriatit për të parë se si duhet bërë këtë në lidhje me të majtën. Gjejmë që kur kemi të bëjmë me të majtën, nëse e djathta dhe e majta janë pak a shumë të barabarta, atëherë anës së djathtë i jepet përparësi, si për shembull nëse janë pesë në të majtë dhe pesë në të djathtë dhe njeriu i njëmbëdhjetë vjen, ne do tʹi thoshim që të shkojë në të djathtë, ngaqë e djathta është më e mirë se e majta kur të dyja këto janë pothuaj të barabarta, dhe nuk ka dallim të qartë mes të djathtës dhe të majtës së radhës. Por, nëse njëra anë është më larg, atëherë nuk ka dyshim që tʹi bashkëngjitësh së majtës nëse është më afër, është më mirë se tʹi bashkëngjitësh së djathtës nëse ajo është më larg. Kjo tregohet nga fakti që nëse ka një grup prej tre vetash, është parashkruar që imami të qëndrojë mes dy të tjerëve. Kjo tregon se e djathta sʹështë absolutisht më mirë, ngaqë po të kishte qenë kështu, do të kishte qenë më mirë për të dy njerëzit që të jenë në të djathtë të imamit. Por është parashkruar që njëri të jetë në të djathtë të imamit dhe tjetri në të majtë, që imami të jetë në mes dhe kështu sʹdo të ketë çekuilibër mes dy anëve.
Shejh Ibn Baz qe pyetur: A duhet që dy vetë të fillojnë nga e djathta apo nga prapa imamit? A është parashkruar që të arrihet balancë mes së djathtës dhe të majtës, në mënyrë që të thuhet: ʺBëjeni radhën të barabartë në të dy anëtʺ, siç veprojnë shumë imamë?
Ai u përgjigj: Radha duhet të fillojë nga mesi, nga prapa imamit. Dhe ana e djathtë e secilës radhë është më e mirë sesa e majta. Radha e re sʹduhet të niset derisa të plotësohet e përparmja. Sʹka gjë të keqe që të ketë më shumë njerëz në anën e djathtë të radhës dhe sʹka nevojë që të bëhet radha e barabartë në të dy anët. Madje urdhri për ta bërë këtë është në kundërshtim me sunetin. Por, njerëzit sʹduhet të formojnë radhën e dytë derisa të plotësohet radha e parë, apo të formojnë radhën e tretë derisa të plotësohet e dyta, dhe kështu me radhë, ngaqë është dëshmuar që i Dërguari i Allahut ﷺ ka urdhëruar për këtë.
Shejh Ibn Uthejmin, “Sherh el‐Mumtiʺ [3/10]
Shejh Ibn Baz, “Mexhmu Fetaua” 12/205