Pyetja:

Si e shpjegon Islami rolin e organit të zemrës dhe atë të trurit? Cili i paraprin tjetrës në marrjen e vendimeve tona qofshin të mira apo të këqija, zemra mendjes apo mendja zemrës (zakonisht kur duam të bëjmë një punë themi “ma merr mendja” ose “po ma ndien zemra”).

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shumë shkencëtarë të prirë nga vështrimi materialist i organizmit të njeriut besonin se në një të ardhme të afërt, pas zgjerimit të shkencës së fiziologjisë (shkencë e cila studion ndërtimin dhe veprimtarinë e organeve të trupit), do të jetë e mundur të sqarohet mënyra e funksionimit të të menduarit të njeriut fiziologjikisht, sikurse shpjegohen mënyrat e funksionimit të pjesëve të tjera të organizmit të tij. Mirëpo edhe pse lënda e fiziologjisë ka shkuar mjaft përpara, ende deri më tani nuk është arritur të shpjegohet forma e funksionimit të mendjes së njeriut.

Shkencëtarë e kohës bashkëkohore të cilët e kanë studiuar intelektin e njeriut thonë se me anë të ligjeve të fizikës dhe kimisë mund të shpjegohet forma se si funksionojnë organet e caktuara në trupin e njeriut, sikurse: funksionimi i të dëgjuarit; ata thonë se valët e zërit godasin timpanin e veshit dhe kjo dridhje e krijuar arrin nëpërmjet nervit dëgjimor në tru. Gjithashtu edhe shqisa e shikimit është reflektim i rrezeve të dritës që i sheh njeriu dhe këto pamje shndërrohen në valë dhe nëpërmjet nervit pamor dërgohen në tru, etj. Me gjuhën e fizikës dhe kimisë deri këtu mund të shpjegohet forma e funksionimit të këtyre organeve, por pas kësaj, kur kërkohet sqarimi i mënyrës se si perceptohet kjo në mendjen e njeriut dhe çfarë zhvillime ndodhin më pastaj, atëherë nuk ka sqarime.

I përmenda këto shpjegime që ta kemi parasysh se mënyra e funksionimit të intelektit të njeriut është enigmë dhe e paqartë për ne, së paku deri me tani. Por gjithashtu duhet ta përmendim edhe atë se të menduarit e njeriut ndërlidhet ngushtë edhe me shpirtin e tij dhe derisa njohuria e njeriut rreth esencës dhe përbërjes së shpirtit është e kufizuar, atëherë edhe njohuritë e tij rreth mënyrës së të menduarit të njeriut do të jenë të kufizuara. Zoti i Madhëruar thotë:“Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.” (Isra, 85)

Pas këtyre sqarimeve të cilat i konsiderojmë shumë të nevojshme themi se pikëpyetja rreth vendndodhjes së mendjes është një problematikë e cila ka ngritur polemikë te njerëzit që nga kohërat e lashta. Rreth kësaj ka folur edhe Aristoteli në librin “Mbi Shpirtin” dhe ai përmban qëndrimin se vendi i mendjes është zemra dhe jo truri, ndërsa roli i trurit është që t’i shërbej zemrës në të cilin gjendet mendja.

Debati në lidhje me këtë çështje është evident edhe te dijetarët islamë; shumica e atyre janë të mendimit se vendndodhja e mendjes është zemra dhe për këtë mbështeten në një numër të citateve kuranore në të cilat Zoti i Madhëruar i kritikon jobesimtarët që nuk mendojnë me zemrat e tyre. Ndër këto citate përmendim: “Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë.” (Haxh, 46)

Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf, 37)

Ne kemi paracaktuar për xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë.” (Araf, 179)

Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed, 24)

Një numër tjetër i dijetarëve islamë janë të mendimit se vendndodhja e mendjes është truri. Ata nisen nga fakti se kur të çrregullohet truri, atëherë edhe mendja çrregullohet dhe nga çrregullimi i trurit vijnë deri te sëmundjet mendore.

Shejhul Islam Ibën Tejmije është pyetur në lidhje me vendndodhjen e mendjes dhe është përgjigjur kështu:

“Ndërsa në lidhje me pyetjen: Ku është vendndodhja e mendjes?  Mendja ndodhet tek njeriu i cili logjikon, ndërsa ndërlidhja me trupin e tij është në zemër, ashtu si thotë Zoti i Madhëruar:  “Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë.” (Haxh, 46).  E kanë pyetur sahabin Abdullah ibën Abasin:Si e arrite tërë këtë dije?` Ai tha: “Me gjuhën pyetëse dhe zemrën e mençur.” Por me shprehjen ”zemër” mund të jetë për qëllim organi që ka formën halore dhe që gjendet në anën e majtë të trupit,… ashtu siç përmendet në hadithin në të cilin i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Vërtet në trup është një organ, nëse ai është i mirë, atëherë i tërë trupi është i mirë dhe nëse ai është i keq, atëherë i tërë trupi bëhet i keq. Ai organ është zemra.” Por gjithashtu mund të jetë për qëllim brendësia e njeriut përgjithësisht, pasi zemra e ndonjë gjëje është edhe brendësia e saj, sikurse zemra e grurit, bajames, arrës etj. Dhe në këtë kontekst nëse është për qëllim me zemër kjo, atëherë mendja është e ndërlidhur edhe me trurin, prandaj edhe është thënë se mendja është në tru, ashtu si përmendin shumë mjekë dhe kjo transmetohet nga imam Ahmedi. Ndërsa një pjesë e pasuesve të tij thonë se esenca e mendjes është në zemër dhe kur të plotësohet përfundon në tru.” [1]

Ai në fund përmend se të dy mendimet janë të arsyeshme dhe mundohet të bëjë një pajtim rreth këtyre qëndrimeve duke thënë se filli i të menduarit dhe gjykuarit është në tru, ndërsa filli i dëshirës dhe esenca e qëllimit është në zemër. [2]

Sido që të jetë hulumtimet mjekësore bashkëkohore kanë arritur në përfundim se roli i zemrës nuk është vetëm një pompë e gjakut në organizmin e njeriut, ashtu si paramendohej në shekullin e kaluar, por përbërja e zemrës është shumë më e ndërlikuar. Ata kanë zbuluar se në brendësi të zemrës gjenden disa qeliza nervore të cilat janë shumë komplekse dhe deri më tani nuk kanë kuptuar se si funksionojnë. [3] Gjithashtu mjekët tani vërtetojnë lidhjen e ngushtë mes zemrës dhe trurit duke bërë lidhjen mes asaj që e kupton njeriu dhe mes asaj që e ndien. [4]

Prandaj pa u zgjeruar më shumë themi se ndoshta mendimi më i arsyeshëm është konstatimi se me anë të trurit njeriu percepton dhe kupton gjërat e ato truri i përçon në zemër, ndërsa zemra i administron mendimet dhe ajo urdhëron respektivisht ndalon veprimet apo marrjen e vendimeve. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

—————————

[1] Mexhmu Fetva Ibën Tejmije, vëll. IX, f. 303-304.

[2] Po aty.

[3] Esrarul Kalbi Verr Rruh, http://www.kaheel7.com/ar

[4] Po aty.