Pyetja:
Si është gjykimi mbi ngrënien e kërmijve? Kini parasysh se përgatitja e kërmijve kërkon zierjen e tyre për së gjalli. A janë përdorur kërmijtë si ushqim gjatë kohës së Pejgamberit ﷺ?
Përgjigjja:
Kërmijtë janë dy llojesh: kërmij të tokës dhe kërmij të detit. Kërmijtë e tokës hyjnë në kategorinë e insekteve dhe kafshëve që nuk kanë gjak rrjedhës. Kërmijtë e detit hyjnë në kategorinë e butakëve, të cilët janë kafshë deti.
Kërmijtë janë kafshë deti pa kurriz, njëfarëlloj butakësh. Shumica e kërmijve kanë një guaskë të jashtme, disa kërmij kanë një guaskë të rrafshët mbi apo nën lëkurë, por shumica s’kanë guaskë fare. Kërmijtë e tokës kanë një palë antena, me një sy në fundin e antenës më të gjatë. Kërmilli i gjatë i rërës konsiderohet si kafshë e dëmshme, për shkak
të apetitit të pangopur që ka për bimët. Gjatësia e tij arrin në 10 cm. [1]
Sa i përket gjykimit mbi ngrënien e kërmijve:
1. Kërmijtë e tokës hyjnë në gjykimin mbi ngrënien e insekteve. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se kjo është haram.
Neveviu ka thënë : Qëndrimi i dijetarëve lidhur me (ngrënien) insektet tokësore … ne mendojmë se është haram. Ky ishte mendimi i Ebu Hanifes, i Ahmedit dhe i Dawudit. Maliku ka thënë: “Është hallall”. [2]
Ibn Hazm ka thënë: “Nuk është e lejueshme të hahen kërmijtë e tokës apo çfarëdo insekti a kafshe tjetër, siç janë gekot (lloj hardhucash), kacabunet (bubat), milingonat, bletët, mizat, grerëzat, krimbat, morrat, pleshtat, mushkonjat, apo çfarëdo nga ky lloj, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ju janë ndaluar (për t’i ngrënë): kafsha e ngordhur …” dhe “… përveç nëse e therni (para se të ngordhë)” (Maide: 5). Ka argument të shëndoshë se therja mund të kryhet vetëm në qafë dhe nga pjesa e epërme e gjoksit, kështu që, nëse s’ke mundësi ta therësh, atëherë s’ke mundësi as ta hash atë, përveç si të vdekur, d.m.th. jo të therur si duhet, pra është haram”. [3]
Malikitë nuk kushtëzuan që një krijesë pa rrjedhë gjaku duhet të theret; ata e përfshinë këtë në gjykimin mbi karkalecat, ndërsa therje e saj konsiderohet zierja, pjekja, apo shpimi me gjilpërë apo me shkop duke e përmendur emrin e Allahut mbi të, derisa të ngordhë.
Maliku u pyet rreth një gjëje në Afrikën Veriore të cilën e quajnë kërmill, që gjendet në shkretëtirë dhe në drunj – a bën të hahet? Ai tha: “Mendoj se ai është si karkaleci. Nëse merret i gjallë dhe zihet apo piqet, nuk mendoj se ka gjë të keqe ta hash atë; nëse gjendet i ngordhur, s’bën të hahet”. [4]
Ebul-Welîd el-Baaxhi: “Nëse kjo vërtetohet, atëherë gjykimi mbi kërmijtë është njësoj si ai mbi karkalecat. Maliku tha se therja bëhet nëpërmjet zierjes apo shpimit me shkop apo me gjilpërë, derisa të ngordhë, dhe gjatë kësaj duhet të përmendet emri i Allahut ashtu siç duhet të përmendet kur t’u priten kokat karkalecave”. [5]
2. Kërmijtë e detit janë hallall, për shkak të lejimit të përgjithshëm sa i
përket ushqimit të detit. Allahu thotë: “Ju është lejuar gjahu në det dhe të ushqimi i tij, për dobinë tuaj dhe për ata që udhëtojnë”. (Maide: 96)
Buhariu shënoi se Umer ibn Khattaab kishte thënë: “Gjahu i ujit nënkupton atë që gjuhet në të, ndërsa ushqimi i detit është ajo që deti hedh në breg”.
Buhariu shënoi se Shurejh, një Sahabi i Pejgamberit ﷺ, kishte thënë: “Gjithçka në det konsiderohet e therur (medhbûh)”. Por, ne nuk kemi parë ndonjë hadith i cili tregon se Pejgamberi ﷺ hëngri kërmij.
Përmbledhazi:
Lejimi i ngrënies së kërmijve vlen për të dyja llojet: të tokës dhe të detit.
Nëse ata zihen për së gjalli, nuk ka gjë të keqe në këtë, sepse kërmijtë e
tokës nuk kanë gjak që të thuhet se ka nevojë të theren si duhet dhe t’u
nxirret gjaku, ndërsa kërmijtë e detit hyjnë në lejimin e përgjithshëm të
gjahut dhe të ushqimit të detit.
Allahu e di më së miri.
Islamqa.info
——————————————
[1] el-Mewsû’a el-Arabijjeh el-Alemijjeh
[2] el- Mexhmû (9/16)
[3] el-Muhel’la (6/76, 77)
[4] el-Mudewweneh (1/542)
[5] el-Munteka Sherh el-Muwetta (3/110)