PYETJE: Si është më e mira të veprohet ndaj personit që e ke përgojuar!?
PËRGJIGJE:
Falënderoj Allahun, përshëndetjet qofshin mbi të dërguarin e Tij.
Për këtë çështje dijetarët tanë japin sqarime të shumta; disa mendojnë se duhet të lajmërohet për gibetin që ia ke bërë, e disa tjerë thonë se nuk duhet të lajmërohet por mjafton të flasësh mirë për të dhe të bësh lutje dhe istigfar, si dhe mendime tjera. Për më shumë: El edhkar (2/845), Mexhmuul fetava (3/291), el adaab esh-sher’ijeh (1/92).
Mendoj se kjo çështje ndahet në dy forma:
- Nëse personi që i ke bërë gibet ka dëgjuar për këtë gibet.
- Nëse nuk ka dëgjuar.
Nëse ka dëgjuar, atëherë duhet patjetër të kërkosh hallallin nga ai, më pas të bësh istigfar dhe të flasësh mirë për të, sidomos në ato vende ku e ke përgojuar.
E nëse nuk ka dëgjuar që e ke përgojuar, atëherë në këtë rast shikohet gjendja e rastit konkret; nëse ta merr mendja që personi nuk preket dhe nuk mban në zemër diç për këtë përgojim, atëherë më mirë është të i tregohet dhe më pas të bëhet istigfar e të flitet mirë për të. Po nëse mendon se kjo gjë e lëndon atë dhe hap plagë të reja, atëherë më mirë është të mos i tregohet, por vetëm se bën istigfar për të dhe fol mirë sidomos nëpër vendet ku e ke përgojuar.
Mos të harroj të përmend se gibeti nuk është çështje e thjeshtë edhe pse është bërë pothuajse si sëmundje ngjitëse tek myslimanët, pasiqë ai tek të gjithë dijetarët llogaritet nga mëkatet e mëdha, ndaj edhe çlirimi nga ai nuk është i lehtë, kështu që duhet t’i vihet kujdes të veçantë e të ruhemi nga ai sikurse ruhemi nga mëkatet tjera të mëdha.
Allahu na ruajt.
Mr. Xheladin LEKA
Mekë, Arabi Saudite.