Pyetja:
Magjia që bën magjistari a bën efekt apo jo? Përse magjistari kur i bën magji dikujt, merr diçka nga sendet e tij personale, si: rrobat e tij, flokët etj.? A mundet magjistari ta bëjë magjinë edhe pa marrë diçka nga njeriu?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Fillimisht duhet theksuar se magjia (dhe çdo e keqe) nuk dëmton në vetevete, por ndikon në trupin, zemrën a mendjen e njeriut vetëm me caktimin e lejen e Allahut, kur urtësia e Tij lejon që diçka e tillë të ndodhë.
Medh’hebi (mendimi) i mbarë dijetarëve të Ehlus-Sunneh Uel Xhema’a (Ithtarëve të Praktikës Profetike të Unifikuar në të) lidhur me magjinë është, se magjia është reale (e vërtetë), pra ajo ndikon tek trupat (bota fizike), duke u sjell atyre sëmundje, çmendje apo edhe vdekje. Porse shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se magjia nuk i përmbys (shndërron) realitetet (pra nuk e shndërron një krijesë në një tjetër, p.sh. nuk e shndërron një njeri në gomar, në qen etj.) por çfarë ndryshon magjia është vetëm temperamenti i të magjepsurit (vetitë psikiko-shpirtërore të tij). Kështu që magjepsja konsiderohet një prej llojeve të sëmundjeve.
Disa prej studiuesve të kësaj lëmie kanë përmendur se, procesi i magjibërjes formohet nga treshja: magjistar, magji dhe shejtani shërbëtor i magjisë… Pasi magjistari ia shet shpirtin dhe fenë shejtanëve të fuqishëm (të mëdhenj), ata i nënshtrojnë atij një numër xhindësh (shejtanësh) që vihen në shërbim të magjisë… Në vijim shejtani ose shejtanët shërbëtorë të magjisë ngarkohen që të bëjnë detyrën e tyre prej magjistarit, përmes veprimeve të tij magjike (magjisë së këtij të fundit që mund të bëhet nëpërmjet: spërkatjes, shkeljes, ngrënies, pirjes ose groposjes)… Magjistari e fillon aktivitetin e tij të magjisë duke i kërkuar personit që vjen për t’i bërë magji dikujt, që t’i sjellë diçka nga gjurmët (mbetjet) e këtij të fundit dhe pas kësaj magjistari fryn (ysht) si në thënien e Allahut të Madhëruar: “Dhe nga sherri i atyre që fryjnë në nyje (duke bërë magji). (El-Felek: 4)”.
Po kështu magjistari i bën veprimet e tij magjike përmes punëve të tjera që i kryejnë xhindet shërbëtorë të magjisë, prej të cilave arrihet deri tek njohja dhe magjepsja e të shënjestruarit (personit të cilit synohet t’i bëhet magji)… Gjithashtu ata kanë përmendur disa gjëra të tjera rreth realitetit të lidhjeve mes magjistarit, shejtanëve dhe shërbëtorëve (xhinde / shejtanë) të magjisë.
Gjithsesi, e vërteta qëndron se hollësirat që u përmend më sipër rreth procesit të magjibërjes, nuk dihet të kenë bazë të konsiderueshme në fenë islame (Kuran dhe Traditën Profetike); për pasojë ato as mund të vërtetohen dhe as mund të mohohen sheriatikisht (sipas fesë islame). Në lidhje me këtë çështje, feja islame ka përmendur vetëm përgjithësime (gjëra esenciale), nga të cilat nuk mund të nxirren hollësitë që u cekën më sipër apo ngjashëm me to.
Ajeti (Vargu) i sures (kaptinës kuranore) El-Bekare 102, nënkupton se faktikisht ekziston një lidhje mes atij që e kryen procesin e magjisë dhe shejtanëve (djajve), por ky ajet nuk jep hollësira për mënyrën sesi ndodh (ndikon) ky proces; prandaj muslimani, në këto çështje që i takojnë botës së fshehtë, lipset të qëndrojë brenda suazave (kufijve) të tekstit hyjnor dhe mos t’i kapërcejë treguesit e tyre, pasi mund të bjerë në përgënjeshtrimin e të vërtetës ose besimin e të kotës.
Në mbyllje duhet theksuar se muslimanit i del si detyrë të mos ketë kurrsesi frikë prej shejtanëve dhe magjistarëve, por të mbështetet tërësisht tek Allahu kundër tyre dhe çdo të keqeje, duke e ditur me siguri se agjë nuk mund të ndodhë pa lejen e Allahut. Muslimani duhet të fortifikohet me Kuranin (leximin, studimin dhe praktimin me sinqeritet të tij), veprimin e udhëzimeve hyjnore (Kuranit dhe Traditës Profetike) përkatëse të ardhura në lidhje me mbrojtjen prej magjisë dhe dëmeve të tjera të krijesave dhe krahas kësaj muslimani duhet të jetë tërësisht i sigurt se dobia dhe dëmi janë vetëm në dorën e Allahut, prandaj kushdo që me caktimin e Allahut është prekur (lënduar) nga magjia apo tjetër gjë e keqe, duhet të brof (nxitojë) të mbështetet tek Allahu Një i Vetëm dhe i Pashoq, të ndjekë dhe zbatojë shkaqet sheriatike (ligjore) islame dhe të distancohet tërësisht nga shkuarja tek magjistarët, falltarët dhe sharlatanët, pasi këta të fundit vetëm sa do t’ia shtojnë marrosjen dhe xhindosjen.
Allahu e di më mirë.
Dr. Bashkim Aliu