Pyetja:

Më interesonte magjia për ndarjen e çiftit pasi simptomat që tregonte aty po i përjetoj te sjellja e të fejuarit tim prej disa javësh. Më thotë se vuan për mua, do të bëjë fëmijë, të krijojë familje dhe ditën tjetër nuk më flet me gojë. Një herë thotë më fal, të kam shkaktuar dhimbje, një herë thotë që jam unë që i kam nxirë jetën. Një herë më dashuron marrëzisht dhe një herë tjetër nuk di a më do më. Nuk di më as unë ku te bazohem sepse nuk kam konkretisht një person me njohuri mbi Islamin dhe Kuranin që të flas gojarisht. Në fakt unë kam disa kohë që e sjell në mendjen time një fakt të tillë, pra që atij mund t`i kenë bërë magji dhe dyshoj shumë te një femër (Allahu më faltë), e cila ka kohë që tenton të hyjë mes nesh (dhe me sa duket ia ka arritur qëllimit). Nuk po mundem as të komunikojë me të fejuarin dhe jo të pretendojë t`i them të tilla dyshime e aq më tepër ta çoj tek persona të tillë që pretendojnë të shërojnë me anë të Kuranit (nuk di a duhet besuar te këta persona në fakt). Në atë faqe midis të tjerash shkruheshin ajetet nga sure të caktuara të cilat i lexoheshin të prekurit nga magjia. Unë nuk e kam këtë mundësi dhe shpresa e vetme janë lutjet dhe sexhdet që i bëj Allahut natën dhe ditën. Kur njeriu është në hall çfarë nuk bën dhe unë jam duke i përmbledhur këto sure bashkë duke menduar që t`i lexoj vetë (dashtë Allahu), por me dedikim për të fejuarin. Desha të di nëse më lejohet ndonjë foto e tij meqenëse atë nuk kam ku e gjej (dhe të mendosh se jetojmë vetëm 10 minuta larg njëri-tjetrit), pasi ka prerë çdo lloj komunikimi me mua. Të gjitha këto i kam shoqëruar me lutje dhe sexhde ndaj Allahut, por sapo kam hyrë në Islam dhe nuk kam pothuajse aspak informacion.
Ju lutem më ktheni një përgjigje, ku mund të më sqaroni diçka më konkrete.
1-A ia vlen mundimi im në këto kushte që dua ta praktikojë?
2-A duhet në të vërtetë t`i drejtohemi personave të tille që shërojnë magji me Kuran (kur të tillë pretendojnë shumë në ditët e sotme)?
-Nëse mund të më rekomandoni ju ndonjë emër të një njeriu të tillë.
3-A kam shpresë (dashtë Allahu) që veç me lutje dhe sexhde ndaj Tij të përmirësoj situatën në të cilën ndodhem?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Është shumë problematike të përcaktohet problemi mes një burri e gruaje, pasi ekzistojnë një mori rrethanash që ndikojnë për të krijuar kriza të natyrave të ndryshme në mes tyre. Prandaj ne nuk mund të flasim rreth definimit të problemit dhe a është magji apo jo. Ajo çfarë mund t’ju japim ne janë vetëm këshilla, të cilat ndoshta do t`ju mundësojnë ta evitoni problemin ose të ndërmerrni hapin e qëlluar në krizën me të cilën ballafaqoheni.
Më së pari mundohuni të kuptoni nga burri juaj se cili është në fakt problemi mes jush. Këtë mund ta bëni duke u ulur me të dhe duke sqaruar se cilat janë problemet konkrete të cilat e bëjnë burrin tuaj të ketë atë sjellje me ju. Nëse ju nuk arrini dot të bisedoni me të, atëherë le ta bëjë këtë dikush tjetër që keni besim ju dhe burri juaj; ai le të flasë me të. Jemi të bindur se mundi juaj në këtë formë do ta ketë efektin e saj, posaçërisht nëse janë probleme të natyrës organike ose konkrete.
Gjithashtu edhe duaja dhe lutja ndaj Allahut të Lartësuar të cilin ju e bëni, vazhdoni ta bëni çdo herë dhe në çdo kohë. Edhe nëse i mblidhni lutjet e ndryshme nga Kurani dhe lutjet e të Dërguarit të Allahut, ﷺ, dhe i lexoni ato herë pas here duke iu mbështetur Allahut që t’ua zgjidhë problemin, bën dhe lejohet. Nuk është e nevojshme që të keni para vetes fotografi të burrit, që të bëni lutje për të, madje kjo edhe nuk është e lejuar. Mjafton që ju të jeni e sinqertë ndaj Allahut të Madhërishëm dhe Ai e di më së miri gjendjen tënde dhe të të gjithë njerëzve. Ndërsa sa i përket shkuarjes te hoxhallarët që shërojnë nga magjia, themi se mund të kontaktoni edhe me ta dhe të konsultoheni, por kini kujdes se të tillët janë të paktë. Shumica e atyre që pretendojnë se bëjnë shërimin me magji janë mashtrues dhe merren me forma të veprimeve të ndaluara vetëm që t’i mashtrojnë njerëzit. Ne do të dërgojmë adresa të hoxhallarëve që shërojnë me Kuran dhe lutje profetike, që të mund të kontaktoni me ta.
Për fund, ju këshillojmë që të mbështeteni në Allahun e Lartësuar dhe të keni mendim të mirë ndaj Tij dhe dijeni se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, prandaj mos u mërzitni duke e lutur Atë.

Alaudin Abazi