Si ta këshillosh vëllanë tënd në Fe?
Shejh Abdurrezak El-Bedr (Allahu e ruajttë!)

Ibn Kethiri, në tefsirin e tij të sures Ghafir, përmend një ngjarje prekëse:

Një burrë nga Shami, i fortë fizikisht, e vizitonte shpesh Umer Ibn El-Khattabin (radijAllahu anhu). Por një ditë mungoi dhe Umeri pyeti për të. I thanë se kishte rënë në alkoolizëm.

Umeri (radijAllahu anhu) i shkroi një letër:

“Prej Umer Ibn El-Khattabit drejtuar filanit. Esselamu alejkum. E më pas… Falënderimi i qoftë Allahut; nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij…

﴿غَافِرِ الذَّنبِ وَقَابِلِ التَّوْبِ شَدِيدِ الْعِقَابِ ذِي الطَّوْلِ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ إِلَيْهِ الْمَصِيرُ‎﴾

“Që fal mëkatin, pranon pendimin, është i ashpër në ndëshkim, Dhurues i madh. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, tek Ai është kthimi i fundit.” [Ghafir: 3]

Pastaj Umeri u tha shokëve:

“Lutjuni Allahut për vëllain tuaj që ta pranojë letrën me zemër të hapur dhe Allahu ta udhëzojë drejt pendimit.”

Kur burri e lexoi letrën, përsëriste ajetin vazhdimisht. Tha:

“Allahu më paralajmëroi për ndëshkimin dhe më premtoi pranimin e pendimit.”

Ai e la pirjen e alkoolit dhe u kthye në rrugën e drejtë. Kur lajmi i arriti Umerit, ai tha:

Kështu duhet të jeni. Kur ta shihni vëllanë tuaj duke rënë në gabim, drejtojeni dhe udhëzojeni, dhe lutjuni Allahut për të, mos ia ndihmoni shejtanit kundër tij.”

[Tefsiri i Ibn Kethirit – Surja Ghafir]

Këshilla e Shejh Abdurrezak El-Bedr:

Unë këshilloj që ta lexoni këtë ngjarje një herë, pastaj përsëri – derisa zemra ta përthithë dhe të bëhet pjesë e personalitetit tuaj.
Përhapeni këtë historiqë mirësia, dhembshuria dhe mëshira të përhapen në mesin tonë.

Sot, mëkatarët janë të rrethuar nga dyer të së keqes që s’kanë ekzistuar më parë. Ata kanë më shumë nevojë se kurrë për:

ata që janë të mëshirshëm me ta,
ata që luten për ta,
ata që i qasen me butësi,
ata që kërkojnë nga Allahu t’i udhëzojë,
ata që nuk i përçmojnë dhe nuk i mallkojnë, por i afrojnë me butësi drejt së mirës.

Nuk i takon një muslimani që t’i ndihmojë shejtanit kundër një mëkatari duke e sharë, duke u lutur kundër tij apo duke e poshtëruar.

Çfarë kërkohet është butësia, mëshira dhe duaja për ta.

https://t.me/ShejhAbdurrezakElBedr