Pyetja:

Janë të shumta tekstet e Kuranit dhe Sunetit, të cilat na urdhërojnë që të jemi të përulur ndaj të vërtetës dhe ndaj njerëzve. Këto tekste lavdërojnë ata që janë të përulur dhe në to përmendet shpërblimi i tyre në këtë botë (para se të shpërblehen në botën tjetër). Gjithashtu janë të shumta tekstet të cilat ndalojnë nga mendjemadhësia dhe nga të mbajturit rëndë e me të madh para të tjerëve si dhe qartësojnë ndëshkimin për mendjemëdhenjtë. Atëherë, me çfarë shërohet mendjemadhësia dhe arrihet thjeshtësia?

***

Përgjigjja:

Pa dyshim se është obligim mbi çdo mysliman që të ketë kujdes nga mendjemadhësia dhe të jetë njeri i thjeshtë. Dhe “Kush përulet për hir të (madhështisë së) Allahut një shkallë, Ai e ngrit atë një shkallë”[1]
Kush tregohet mendjemadh është në rrezik që Allahu t’ia thyej kurrizin – nga Ai kërkojmë ndjesë-! Një njeri në kohën e Profetit ﷺ tha: “O i Dërguar i Allahut, unë kam dëshirë që rrobat dhe këpucët e mia të jenë të bukura. A është kjo prej mendjemadhësisë?” Profeti ﷺ tha: “Vërtet, Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësia është refuzimi (mospranimi) i së vërtetës dhe përçmimi i njerëzve.”[2]

“Refuzimi i të vërtetës”, d.m.th. nëse ajo është në të kundërtën e epshit (tekave) të tij ai nuk e pranon. “Përçmimi i njerëzve”, d.m.th. në sytë e tij njerëzit janë më të ulët se ai, i nënçmon dhe e sheh veten më të lartë se ata, ose për shkak të elokuencës së tij, ose për shkak të pasurisë së tij, ose për shkak të postit të tij, ose për shkaqe tjera që ai i imagjinon, ose mund të jetë edhe i varfër (e të tregohet mendjemadh). Profeti ﷺ në një hadith të vërtetë thotë: “Tre njerëzve Allahu në Ditën e Kiametit nuk do t’u flasë, as nuk do t’i pastrojë prej mëkateve, as nuk do t’i shikojë dhe për ta do të ketë një dënim të dhembshëm. Ata janë: plaku kurvar, sunduesi gënjeshtar dhe i varfëri mendjemadh.”[3]

Ai është i varfër dhe megjithatë tregohet mendjemadh dhe është i sprovuar me mendjemadhësi. Drejt mendjemadhësisë thërrasin malli dhe pasuria, ndërkaq ai megjithatë mbahet rëndë e me të madhe. Pra, mendjemadhësia është e rrënjosur thellë në shpirtin dhe karakterin (natyrën) e tij.

Ndërsa, sa i përket thjeshtësisë, ajo është përulja, morali i mirë dhe mos ngritja e vetes përmbi të tjerët. Ashtu siç thotë Profeti ﷺ : “Vërtet më i dashuri tek unë prej jush dhe më afër meje Ditën e Kiametit do të jetë ai që është me moral më të mirë.”[4]
Dhe tha: “Mirësia është të jesh me moral të mirë.”[5]

Andaj, le të kujtoj Madhështinë e Allahut dhe le të kujtoj se Allahu është Ai, i Cili ia dha pasurinë, ia dha postin, ia dha pozitën, ia dha fytyrën e bukur etj. Le të kujtoj se prej falënderimit (mirënjohjes) për to (begatitë) është thjeshtësia dhe të mos qenët mendjemadh. Nuk duhet të bëhet mendjemadh për shkak të pasurisë, apo postit, apo prejardhjes, apo bukurisë, apo fuqisë etj. Përkundrazi, duhet të kujtoj se ato janë prej begative të Allahut dhe se prej falënderimit për to është modestia, nënçmimi i vetes dhe që mos të tregohet mendjemadh me vëllezërit e tij apo ta sheh veten më lartë se ata.

Mendjemadhësia thërret në padrejtësi, rrenë dhe jo korrektësi me të tjerët në fjalë apo vepra. Mendjemadhi e sheh veten e tij më lartë se vëllai i vet, ose për shkak të pasurisë, ose për shkak të bukurisë, ose për shkak të postit, ose për shkak të prejardhjes, ose për shkaqe tjera imagjinare. Për këtë i Dërguari ﷺ tha: “Mendjemadhësia është refuzimi (mospranimi) i së vërtetës dhe përçmimi i njerëzve.”

D.m.th. mospranimi i të vërtetës, nëse ajo e kundërshton epshin (tekat) e tij. Kjo është mendjemadhësi. Ndërsa, “përçmimi i njerëzve” d.m.th. ai i sheh më poshtë se veten dhe mendon se ata nuk e meritojnë korrektësinë e tij, apo nuk e meritojnë që t’i përshëndes i pari me selam, apo nuk e meritojnë t’u përgjigjet në thirrjen e tyre, e të ngjashme me këto.
Nëse ndalet dhe e kujton dobësinë e tij, se ai është krijuar nga një pikë uji i dobët e i shpërfillur, se ka nevojë të shkoj në tualet për nevojat e tij, se han nga këtu dhe zbrazet nga diku tjetër dhe se, nëse nuk qëndron në bindjen ndaj Allahut Zjarri do të jetë vendi i tij, do ta kuptoj dobësinë e vet dhe se ai s’është gjë tjetër veçse një i ngratë, të cilit i ndalohet mendjemadhësia.

Shejh AbdulAziz bin Baz, “Mexhmu’u fetaua ue mekalat muteneuuiah”

Përktheu: Petrit Perçuku

—————————————————–

[1] Ibën Maxheh në Ez-Zuhd nr. 4176, Ibën Hibbani në Kitabul – hadhar uel – ibahah nr. 5678 dhe Ahmedi në Musnedin e tij.

[2] Muslimi në El Iman me nr. 131 dhe teksti është i tij. Gjithashtu Ahmedi në Musned, nr. 3600.

[3] Muslimi në El Iman, nr. 156 dhe Ahmedi në Musned, nr. 9837.

[4] Tirmidhiu në El Birr ue Es-Sileh, nr. 1941.

[5] Muslimi në El Birr ue Es-Sileh, nr. 4632 dhe Tirmidhiu në Ez-Zuhd, nr. 2311.