Pyetja:

Cilat janë hapat që duhet të ndërmirren për t’i vënë nën kontroll problemet e familjes. Ju lutem na këshilloni.

***

Përgjigjja:

Problemet e bashkëshortëve duhet të kalojnë nëpërmjet këtyre pikave:

1. Me maturi dhe urtësi

Më së shumti çfarë duhet të bëjë gruaja në momentin e ndezjes së problemeve në mes saj dhe burrit të saj është që ajo të mundohet ta shuajë problemin me maturi dhe urtësi, se përndryshe zjarri i problemeve do të ndizet edhe më shumë e do të shkatërrojë bashkëshortët dhe fëmijët e tyre dhe Allahu nuk e do shkatërrimin.” (Malumat Es-seadetuz-zeuxhije)

Nëse nuk përfundon problemi brenda shtëpisë, gruaja e mençur nuk bëhet pasive, por mundohet me të gjitha mundësitë e saj që ta shuajë problemin duke e qetësuar burrin dhe duke u munduar t’ia largojë hidhërimin e tij. Po ashtu mundohet që bisedën për këtë problem ta shtyjë për më vonë derisa të qetësohen, kështu që kur të bisedojnë për të zgjidhur këtë problem, të jenë të qetë dhe ta zgjedhin këtë problem me dashuri dhe mëshirë ndaj njëri-tjetrit.

2. Arsyetimi i njëri-tjetrit dhe të kenë mendim të mirë për njëri-tjetrin

Nuk ka dyshim se këto sjellje janë prej shkaqeve më të forta, të cilat, me ndihmën e Allahut, e ndihmojnë njeriun në zgjidhjen e problemeve bashkëshortore. Mendimi i mirë për bashkëshortin apo bashkëshorten dhe pranimi i fjalëve të saj me qëllim të mirë duke i pranuar arsyetimet e saj, të gjitha këto të ndihmojnë në vazhdueshmërinë e harmonisë bashkëshortore.

Secili prej dy bashkëshortëve ka jetuar në një ambient i cili ka ndryshuar nga ambienti i tjetrit dhe për këtë shkak ndryshojnë shijet dhe sjelljet e tyre. Është e pamundur që të pajtohen mendimet e tyre në çdo çështje menjëherë pas martesës së tyre pas disa ditësh apo javësh. Për këtë shkak, duhet që të dy bashkëshortit të kenë mendim të mirë për njëri-tjetrin dhe ta arsyetojnë njëri-tjetrin. Sa e sa probleme kanë ndodhur dhe kanë përfunduar me ndarje për shkak të mungesës së kësaj sjelljeje ndërmjet dy bashkëshortëve.

3. Ruajtja e gjuhës

Nuk ka dyshim se nuk ka asnjë problem e që gjuha të mos jetë udhëheqëse e atij problemi. Sikur të dy bashkëshortit t’i ishin frikësuar Allahut dhe t’i kishin ruajtur gjuhët e tyre nuk do të ishin përhapur dhe nuk do të ishin shtuar problemet e tyre. Po ashtu nuk do të kishte ndodhur ndarja e tyre.
Sikur gruaja muslimane dhe e devotshme ta përdorte gjuhën e saj në përmendjen e Allahut dhe me thënie të mira, nuk do të kishte mundësi shejtani të gjente rrugë për t’i prishur marrëdhëniet mes gruas dhe burrit të saj.

Sikur ta kujtonte gruaja fjalën e Allahut: “Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf 17-18), sikur ta kujtonte këtë ajet para çdo fjale që do të fliste, kjo do të ishte mbrojtja më e madhe prej shumë të këqijave.

4. Ruajtja e sekreteve

Gruaja e devotshme duhet të betohet me burrin e saj që t’i ruajnë sekretet e tyre dhe të mos ankohen tek askush tjetër përveç Allahut (përveç nëse e kërkon nevoja) dhe t’i kushtojnë kujdes të veçantë që të mos kalojë një natë, nëse kanë ndonjë problem, pa e zgjedhur atë problem.

5. Të këshillohen me njerëzit e dijes dhe me ata të cilët kanë përvojë

Në rast të rritjes së problemit, nuk ka dyshim se gjykimi me drejtësi mes dy bashkëshortëve humb, po ashtu edhe të menduarit me logjikën e drejtësisë pakësohet. Në këtë rast, ata kanë nevojë të këshillohen me njerëzit e dijes dhe të përvojës (të devotshëm, të cilët ia kanë frikën Allahut), sa e sa probleme janë zgjidhur me këtë metodë, mirëpo me kusht që të zgjedhin njeriun e duhur.

6. Të jenë të kënaqur me atë që u ka caktuar Allahu

Ka mundësi që gruaja të sprovohet me një burrë i cili nuk ka mundësi të bëjë fëmijë ose mund të ketë sjellje të këqija, ose mund të mos jetë i pasur ose gjëra të tjera. Në këtë rast, gruaja e ka për obligim të bëjë sabër (durim) dhe të jetë e kënaqur me atë që i ka caktuar Allahu dhe ta ketë gjithmonë në kujtesë fjalën e Allahut: “…mirëpo pas vështirësisë, Allahu sjell çlirim (begati). (Et-Talak, 7)

Dr. Nasir Umer