Pyetje: Më dështoi plani për martesë
Si mund të qëndroj e fortë dhe e qetë në këtë situatë ku ndodhem në një rrugicë pa dalje? Dëshiroja të martohesha me dikë, por e gjitha dështoi dhe nuk e di se kjo a është gjë e hajrit për mua apo jo. Kam frikë të marr vendime të gabuara, por thjesht dua të veproj si besimtare dhe të mbështetem te Zoti. Si të jem e sigurt që ajo që po ndodh është për të mirën time dhe si të ruaj besimin dhe krenarinë time në këtë situatë?
Përgjigja:
E nderuar motër,
Së pari, të përgëzoj për sinqeritetin dhe mbështetjen tënde vetëm te Allahu. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm që duhet të ndjek çdo besimtarë për të gjetur qetësinë dhe për të bërë zgjedhjen e duhur në çështjet e tij.
Ne, si njerëz, jemi me aftësi të kufizuara si në dijen ashtu dhe perceptimin tonë, andaj edhe shpesh mendojmë se ajo që na pëlqen është e mirë për ne, dhe ajo që na shqetëson është në dëmin tonë.
Por Allahu, i Gjithëdijshmi, e di të fshehtën dhe qëllimin e çdo gjëje. Ai në Kuran thotë:
“ Mund ta urreni një gjë, por ajo është e mirë për ju, e mund të doni një gjë, por ajo është e dëmshme për ju. Allahu e di e ju nuk e dini.” (El-Bekare: 216)
Po ashtu, Allahu na përkujton:
“…është e mundur që juve diçka të mos u pëlqejë, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira..” (En-Nisa: 19)
Prandaj, të këshilloj që t’i mbështetesh vetëm Allahut, i Cili e di më së miri arsyen dhe urtësinë e çdo ndodhie. Në çdo rast, lute Allahun që të të jep atë që është më e mira për ty, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa e çuditshme që është çështja e besimtarit, gjithçka që e godet atë, është në të mirën e tij dhe kjo nuk është për askënd përpos për besimtarin. Kur e kaplon ndonjë begati, ai falënderon, gjë që është në të mirën e tij, e, nëse e godet ndonjë vështirësi, ai bën durim, gjë që është në të mirën e tij.” (Muslimi)
Nëse nuk ke gabuar dhe e ke pasur zemrën e pastër në këtë iniciativë, dhe ajo ka qenë hallall, dije se Allahu mund të të ketë larguar nga diçka që nuk është e mirë për ty. Mbaje kokën lart dhe mos u dorëzo, sepse Allahu e ka përgatitur atë që është më e mira për ty.
Femrat janë shpesh më të sinqerta dhe të përkushtuara në çështjet e zemrës, ndërsa shumë burra mund të mos kenë të njëjtën ndjeshmëri. Prandaj, mos u mërzit. Vazhdoni jetën tuaj me krenari dhe dinjitet. Allahu është me ata që janë të durueshëm dhe që e mbështesin zemrën te Ai.
Lutu kështu:
“ Zoti ynë, epna të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër! Dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!!” (El-Bekare: 201)
Mos harro, Allahu nuk e zhgënjen asnjëherë atë që mbështetet tek Ai.
U përgjigj: Senad Ramadani / rizgjimi.com