Pyetja:

Si t’i bindim disa njerëz të cilët i thonë vetes muslimanë dhe për fat të keq mund të besojnë tek magjistarët dhe fallxhorët?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Format për t’i bindur këta njerëz janë të shumta, referuar në tekstet përkatëse islame të ardhura në lidhje me këtë çështje.

Një formë e qëlluar bindjeje e përmendur nga dijetarët, është që personit i cili i thotë vetes musliman, por që për fat të keq mund të besojë tek fallxhorët dhe magjistarët, t’i shtrohet pyetja:

“Profeti Muhamed ﷺ është më i mirë apo fallxhorët dhe magjistarët?”

Nëse ai përgjigjet se këta të fundit janë më të mirë, ky është një mosbesim i qartë nga ana e tij dhe duhet punuar me të në këtë drejtim; ndërsa nëse përgjigjja e tij (e cila është në fakt përgjigja që jepet nga shumica) është: “Muhamedi ﷺ është më i mirë”,- atëherë pasi ta përkrahim për këtë duke i thënë, se me siguri që Muhamedi ﷺ është njeriu dhe madje Profeti absolutisht më i mirë, nisur nga fakti se Allahu i Madhëruar e zgjodhi atë të ishte i Dërguari i fundit i Tij dhe zbriti mbi të Shpalljen e fundit hyjnore, pas kësaj i shtrojmë këtij personi pyetjen në vijim:

Si ka mundësi që Muhamedi ﷺ, i cili është krijesa më e mirë dhe më e nderuar tek Allahu i Madhëruar, nuk e kishte në dorë t’i sillte vetes dëm a dobi dhe nuk e dinte të fshehtën apo të ardhmen, kurse fallxhorët dhe magjistarët kanë mundësi për një gjë të tillë?!

Jo, përderisa kjo nuk qëndron për Muhamedin ﷺ, atëherë ajo as që mund të mendohet për ata që janë më poshtë se ai në nderim a pozitë?!

Në lidhje me këtë fakt Allahu i Lartmadhëruar ka thënë:

Thuaj (o Muhamed): Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira (nga Zoti) për njerëzit që besojnë (Zotin dhe Profetët e Tij).”

Muslimani nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi në të vërtetat islame që u përmendën më sipër dhe në faktin se ai duhet të jetë i vendosur që kurrë të mos shkoj tek këta njerëz të ligë që ia kanë shitur shpirtin shejtanit dhe bashkë me shejtanët synojnë që t’i humbin njerëzit nga rruga e drejtë dhe t’i bëjnë të mjeruar në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu