Pyetja:

Cila është këshilla juaj për motrat dhe vëllezërit që ta ruajnë gjuhët e tyre nga përgojimi, bartja e fjalëve dhe folja e tepërt?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Mjafton si përgjigje për pyetjen aspekti se Allahu e ka konsideruar përgojimin e muslimanëve sikur të hash mishin e vëllait (ose motrës) tënd të vdekur. “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se vërtet disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat: 12)

Ndërsa nga hadithet e Profetit ﷺ po përcjellim këto hadithe:

Transmeton Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka bërë pyetjen: “A e dini ç’është përgojimi? Të pranishmit thanë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri! “Përgojimi është që vëllait tënd t’ia përmendësh atë që nuk ka dëshirë.” I kanë thënë: “Por nëse është e saktë atë që ia themi? “Nëse është e vërtetë ajo që ia ke thënë, ke bere gibet (përgojim) e nëse nuk e ka atë ke bërë shpifje ndaj tij.” [1]

Transmeton Ebu Berzeh el Eslami (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “O ju të cilët keni besuar vetëm me gjuhet tuaja e ende nuk ka hyrë imani në zemrat tuaja! Mos përgojoni muslimanet dhe mos kërkoni të metat e njeri-tjetrit, sepse vërtetë ai që hyn në fshehtësitë e muslimaneve, Allahu do të hyjë në fshehtësitë e tija e kujt Allahu i hyn në fshehtësitë e tij, do t’ia zbulojë edhe nëse janë të fshehur nën themelet e shtëpisë së tij.” [2]

Bledar Haxhiu

————————–

[1] Muslimi

[2] Ebu Davudi, Ahmedi