Pyetja:

Si veprohet me atë që ka pasuri haram?

***

Përgjigjja:

Rasti i parë: Kur e njeh pasurinë haram

Nëse e njeh pasurinë haram atëherë këtu kemi dy mundësi: ose ajo pasuri është e vjedhur ose e grabitur, ose është fituar në rrugë haram.

Mundësia e parë: Është haram sepse është e vjedhur apo e grabitur dmth ajo pasuri ka një pronar që e kërkon.
Kur pasuria është vjedhur apo e grabitur dhe njihet atëherë ajo kur jepet dhuratë nuk duhet të pranohet, kur shitet nuk duhet të blihet, kur bëhet ushqim për gosti nuk duhet të hahet etj.

Për këtë çështje kanë ardhur dy hadithe:

Hadithi i parë: Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili tregon se Profeti ka thënë: “Ai i cili ble një gjë të vjedhur dhe e di që është e vjedhur e shoqëron atë (vjedhësin) në turp dhe në gjynah.” [1]

Hadithi i dytë: Mejmune bintu Sead (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), tregon se i ka thënë Profetit : O i dërguari i Allahut, na trego për vjedhjen? Profeti i thotë: “Ai i cili e ha atë duke e ditur se është e vjedhur, e shoqëron atë (vjedhësin) në gjynahun e vjedhjes.” [2]

Kanë ardhur hadithe të tjera të sakta që i japin të drejtë pronarit të pasurisë së vjedhur apo të grabitur ta rikthejë atë edhe nëse e gjen atë në duart e një blerësi (dmth: jo në duart e vet vjedhësit) dhe për këtë janë transmetuar dy hadithe:

Hadithi i parë: Semura bin Xhundub (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), tregon se Profeti ka thënë: “Nëse një burri i vidhet një plaçkë apo i humbet dhe e gjen atë në dorë të një tjetri atëherë ai e meriton atë më shumë sesa tjetri dhe blerësi të kërkojë çmimin e saj te shitësi.” [3]
Ky hadith është transmetuar Semura bin Xhundub me një tekst tjetër të ngjashëm ku tregon se Profeti ka thënë: “Ai i cili gjen pasurinë e tij te një tjetër atëherë ai ka më të drejtë ta marrë atë ndërsa blerësi kthehet te shitësi.” [4]

Hadithi i dytë: Useid bin Dhuheir El-Ensarij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), tregon se kur ishte përgjegjës për El-Jemamen, i ka shkruar Meruan bin El-Hakem (Valiu apo guvernatori i Medines) se Muavije bin Ebij Sufjan (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), (prijësi i përgjithshëm i myslimanëve të asaj kohe) i ka shkruar atij: Cilido burrë që i është vjedhur diçka, ka të drejtë ta rikthejë atë kudo që ta gjejë. Pastaj Usejdi i shkruan Meruanit se Profeti ka gjykuar se: “Nëse ai i cili e ka blerë prej atij që e ka vjedhur nuk akuzohet atëherë pronari i saj ka të drejtë të zgjedhë: ose ta marrë atë që i është vjedhur duke i dhënë çmimin (blerësit) ose të kthehet te vjedhësi” pastaj thotë: kështu ka gjykuar: Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. [5]

Këto hadithe i japin të drejtë pronarit të rikthejë pasurinë e tij edhe pse në përmbajtjen e tyre ka pak ndryshim në lidhje me mënyrën e rikthimit të pasurisë së tij por ama asnjëri prej tyre nuk ia heq atë të drejtë dhe kaq mjafton për të treguar ndalimin përdorimit të pasurisë së vjedhur apo grabitur kur dihet në veçanti se është e tillë madje për të dëshmon dhe fjala e Allahut: “Dhe bashkëpunoni në të mira dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni në gjynahe e armiqësi.” (Maide: 2)

Sepse përdorimi i pasurisë së vjedhur apo grabitur bëhet shkak për të humbur e drejta e pronarit apo edhe shkak për ti nxitur njerëzit e prishur në punët e tyre të këqija.

Imam Ibn Tejmije ka thënë: “Atë që unë e di se ka vjedhur një pasuri, apo e ka mashtruar atë që ia ka lënë amanet, apo e ka grabitur me forcë prej tjetrit nuk më lejohet ta marr atë pasuri prej tij as si dhuratë, as si këmbim, as si qira, as si çmim i një shitje, as si shlyerje borxhi sepse është pikërisht pasuria e atij që i është bërë padrejtësi.” [6]

Ibn Raxheb El-Hanbelij në shpjegimin e hadithit “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë…..” tregon se Ibn Abdul-Berri dijetari i madh i Andaluzisë ka thënë se për këtë çështje ka Ixhma dhe ndoshta ka për qëllim një citat të tijin në librin El-Istidhkar ku thotë: “Pranimi i dhuratave është mendim i ndërtuar mbi bazën e fikhut dhe të dijes së saktë përderisa nuk e di se ajo në veçanti është haram dhe mundet të jetë haku i tjetërkujt.” [7]

Mundësia e dytë: Është haram për nga mënyra e fitimit si: kamata, lojërat e fatit, muzika, alkooli, ryshfeti, mashtrimi etj.

Kur pasuria është e tillë atëherë nëse ajo përdoret nga fituesi i saj për ti shlyer një borxh tjetrit atëherë ajo pranohet dhe ja çfarë thonë disa prej selefeve:
Sulejman Et-Tejmij tregon: Është pyetur Ibn Sirini për borxhin e shlyer nga pasuria e fituar në kumar dhe ka thënë: Nuk ka gjë. Ndërsa Hasen El-Basriu është pyetur për borxhin e shlyer me para të fituara nga kamata dhe ka thënë nuk ka gjë. [8]
Fjala e tyre [Nuk ka gjë] dmth: për të zotin e borxhit ta pranojë shlyerjen e borxhit në këtë mënyrë sepse borxhliu e mban përgjegjësinë e kumarit apo të kamatës.

Is’hak El-Keusexh thotë e kam pyetur për këtë gjë imam Ahmedin dhe i ka thënë: nuk më pëlqen kjo gjë. Kurse Is’hak bin Rahauejhi i ka thënë si mendimi i Ibn Sirinit dhe Hasen El-Basriut.

E nëse ajo pasuri e fituar haram të ofrohet si ushqim apo dhuratë dhe ti e di atë në veçanti atëherë disa prej selefeve nuk e pranonin dhe ja çfarë thotë:
Sufjani Etheurij thoshte: “Nëse e di në veçanti, mos e prek.” Të njëjtin mendim ndajnë me të edhe imam Zuhriu, Mekhuli, Fudejl Ibn Ijadi siç tregon Ibn Raxheb El-Hanbelij. [9]

Ndërsa kur pasuria e fituar haram është e përzier me pasuri tjetër hallall dhe nuk njihet atëherë ajo pranohet dhe çështja këtu është më e lehtë dhe ja mendimet e disa prej selefëve:

Adij bin Ertat (prijës i Basras në kohën e tabiinëve të mëdhenj) i çonte ushqim Hasan El-Basriut, Shabiut dhe Muhamed bin Sirinit dhe Hasen El-Basriu me Shabiun e pranonin kurse Ibn Sirini e refuzonte. [10]

Shejh Ibn Uthejmini, lidhur me këtë çështje, thoshte:

Ajo gjë që është haram nga ana e fitimit, gjynahu është i atij që e ka fituar dhe jo i atij që e ka marrë prej tij në një mënyrë të lejuar ndryshe kur ajo gjë është në vetvete haram si: alkooli apo gjëja e grabitur etj. Ky mendim është i drejtë dhe i fortë për shkak se Profeti ka blerë prej çifutëve ushqime dhe ka ngrënë mishin e deles të dhuruar nga një çifute në Hajber, i është përgjigjur ftesës së çifutëve ndërkohë që dihet se shumica e tyre hanë prej kamatës dhe harameve dhe ndoshta e forcon këtë mendim edhe fjala e Profetit në lidhje me mishin që iu dha sadaka Berires -radiallahu anha- kur ka thënë: “Ai për të është sadaka dhe për ne dhuratë.”

Allahu e di më së miri.

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

———————

[1] Hakimi dhe Bejhakiu (daif)

[2] Taberani (daif)

[3] Ahmedi dhe Ibn Maxhe

[4] Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiu

[5] Ahmedi dhe Nesaiu

[6] Mexhmua El-Fetaua 29/323

[7] El-Istidhkar: 27-415

[8] Ibn Ebi Shejbe

[9] Xhami’ El-Ulum Uel-Hikem

[10] AbduRrezaku, “Musaneff”

[11] El-Kaul-El-Mufid Sherh Kitabut-Teuhid: 2/352