Pyetja:

A lejohet që femra të përdorë tableta për parandalimin e menstruacioneve me qëllim që të mos i prishet agjërimi?

***

Përgjigjja:

Ndërhyrja për vonimin e menstruacioneve është e lejuar, edhe pse mosndërhyrja është më mirë për shumë shkaqe, e prej tyre përmendim faktin se Allahu xh.sh. u ka caktuar femrave që të kenë menstruacione mujore, prandaj femrat muslimane ashtu siç e bëjnë adhurimin me kryerjen e  namazit, agjërimit e tavafit rreth Qabesë kur janë në gjendje të pastër, po ashtu për ato konsiderohet adhurim edhe mosfalja e namazit, mosagjërimi dhe mosbërja e tavafit rreth Qabesë kur janë me menstruacione, ngase në të dy këto raste ato zbatojnë urdhrat e Allahut, e zbatimi i urdhrave të Allahut është thelbi i adhurimit.

Përdorimi i tabletave për parandalimin e menstruacioneve mund të shkaktojë komplikime dhe çrregullime të shumta shëndetësore, për këtë arsye edhe shumë mjekë nuk e rekomandojnë këtë veprim.

Prandaj ne u rekomandojmë motrave të mos përdorin tableta për parandalimin e menstruacioneve me qëllim të agjërimit të Ramazanit pa ndërprerje, por më mirë është të veprojnë sipas ligjeve të Allahut të përcaktuara për femrat, kurse ditët e paagjëruara t’i kompensojnë më vonë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi