Pyetja:
Unë e fali namazin dhe agjëroj ramazanin, a më pranohet agjërimi edhe pse nuk jam e mbuluar?
***
Përgjigjja:
Motër e nderuar, agjërimi dhe namazi janë obligime fetare-farze të vërtetuara me ajete Kur’anore dhe hadithe të Pejgamberit ﷺ. Çdo besimtar duhet t’i kryej këto dy obligime. Pranimi dhe mospranimi i tyre është çështje e Allahut të Madhërishëm, vetëm Ai vendos kujt i pranohet dhe kujt nuk i pranohet. Nga ana e faktorit njeri, kërkohet që këto adhurime ti kryej me nijet të pastër dhe vetëm për Allah, si dhe t’u përmbahet rregullave për aspektin formal të këtyre adhurimeve. Nëse këto dy kushte i ka të plotësuara, pra nijeti i sinqertë vetëm për Allah, dhe të qenit në përputhje me praktikën e Pejgamberit ﷺ për aspektin formal të tyre, inshallah janë të pranuara.
Pranimi i këtyre adhurimeve nuk mvaret nga mbulesa, d.m.th., nëse këto kushte janë të plotësuara, nuk mvaren nga mbulesa, ashtu që edhe nëse je e pa mbuluar dhe i kryen këto adhurime sipas rregullave, inshallah janë të pranuara.
Por, nuk duhet ta harrosh se edhe mbulesa është farz sikur që është agjërimi dhe namazi. Edhe pse pranimi i këtyre dy të fundit nuk lidhet me të parën, por Allahu është i kënaqur me ty nëse e ven edhe mbulesën. Në rastin tënd i bën dy farze kurse e len një tjetër pa e bërë, gjegjësisht mbulesën. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab: 59)
Me këtë rast, duhet nënvizuar një çështje mjaft me rëndësi: Mosvënia e mbulesës që nuk e ndalon pranimin e agjërimit dhe namazit, ka të bëjë me mosvënien nga neglizhenca, e jo nga mohimi. Nëse nuk vihet mbulesa sepse mohohet se është obligim, atëherë mohohet një e vërtetë fetare që duhet të sqarohet se është e vërtetë, nëse nuk e di, e nëse e di, apo pas sqarimit vazhdon ta mohosh, atëherë të nxjerr prej fesë. Gjegjësisht, pas kësaj, pra nëse ende e mohon se është obligim fetar, nuk vlen asnjë punë që e bën.
Po ashtu, dije se kryerja e obligimeve fetare, si namazi dhe agjërimi, pa mëdyshje reflektojnë edhe në aspekte tjera në kuptim të përmirësimit të veprave të njeriut në drejtim të fesë, gjegjësisht e bëjnë ma fetar. Nëse vazhdon të jetë larg disa obligimeve fetare, kurse i bën tjerat, është diskutabile esenca dhe përkushtimi në kryerjen e obligimeve të tilla. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.” (Ankebut: 45)
Po ashtu, edhe për agjërimin, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)
Me pak fjalë të sqaroj: Devotshmëria është fryt i agjërimit, ashtu që ai që agjëron duhet të bëhet i devotshëm. Ndërkaq, e para çështje në devotshmëri është: zbatimi i farzeve dhe largimi nga haramet. Në këtë rast, edhe vënia e mbulesës.
Megjithatë, ju duhet të vazhdoni me sinqeritet të faleni dhe të agjëroni, dhe dashtë Allahu urgjentisht e veni edhe mbulesën që ta plotësoni devotshmërinë tuaj.
Në fe, shikoni atë që është mbi ju, gjegjësisht atë femër që edhe falet dhe agjëron, edhe është e mbuluar, e jo ta shikosh atë që është nën ju, gjegjësisht atë që nuk ka mbulesë dhe as falet e as agjëron. Krahaso veten me atë që është ma i devotshëm për ta kaluar, e jo me atë që është më larg rregullave të Allahut se ti, për tu kënaqur e të qëndrosh në vend.
Allahu jua pranoftë veprat e mira.
Allahu na forcoftë në Islam.
Dr. Bashkim Aliu