Pyetja:
Kemi dëgjuar për muajin Muharrem një hadith profetik, ku përmendet vlera e agjërimit në të më shumë se në çdo muaj tjetër. Sa e saktë është kjo gjë dhe nëse po, a vlen kjo edhe për adhurimet e tjera apo në këtë muaj ka vlerë vetëm agjërimi?
***
Përgjigjja:
Hadithi është i vërtetë. Bëhet fjalë për hadithin që e përcjell Ebu Hurejre ku Profeti ﷺ ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem dhe namazi më i mirë pas namazit farz është namazi i natës.” [1]
Gjithashtu përcillet nga Profeti ﷺ vlera e madhe që ka agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharrem, ditës së Ashurasë, e cila është dita kur Allahu i Lartësuar shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga faraoni dhe ushtria e tij.
Nga Ebu Katade përcillet se kur e pyetën Profetin ﷺ rreth agjërimit të ditës së Ashurasë ai tha: “Ajo ditë shlyen gjynahet e një viti më parë.” [2]
Përveç vlerës së agjërimit që është përmendur në hadithin profetik vërejmë se aty është përmendur dhe një veçori tjetër ku muaji Muharrem është quajtur ndryshe për të thuhet “muaji i Allahut”. Siç përcillet në hadithet e sakta ky emërtim ka ardhur enkas për muajin Muharrem, çka tregon për vlerën e madhe të këtij muaji. Kjo do të thotë se në këtë muaj edhe adhurimet e tjera kanë vlerë të madhe, edhe pse në hadith është përmendur vlera e madhe e agjërimit në muajin Muharrem në raport me muajt e tjerë. Po ashtu muaji Muharrem është një nga katër muajt e shenjtë (të ndaluar) që janë: Dhul-Ka’de, Dhul-Hixheh, Muharrem dhe Rexheb, ku Allahu i Madhërishëm ka ndaluar rreptësishtë luftën dhe padrejtësitë. Kjo nuk do të thotë se armiqësia dhe padrejtësitë janë të lejuara në muajt e tjerë, por në këto katër muaj ato janë më të rënda. Duke qenë se Allahu i Lartësuar i ka madhëruar këto katër muaj, atëherë edhe adhurimet në to kanë më shumë vlerë se në muajt e tjerë.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë
——————————–
[1] Muslimi
[2] Muslimi