Pyetje: “Kush pi alkool, vetëm se e ka mohuar atë të cilën Allahu ia shpalli pejgamberëve, e kush i jep selam pirësit të alkoolit apo ia shtrëngon dorën, Allahu ia asgjëson veprat e dyzet viteve!” – a është hadith kjo fjalë?!

Përgjigje: Kjo nuk është hadith, gjegjësisht nuk vërtetohet si fjalë e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-. Mirëpo megjithëkëtë, pirja e alkoolit është e ndaluar sipas pajtimit të të gjithë muslimanëve, e cila njëzëshmëri bazohet në Kuran dhe Sunet. Allahu i Madhërishëm, ka thënë: “O besimtarë! Me të vërtetë, vera (pijet alkoolike), bixhozi, statujet dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Pra, për të shpëtuar, largohuni nga këto! Me të vërtetë, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz dëshiron që të fusë në mes jush armiqësi dhe urrejtje dhe t’ju shmangë juve nga të përmendurit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a doni të shmangeni?!”[1]
Njashtu është vërtetuar se i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë: “Çdo lëndë dehëse është e ndaluar”[2], gjithashtu ka thënë: “Ajo që deh në masë të madhe, është e ndaluar edhe në masë të vogël!”[3]
Pra nuk i lejohet njeriut pirja e alkoolit, dhe ky vendim është sipas njëzëshmërisë së të gjithë muslimanëve, bazuar në Kuran dhe Sunet.
Është përcjell në një hadith që bën fjalë për rrezikshmërinë e pirjes se: “Ai që e pi alkoolin në këtë dunja, nuk ka për ta pirë në ahiret edhe nëse hyn në xhenet, përveçse nëse është penduar!”[4].
Kurse sa i përket përshëndetjes së alkoolistit e pijanecit, atëherë për këtë themi se duhet një shqyrtim konciz se a ka dobi të bojkotohet ai individ apo jo, pra nëse bojkotimi është shkak i përmirësimit të tij dhe e çon atë ta lejë alkoolin, në këso raste bojkotimi është i lejuar, porse në qoftë se nuk arrihet kjo, gjegjësisht bojkotimi nuk rezulton me dobi, po madje me efekte negative që e shtyjnë atë edhe më shumë në mëkat, në këtë gjendje nuk duhet bojkotuar.

Shejh Muhamed Salih El-Uthejmin
Nga arabishtja: Mirsim Maliqi