Pyetje:
Si t’i përgjigjemi atij që e mohon dënimin në varr dhe argumenton se po ta hapim ndonjë varr, do të kishim parë se në të nuk ka ndryshuar gjë, nuk ka ndryshuar gjerë, as nuk është zgjeruar e as nuk është ngushtuar?
Përgjigje:
Atij që e mohon dënimin në varr dhe argumenton se po ta hapim ndonjë varr, do të kishim parë se në të nuk ka ndryshuar gjë, i japim disa përgjigje, ja disa prej tyre:
Dënimi në varr është i argumentuar me Sheriat. All-llahu, subhanehu ue teala, për itharët e Faraonit thotë: “Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje, e ditën e Kijametit (u thuhet engjëjve): ‘Ithtarët e Faraonit futini në dënimin më të rëndë!'” (Gafir 46). Po ashtu, Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Po të mos kisha frikë se do t’i ikni varrimit, do ta kisha lutur All-llahun që t’ua mundësojë të dëgjoni atë që unë dëgjoj nga dënimi i njerëzve në varr.” Pastaj u kthye nga shokët e tij dhe tha: “Kërkoni mbrojtje prej All-llahut nga dënimi i varrit.” Ata thanë: “Kërkojmë mbrojtje prej All-llahut nga dënimi i varrit.” Ai tha: “Kërkoni mbrojtje prej All-llahut nga dënimi i varrit.” (Muslimi) (2867)
Po ashtu, Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë për besimtarin: “Atij i zgjerohet varri aq shumë sa mund t’i shikojë syri.” (Bahariu dhe Muslimi). Ka edhe shumë argumente të tjera që e vërtetojnë dënimin në varr, andaj nuk lejohet që ato të lihen anash për një fjalë të pabazë. Detyrim është që ato të besohen dhe të nënshtrohet njeriu ndaj tyre.
Në esencë, dënimi i varrit bëhet mbi shpirtin dhe nuk është gjë që mund ta ndjejnë shqisat e trupit. Po sikur të ishte e ndijshme për trupin, kjo çështje nuk do të ishte prej çështjeve të gajbit dhe besimi në të nuk do të kishte pasur dobi. Por ajo është prej çështjeve të gajbit, ashtu që përjetimet e jetës së varrit nuk mund të krahasohen me përjetimet e kësaj bote.
Dënimi në varr, begatitë, gjerësia dhe ngushtimi i tij mund t’i ndiejë vetëm i vdekuri dhe askush tjetër. Këtë e vërejmë edhe kur dikush sheh ndonjë ëndërr duke qenë në shtrat, mirëpo sheh se është ngritur, ka shkuar, është kthyer, ka rrahur, është rrahur, sheh se është në ndonjë vend të ngushtë e frikësues, apo se gjindet në ndonjë vend të gjerë ku kënaqet. Të gjitha këto ai mund t’i shohë, por ai që është pranë tij nuk mund të shohë asgjë.
Në çështje si kjo, e kemi detyrim të themi: Dëgjuam, respektuam, besuam dhe vërtetuam (e pranuam si të vërtetë).
/Shejh Uthejmini – Kushtet e Fesë/