Pyetja:
Fjala “La ilahe ilallah – Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut” a është përmbledhëse e të gjitha llojeve të Teuhidit?!
***
Përgjigjja:
Po! Fjala “La ilahe ilAllah” përmbledh që të gjitha llojet e Teuhidit. Po e marrim një shembull konkret, në mënyrë që t’i bëhet e qartë pyetësit.
Kur një musliman thotë: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut!”, kuptojmë dhe vërejmë nga fjala e tij se ai ka për qëllim Teuhudin Uluhije (të adhurimit), porse kjo në të njëjtën kohë përmban në vete edhe Teuhudin Rrububije (të zotërimit, të hyjnimit). Pse kështu qëndron çështja?! Ngase askush nuk do të pranonte të adhuronte dikënd, përderisa nuk beson në të qenit e Tij Zot.
Njashtu fjala: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut” ngërthen në vetvete Teuhidin Rrububije dhe të Emrave dhe Cilësive të Allahut (Esma ue Sifat).
Pra, njeriu e adhuron Allahun, atëherë kur të bindet se Ai e meriton t’i kushtohet adhurimi, e që në këtë rast, bindet nëpërmjet Emrave dhe Cilësive të Allahut.
Vini re!
Pikërisht për këtë çështje Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“…Kur i ka thënë babës së tij: “O babai im, përse adhuron atë, që, as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?” (Merjem: 42).
Pra, Teuhidi i adhurimit, njashtu përmban në vetvete edhe Teuhidin Rububije dhe të Emrave e të Cilësive të Allahut.
Shejh Ibn Uthejmin
Përktheu: Suad B. Shabani