Pyetja:

Si mbetet gjendja e atyre muslimanëve që e njollosin besimin me besëtytni?

***

Përgjigjja:

Edhe pse besimtarët besojnë në Allahun e Lartësuar, ata ndodh që ta njollosin besimin e tyre me besëtytni të ndryshme dhe kjo ndodh si rezultat i padijes së tyre, mosnjohjes së akides, rregullave të besimit islam të bazuara në njësimin e Allahut të Madhëruar. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Shumica që i besojnë Allahut, i bëjnë shirk (i shoqërojnë Atij shok).” (Jusuf: 106); pra, ka prej atyre që e kanë ditur se Allahu është Zoti, Krijuesi i gjithësisë, por megjithatë u kanë besuar idhujve.
Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Nëse ti i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt e tokën, kush i nënshtroi (të lëvizin) diellin dhe hënën?” Ata do të thonë: “Allahu!” (Ankebut: 61) mirëpo Adhurojnë tjetërkënd. Ata thoshin: “…Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut…” (Zumer: 3) Këta e kanë besuar Allahun, por adhurojnë dikë tjetër. Kështu ngjashëm është halli i atyre, që edhe pse deklarohen si besimtarë, por besojnë në disa besëtytni si për shembull, rrëzohet fëmija dhe i thonë fëmijës “pështy në vendin ku je rrëzuar se do të rritesh”; kur e vesh rrobën mbrapsht, thotë “do të gëzohem”; nëse i pret udhën ndonjë mace (e zezë) kthehet mbrapsht, duke menduar se mund t’i ndodhë ndonjë gjë e keqe. Të gjithë këto vepra janë nga besëtytnitë, gjegjësisht shirk. Mirëpo na duhet të përmendim këtu se ky lloj shirku është nga shirku i vogël me të cilin nuk del nga feja, por megjithatë është shirk, besëkotësi dhe janë nga njollat (mëkatet) më të këqija, që e njollosin shpirtin.

albislam.com