Pyetja:
Nëse të ik namazi i sabahut duke bërë sebepet p.sh., alarmin ose pret që të zgjohesh nga ezani por nuk e dëgjon asnjëren prej tyre ose e dëgjon por nga lodhja që ke të nxenë gjumi prapë. Në këtë rast sa kam gjynah dhe a duhet ta falim si del gjumi i parë apo kemi kohë deri para drekës ose mbas drekës?
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut , falënderimet më të veçanta për Allahun e Lartësuar, paqja, shpëtimi dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhammedin ﷺ, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Kijametit.
Allahu e di më së miri se sa ke gjynah. Nëse ndodh kjo rrallë herë, s’ka problem në qoftë se i merr shkaqet gjithmonë dhe nuk bëhet diçka e zakonshme tek ti, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Frikësohuni Allahut aq sa keni mundësi…” (Tegabun, 16)
Sidoqoftë, ti pendohu tek Allahu i Madhëruar dhe jepi rëndësi të flesh herët gjumë pas namazit të jacisë dhe mos rri shumë natën, sepse shumë njerëz u ikën namazi i sabahut për shkak të qëndrimit natën pa gjumë deri vonë.
Duhet ta falësh namazin menjëherë sapo të zgjohesh, sepse kryerja e farzit të Allahut është detyrë të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur, nuk lejohet vonimi i tij pa arsye se nuk e dimë se a do ta arrijmë drekën a po jo.
Transmetohet nga Enes (radijellahu anhu), nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Kush harron ndonjë namaz, le ta falë atë kur t’i kujtohet, nuk e shlyen atë (gjynah) veçse kështu (në këtë mënyrë).” [1]
Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe fale rregullisht namazin për Përkujtimin Tim.” (Ta Ha, 14)
Është pyetur ”Lexhnetud Daime” (Komisioni i Përhershëm për Fetva):
Si është rregulli i faljes kaza të namazeve të sabahut, drekës dhe ikindisë kur njeriu i kujton se ai nuk i ka falur?
”Falja kaza e namazeve të humbura është detyrë të kryhen menjëherë dhe të kryhen sipas radhës që i ka bërë Allahu obligim, pra e falë sabahun, pastaj fal drekën, pastaj namazin e ikindisë.”
“Fetava EL Lexhnetud Daime, vëll. 6, fq. 159 , fetava nr. 8708
Ebu Bilal – Sadik Ukperaj
———————————
[1] Buhariu
Comments are closed.