Pyetja:

A është obligim pasimi i një medh’hebi të caktuar?

***

Përgjigjja:

E vërteta përsa i përket çështjes së pasimit të medh’hebit është ajo që thonë shumë prej hulumtuesve (dijetarëve): “I lejohet muslimanit që t’i adresohet njërit prej katër medh’hebeve. Porse ky (adresimi një medh’hebit) nuk është obligim për të.”

I lejohet muslimanit t’i adresohet një prej medh’hebeve të njohura. Adresimi tek një prej medh’hebeve të njohura, lejohet. E për këtë gjë ai nuk qortohet. Por ai nuk e ka detyrë që patjetër duhet t’i adresohet një medh’hebi.

I lejohet muslimanit t’i adresohet një medh’hebi e po ashtu i lejohet atij që mos t’i adresohet ndonjë medh’hebi.

Ndërsa fanatizmi pas medh’hebit deri në atë pikë sa të kundërshtohet e vërteta për shkak të medh’hebit, kjo është e ndaluar (haram). Një gjë e tillë kurrë nuk lejohet.

Përkundrazi ne themi: I lejohet muslimanit që të marrë fjalën e çdo dijetari prej dijetarëve muslimanë nëse fjala e tij është e bazuar në argument. Por që t’i detyrojmë njerëzit të kapen pas një medh’hebi të caktuar dhe se nuk lejohet dalja nga medh’hebi, kjo nuk lejohet. Obligimi për të ndjekur një medh’heb të caktuar nuk lejohet, porse (ndjekja e mehd’hebit) është e lejuar dhe nuk është detyrë (vaxhib).

Nuk lejohet fanatizmi pas një medh’hebi.

Përse? Sepse nuk ka ndonjë argument që tregon për obligueshmërinë e saj. Prandaj nuk lejohet që t’i detyrojmë njerëzit me diçka, për të cilën s’ka argument.

Po ashtu kjo nuk ka qenë obligim para katër imamëve. E si mund të jetë obligim pas tyre?! Kjo nuk ka qenë obligim në fillim të umetit (te sahabët), e si mund të jetë obliglim për të mëvonshmit e këtij umeti?!

Legjislacioni Islam është një. Nuk ka ardhur ndonjë legjislacion i ri pas katër imamëve. Derisa adresimi te një medh’heb nuk ka qenë pa pikë dyshimi obligim para katër imamëve, po ashtu nuk është obligim edhe pas katër imamëve.

Gjithashtu nëse do ishte obligim kapja pas një medh’hebi, atëherë medh’hebi i sahabëve do ishte më parësori dhe më meritori sesa medh’hebi i atyre më pas.

Nuk ka njeri që mund të thotë se sahabët nuk kanë “mesail-çështje akademike në fikh.” Sahabët kanë shumë çështje fik’hore.

Kush lexon vetëm “Musanefin” e Abdurrazakut dhe “Musanefin” e Ibën Ebi Shejbeh do të gjejë një thesar (pasuri) me çështje fik’hore madhore nga sahabët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Ne nuk kemi asnjë dyshim se pasimi i Ibën Abasit është më parësor dhe meritor sesa pasimi i katër imamëve. Por -megjithë këtë- askush nga dijetarët nuk thotë se “pasimi i një sahabiu të veçantë (në të gjitha çështjet) është obligim.”

Derisa është kështu për sahabët, atëherë nuk është obligim pasimi i çdo kujt tjetër pas tyre (sahabëve) e që janë më poshtë në dije sesa sahabët, edhe nëse janë dijetarë dhe njerëz të devotshëm.

Allahu e di më së miri!

Shejh Sulejman er-Ruhajli

Përktheu: Unejs Sheme