Pyetja:

A lejohet zhvarrosja e trupit të atij që ka vdekur?

***

Përgjigjja:

Nuk lejohet zhvarrosja e trupit vetëm se për ndonjë arsye të fortë. Shejh Albani ka thënë: “Lejohet nxjerrja e të vdekurit nga varri për arsye të fortë si për shembull nëse varroset para larjes dhe qefinosjes apo raste të ngjashme.”

Transmetohet nga Xhabir bin Abdullahi se ka thënë: “Erdhi Profeti ﷺ tek Abdullah bin Ubej pasi që u varros dhe e nxori atë, ai i fryu atij nga pështyma e tij dhe i veshi këmishën e tij.” [1]

Si duket kjo ka qenë para zbritjes së fjalës së Allahut të madhëruar: “(Mos u fal për ndonjërin prej tyre kur vdes kurrë dhe mos qëndro në varrin e tij).”

Buhariu ka thënë: Çështja: A nxirret i vdekuri nga varri dhe lehdi për ndonjë arsye? Pastaj ka përmendur hadithin e Xhabir bin Abdullahit -radiallahu anhuma- i cili ka thënë: “Kur ishte lufta e uhudit, më thirri babai im natën dhe më tha: Nuk e shoh veten vetëm se të vrarë dhe nga të parët që do të vriten nga shokët e Profetit ﷺ dhe unë nuk lë gjë pas më të çmuar se ty përveç Profetit ﷺ, unë kam borxh, shlyeje atë dhe sillu mirë me motrat e tua. Të nesërmen ishte i vrari i parë, me të u varros edhe një tjetër në varr, pastaj nuk ndihesha rehat ta lija atë me një tjetër në varr. E nxora atë pas gjashtë muajsh dhe e gjeta si ditën që e kisha vendosur aty me një ndryshim të vogël përveç veshit të tij.”

Në librin El-Eleusat: “Kanë rënë në kundërshtim dijetarët në lidhje me zhvarrosjen e atij që është varrosur pa u larë; kanë thënë shumica e dijetarëve: Nxirret dhe lahet. Kështu ka thënë Maliku, Theuriu, Shafiu, vetëm se Maliku ka thënë: Përderisa nuk ka ndryshuar.

Kanë thënë hanefitë: Nëse vendoset në lehd pa u larë dhe pa ia hedhur dheun, nxirret, lahet dhe i falet namazi, ndërsa nëse i kanë vendosur tullat (ose dërrasat) e varrit dhe i kanë hedhur varrin nuk duhet ta nxjerrin të vdekurin nga varri i tij.

Ka thënë Ebu Bekri (Ibën Mundhir): Nxirret dhe lahet përderisa nuk ka ndryshuar siç ka thënë Maliku”.

Dhe mua me fjalët e Malikut dhe Ebu Bekrit më qetësohet zemra.

Ka thënë Ibën Hazmi tek çështja: “Kush nuk lahet dhe nuk i falet xhenazja derisa varroset duhet të nxirret, të lahet e qefinoset me patjetër.”

U pyet për njerëz që kanë varreza [2] në njëvend larg. Vritet një njeri dhe ndërtojnë një varrezë tjetër, a lejohet zhvendosja e tyre në varrezat e reja apo jo?

Tha: Nuk zhvarroset i vdekuri për shkakun që u përmend dhe Allahu e di më së miri.”

Po të hapet varri dhe aty gjen kockat e mbetura të vdekurit, a e ndërpret hapjen e varrit?

Ai tha: Unë këtë them. E pyeta atë: A lejohet gërmimi i varrit për të nxjerrë pasuri që është lënë në varr?  Ai tha: Po. E pyeta atë: Nëse trupi i të vdekurit bëhet dhe, a mund të përdoret vendi për të mbjellë apo për gjë tjetër?

Ai u përgjigj: Kjo mund të ndodh në një tokë të shkretë ku është varrosur një i vdekur pastaj ky i vdekur është bërë dhe, në këtë rast të rrallë po. Nëse pyetja është për një të vdekur të caktuar në këtë rast të veçantë, përgjigjja është që lejohet. Por nëse varri është në varreza atëherë gjykimi ndryshon tërësisht. Me këtë përcaktim lejohet përndryshe jo. I thashë: Po nëse e gjitha varreza është bërë dhe, a mund të përdoret ai vend?

Ai tha: Atëherë çështja merr përmasa të tjera. Varret në përgjithësi janë vakëf për të vdekurit e myslimanëve, në kuptimin që tokën e varrezave nuk e posedon njeri, nuk mund ta blejë njeri sepse nuk ka pronar. Nga gabimet që janë përhapur është shitja e varreve! Kush është pronari i tyre? Përdorja e tokës së varrezave pasi njerëzit aty janë tretur, nuk transmetohet lejimi apo ndalimi i saj nga ky prizëm. Po të thuhej se kjo varrezë është familjare (për një familje të veçantë), kjo tokë është pronë e tyre; nëse të vdekurit bëhen dhe, ata mund ta shfrytëzojnë atë për ndërtim shtëpie ose kopsht sepse ajo është pronë e tyre.

Këtu ka dy kushte: që të vdekurit të jenë tretur dhe toka të jetë e pronësuar.

Kam pyetur shejhun tonë për hadithin e Xhabir bin Abdullahit -radiallahu anhu- i cili ka thënë: “Erdhi Profeti ﷺ tek Abdullah bin Ubej pasi u fut në varr, ai urdhëroi që të nxirrej, u vendos në dy gjunjët e tij, ai i fryu nga pështyma e tij dhe Allahu e di më së miri” [3] a përfitojmë nga kjo lejimin e nxjerrjes së të vdekurit?

Ai tha: A është i paprishur?  Unë i thashë: Sapo është varrosur.

Ai tha: Po lejohet. I thashë: Kjo lidhet me tretjen e trupit apo mostretjen e tij?

Ai tha: Po. Njëri nga vëllezërit tha: A lejohet zhvarrosja për shkaqe të tilla? Ai tha: Lejohet nëse mendon se trupi nuk është prishur.

Pyeta shejhun tonë: A mund të zhvendosen kockat mënjanë për të varrosur një tjetër të vdekur?  Ai tha: Kjo mund të bëhet nëse ngushtohet vendi i varrezave.

Husejn el Auajsheh, “Enciklopedia e thjeshtuar e Fikhut”

Përktheu: Teuta Xeka

—————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Fjala duhet të jetë për varreza familjare

[3] Buhariu