Pyetja:
Cila është vlera e diturisë, sipas ajeteve kuranore?
***
Përgjigjja:
Ajetet:
”Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët.” (Fatir: 28)
”Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë. Po vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (Zumer: 9)
”Thuaj: A është i barabartë i verbëri me atë që sheh, ose a janë të njëjta errësira me dritën.” (Rra’d: 16)
”Shembulli i gjendjes së këtyre dy grupeve është (i atyre që nuk besuan) si i verbëri dhe i shurdhëti dhe (i atyre që besuan) si ai që sheh dhe dëgjon. A janë në pozitë të barabartë? A nuk përkujtoni?! (Hud: 24)
“A është më i udhëzuar ai që ecën i përmbysur me fytyrë në tokë, apo ai që ecën në pozicion qëndrues rrugës së drejtë.” (Mulk: 22)
”Nuk janë të barabartë i verbëri dhe ai që sheh. Dhe as errësirat me dritat. E as hija me vapën. E nuk janë të njëjtë as të gjallit me të vdekurit.” (Fatir: 19–22)
”O ju që besuat, kur t’ju thuhet: zgjerohuni (bëni vend) në vend ndeje, zgjerohuni se Allahu bën zgjerim për ju, e kur t’ju thuhet: ngrihuni! Atëherë ju ngrihuni, Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.”
(Muxhadele: 11)
”A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpallë ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.” (Rra’d: 19)
”Dhe këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve.” (Ankebut: 43)
Hadithet:
Transmetohet nga Ebu Uakid el Lejthiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ ishte në xhami erdhën tre persona, dy erdhën tek Pejgamberi ﷺ kurse njëri prej tyre vërejti një vend të lirë në mesin e atyre që dëgjonin dhe u ul aty, ndërsa tjetri u ul mbrapa tyre, i treti ktheu shpinën prapa shkoi (lëshoi- doli nga mexhlisi dhe xhamia). Pasi që Pejgamberi ﷺ përfundoi atë që ishte duke u thënë (ligjëruar) shokëve të tij, tha: “A dëshironi t’ju tregoj (t’ua sqaroj punën e tre personave): Sa i përket të parit ai u strehua tek Allahu dhe Allahu e strehoi atë. I dyti prej tyre u turpërua nga Allahu dhe Allahu u tërpërua nga ai. Kurse i treti ia ktheu shpinën Allahut dhe Allahu ia ktheu shpinën atij (e la të vetmuar, largoi përkujdesjen ndaj tij, u denoncua prej tij). [1]
Transmetohet nga Muavije (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Kujt ia dëshiron të mirën Allahu, atëherë Allahu ia mundëson atij mësimin dhe kuptimin e fesë.” [2]
Transmetohet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ”Nëse vdesë biri i Ademit, atëherë (nga ai moment) atij do t’i ndërpriten të gjitha veprat, përpos (me përjashtim) tre veprave: Lëmosha e cila nuk ndërprehet (rrjedhëse, e vazhdueshme) ose diturisë prej të cilës ka dobi (përfitojnë të tjerët) dhe nëse ka lënë një fëmijë të mirë i cili lutet për të.” [3]
Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ”Llojet i diturisë janë dy: Dituria e cila është në zemër e kjo është dituri e vyeshme dhe dituria e cila është vetëm në gjuhë e kjo dituri është argument për Allahun kundë birit të Ademit.” [4]
Transmetohet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ”Kush ia largon besimtarit një brengë nga brengat e kësaj bote, Allahu do t’ia largojë një brengë nga brengat e botës tjetër (ditës së gjykimit). Kush ia lehtëson (borxhin) atij që ka nevojë (është në vështirësi), Allahu do t’ia lehtësoj atij në dynja dhe ahiret. Kush ia mbulon të metat muslimanit, Allahu do t’ia mbuloj të metat atij në dynja dhe ahiret. Allahu do të jetë në ndihmë të robit të Tij, përderisa robi i Tij është në ndihmë (i ndihmon, ia zgjat dorën) të vëllait të tij. Kush ndjekë një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu atij do t’ia lehtësoj rrugën për në Xhenet. Çdoherë që tubohen njerëzit në njërën nga shtëpitë e Allahut, e lexojnë dhe mësojnë leximin e Kur’anit mes tyre e që mos t’i rrethojnë këta melaiket. Mbi ta zbret qetësia dhe kaplon mëshira si dhe i përmend Allahu tek ata që janë tek Ai. Kë e lenë mbrapa vepra e tij nuk e avancon përpara prejardhja e tij.” [5]
Muhamed Ahmed el Adeui
Përktheu: Suad B. Shabani
———————————-
[1] Buhariu: 66, Muslimi: 2176, Tirmidhiu: 2723
[2] Buhariu: 71, Muslimi: 1037
[3] Muslimi: 1631
[4] Hatib el Bagdadi
[5] Muslimi: 2699