Pyetja:
Si shërohet vetëpëlqimi?
***
Përgjigjja:
Vetëpëlqimi është, që të kryejë njeriu një adhurim, pastaj ndien në vetvete mburrje dhe krenari kundrejt njerëzve. I duket vetja më i mirë se të tjerët. Dhe i pëlqen puna e tij. (Mahnitet me të!) Dhe ky i mjerë nuk e di a e ka pranuar Allahu prej tij apo jo!
Na ka rrëfyer Profeti ﷺ se një njeri adhurues pa një gjynahqar që ishte penduar, dhe tha për të: “Allahu nuk e pranon këtë.” – Atëherë i shpall Allahu Profetit të asaj kohe: “Thuaji atij (adhuruesit që tha atë fjalë): Allahu e pranoi atë dhe e shkatërroi punën (adhurimin) tënd”!
Kështu vetëpëlqimi përmban tejkalim ndaj Allahut. Vetëpëlqimi përmban mungesë turpi prej Allahut. Dijetarët tanë thonë se shkaku i vetëpëlqimit është: Të shikosh njëpasnjëshmërinë e mirësive të Allahut mbi ty dhe shumësinë e tyre, pastaj të shikosh falenderimin e pakët prej teje. Shikon punën tënde dhe të duket shumë pak në krahasim me madhësinë e mirësive. Kjo sjell turpërimin prej Allahut. Dhe kur lind turpi prej Allahut, atëherë vetëpëlqimi largohet!
Pra shkaku i vetëpëlqimit është mos pasja turp prej Allahut. Dikush prej selefëve thoshte: “Që të fle tërë natën dhe të zgjohem i penduar, është më e dashur për mua se sa të falem tërë natën dhe të ngrihem vetëpëlqyes”.
Ai që fle tërë natën dhe zgjohet në mëngjes pishman (i mbushur me keqardhje) se përse nuk arriti të falë namaz nate, është më i mirë se ai që falet tërë natën dhe kur zgjohet në mëngjes i shikon njerëzit me përçmim. Sikur ai është adhuruesi (i madh) dhe ata janë të mangëtit (në adhurim).
Prandaj vëllezër prej shkaqeve që largojnë vetëpëlqimin është edhe: Mendimi i mirë për njerëzit. (Shën. Përkth.: Ku e di të që edhe ata nuk janë falur si ti!? Sepse namazi i natës është i fshehtë) Njëri prej dijetarëve duke folur për mendimin e mirë për njerëzit, arriti deri aty sa tha: “Nëse shikon një njeri që bën një gjynah, pastaj ai largohet prej teje, është detyrë për ty që të mendosh mirë për të dhe të thuash: Është penduar nga gjynahu i tij”!
Kush është vetëpëlqyes? Ai që gjurmon gabimet e njerëzve. Disa njerëz e kanë metodologji në jetë: të gjurmojnë gabimet e njerëzve dhe të harrojnë të tyret. Shumë prej selefëve (dijetarëve të parë) thoshin: “Angazhimi me rregullimin e gabimeve të mia, më bën të harroj gabimet e të tjerëve”. Unë jam i angazhuar me gjendjen time, me gabimet e mia, çmë duhet mua të merrem me njerëzit!
Prandaj Profeti ﷺ thotë: “Shikon ndonjëri prej jush sklepën* te syri i tjetrit dhe harron trungun që ka në syrin e tij”! Ky nuk është i logjikshëm. I logjikshëm është ai që shikon të metat e tija dhe përpiqet t’i përmirësojë ato dhe nuk merret me të tjerët.
Allahu i Lartësuar e di më së miri.
*Papastërti të vogla që formohen në cep të syrit, sidomos kur ngrihet nga gjumi në mëngjes.
Shejh Ibn Baz
Përktheu: Unejs Sheme