Pyetja:
Jam e martuar që tri vite e kam shumë një burrë të mirë, po nganjëherë po gaboj në ndonjë llafe e ai po lëndohet shumë. Ç’ka mund të bëj që të mos ketë mosmarrëveshje tek ne?
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit dhe Krijuesit të botëve, të Gjithëfuqishmit, të Gjithëpushtetshmit, të Vetmit që i takon adhurimi.
Bekimet dhe begatitë e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin ﷺ, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën e tij, dhe shokëve të tij deri në ditën e gjykimit.
E nderuar motër muslimane!
Allahu i Lartësuar kur e krijoi Ademin, krijoi nga brinja e tij (Ademit) bashkëshorten e tij (Havanë) dhe vendosi ndërmjet tyre dashuri, afrimitet dhe mëshirë, dhe e beri këtë traditë të pasardhësve të Ademit që të vazhdojë jeta njerëzore. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21)
“Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” (Bekare, 187)
Dhe Allahu i dha autoritet dhe përgjegjësi burrit në drejtimin e familjes dhe e bëri atë përgjegjësin kryesor që ta drejtojë këtë familje nga më e mira. Thotë Allahu i Lartësuar: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre…” (Nisa: 34) Dhe i urdhëron burrat që të kalojnë jetë të mirë me gratë e tyre kur thotë: “… çoni jetë të mirë me to (gratë)…” (Nisa, 19)
Nga ajo që na tregon ti motër, kuptohet që Allahu të ka dhënë ty një burrë të mirë dhe të dashur dhe falënderimet për këtë janë vetëm të Atij (Allahut) që ju ka bashkuar me një burrë të mire, por dalin disa pengesa mund t’i quajmë nga ana juaj që nuk do ta lerë këtë martesë që të shkojë mirë, dhe nganjëherë bëhet shkak për largimin e së mirës personi që i është dhënë kjo e mirë, siç jeni ju në këtë rast. Por unë do t’ju jap disa këshilla që nëse do t’i zbatosh do të jesh grua e lumtur, në dashtë Allahu.
Ti duhet t’i jesh mirënjohëse Allahut që të ka dhënë mundësinë e martesës dhe nuk duhet të jesh shkak për prishjen e saj, se sa nga vajzat janë bërë shkak për ndarje dhe kanë ngel në shtëpitë e tyre vejusha dhe me probleme me familjen, ku gjithmonë ia kujtojnë ndarjen, qofshin ata vëllezërit apo kunatat, pastaj janë penduar shumë, por nuk ju ka bërë dobi, se burri juaj është martuar dhe askush nuk e kërkon për martesë, saqë shumë prej tyre thonë: “Ah sikur të kemi një burrë qoftë edhe plak do ishim të lumtura vetëm të iknim nga shtëpia vëllait”. Unë i kam dëgjuar vetë këto thënie kur më kërkojnë rrugëzgjidhje, prandaj mos u bej shkak për largimin e niametit (mirësisë), se djemtë e sotëm nuk durojnë shumë sado të mirë dhe të urtë qofshin, se çdo gjë ka kufi dhe po u mbush derdhet kupa.
Motër, duhet të kesh parasysh se bindja jote ndaj burrit është obligim. Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e kanë urdhëruar këtë, saqë Muhamedi alejhi selam në një hadith ka thënë: “Po ta kisha urdhëruar dikë që t’i bëjë sexhde dikujt, do ta kisha urdhëruar gruan që t’i bëjë sexhde burrit të saj!” [1]
Pra, për rëndësinë e madhe që ka burri po t’u lejonte që t’i bëhej sexhde dikujt përveç Allahut, do të kishte urdhëruar gruan të bënte sexhde për burrin e saj dhe kjo për mirësinë që ai i bën asaj. Pra, gruaja duhet t’i bindet burrit në çdo gjë që nuk është në kundërshtim me Allahun dhe nëse është në kundërshtim me Allahun nuk ka bindje për të, siç thotë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Nuk ka bindje për dikë që urdhëron kundërshtimin e Allahut.”
Motër e nderuar! Ne burrat kënaqemi me pak dhe jo si ju gratë që keni shumë kërkesa. Ne duam vetëm pak dhe i mbajmë gratë tona në pëllëmbë të dorës dhe ju japim çfarë të duan, por habitem si ju gratë nuk e zbuloni këtë gjë, ose nuk doni ta bëni ketë.
Kur të ngriheni për namazin e sabahut dhe të faleni, ti shpejto për t’i përgatitur mëngjesin, qoftë edhe një kafe, para se të dalë për punë, (se shumë nga gratë nuk ia bëjnë këtë gjë burrave të tyre përveç nëse ai ia kërkon disa herë dhe ngrihet me njëqind fjalë) e kur të ikë thuaj atij fjalë të ëmbla si: “Allahu të ruajt, i dashur, dhe të ktheftë shëndoshë e mirë në gjirin tonë!” Dhe kur është në punë mundet që ta marrësh në telefon e ta pyesësh: si ia kalon me punë, a po lodhet etj., dhe thuaj fjalë të ëmbla intime, mundet që nganjëherë ti dërgosh edhe sms me tekst: “I dashur, të dua shumë dhe po të pres!” Ose të ngjashme dhe kjo nuk kushton asgjë nga lekët, por ti ia shton dashurinë dhe respektin shumë burrit tënd, dhe ia fiton zemrën.
Dhe kur të kthehet nga puna, të gjej ty të veshur me rrobat më të mira që ka dhe të parfumosur dhe jo me rroba që mbajnë erë kuzhine e djersë dhe as me flokë të shkatërruar se, për çudi, një pjesë e mirë e grave vishen e lyhen e parfumohen kur dalin nga shtëpia për botën (dhe i Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar që gruaja të dalë e parfumosur në rrugë dhe e ka quajtur këtë lavire, kush parfumoset dhe ia dëgjon erën e parfumit burrë tjetër) dhe kur kthehen menjëherë i heqin dhe veshin rrobat më të pavlera. Dhe dil e prite tek dera e shtëpisë dhe thuaj fjalë të mira, si p.sh.: A u lodhe? Shyqyr që Allahu të ktheu shëndoshë e mirë etj…, dhe merre përdore e pse jo përqafoje (dhe nëse ke të tjerë në shtëpi tërhiqe me marifet për në dhomën e gjumit që e ke sistemuar e parfumosur dhe përqafoje) e shtroja dreken e shijshme qe ia ke përgatitur dhe mos u bëj nga ata gra që e kalojnë kohën para TV me filma e komedi dhe kur vjen burri, as nuk ngrihen për ta pritur se i ikën ndojë pjesë dhe as nuk ia kanë përgatitur drekën se nuk kanë pasur kohë. E si do t’i shtohet dashuria për gruan? E pastaj fillojnë problemet… Dhe kush është fajtori?
Motër, kur të ftojë burri për në shtrat mos e kundërshto asnjëherë edhe nëse nuk je në gjendje, bindu se i Dërguari i Allahut Muhamedi ﷺ ka thënë: “Nëse një burrë e thërret gruan e tij në shtrat dhe ajo refuzon dhe Ai fle i hidhëruar, atë grua do ta mallkojnë melaqet deri në agim!” [2] Pra, përgjigju atij që të kënaqësh Allahun, dhe të shpëtosh nga mallkimi i melaikeve, se shumë burra ankohen për këtë dhe ndodhin probleme mes bashkëshortëve, ose ndahen, ose burri nëse është me iman të dobët shkon në haram e zë dashnore dhe ti je shkaku i kësaj gjëje. Allahu të ka bërë ty prehje dhe rehati për të. “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” (Bekare, 187)
Për rëndësinë që ka përgjigja e thirrjes në shtrat, i Dërguari i Allahut ﷺ ia ka ndaluar gruas edhe agjërimin e nafileve pa lejen e burrit kur ai është në shtëpi. Transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte: “Gruas nuk i është lejuar të agjërojë nafile në prezencën e burrit të saj, pa lejen e tij!” [3]
Për çudi shumë gra shkojnë në shtrat shumë vonë për shkak të ndjekjes së filmave. Dhe burrin e shkretë e ka zënë gjumi nga lodhja dhe zbatohet mbi ta hadithi.
Motër! Burri ka edhe prindër dhe mund të jetosh së bashku me ta se janë prindërit e tij. Asnjëherë mos u bej shkak për t’u acaruar me burrin për shkak tyre dhe mos u acaro ndaj prindërve, që të jesh shkak të ankohen tek djali i tyre, se ata e duan një vend siç do të kesh nevojë edhe ti kur të plakesh, por shërbeju me sa ke mundësi dhe me fjalë të mira, sa të jenë tek ti që të marrësh shpërblime tek Allahu dhe bëje ketë për hir të Allahut, që ta bëjnë edhe ty këtë shpërblim nuset e çunave dhe duke respektuar prindërit e burrit fiton kënaqësinë e tij.
Gjithashtu, mos fut në shtëpi kush të troket në derë dhe burri nuk i do, ose të ka ndaluar t’jua hapesh derën kur nuk është aty, se kjo e acaron atë dhe kjo është nga feja jonë. Ka thënë i Dërguari Allahut ﷺ: “I ndalohet që të lëshojë në shtëpi dikë pa lejen e burrit.” Por, kur dikush vjen për vizite dhe burri juaj nuk ndodhet në shtëpi, thuaj që të vijë më vonë, kur të kthehet burri dhe kjo nuk është turp për ty, përkundrazi është nder për ty që të mos fusësh në shtëpi çdo lloj njeriu, se shumë vijnë për vizitë dhe kur futen e gjejnë ambient, shejtani bëhet i treti dhe i shtyn për imoralitet.
Gjithmonë, ji mirënjohëse për të mirat që të bën dhe kur nuk ta plotëson dëshirën për diçka, mos ia moho të mirat e shumta që të ka bërë, se kjo të ve ty në rrezik si me burrin edhe me Allahun, se i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë në hadithin që transmetojnë Abdullah ibën Abbasi dhe Imran ibën Husajn: “Më është paraqitur xhehenemi dhe pashë se gratë janë banore të shumta të atij vendi, sepse fshehin të vërtetën. Dhe e pyetën: ‘A fshehin besimin në Allahun?’ Muhammedi ﷺ iu përgjigj: ‘Ato fshehin bamirësinë e burrave, janë jo falënderuese në bamirësi. Po ti bëni mirë tërë jetën dhe nëse vëren te ju diçka jo të mirë, do të thotë: ‘Nuk kam parë prej teje kurrë të mira!’” [4]
Asnjëherë mos i nxirr sekretet e shtëpisë tek të tjerët dhe sidomos te prindërit e tu, se kjo mund të përbëjë rrezik në marrëdhëniet tuaja. Unë di një rast që kjo ka qenë shkak për ndarjen ndërmjet tyre.
Kur të acaroheni, mundohu që ta zbusësh me fjalë të ëmbla dhe nganjëherë heshtja është më e mirë, por asnjëherë mos e ngri zërin para tij, se në nerva e sipër mund të të qëllojë ose të thotë “je e ndarë”, dhe po e tha 3 herë (jo në të njëjtën kohë) këtë shprehje nuk të lejohet qëndrimi me të. Dhe mos e ngri dorën kundra tij siç bëjnë disa gra.
Mundohu që ta përdoresh fjalën “Me fal” shpesh kur gabon me diçka dhe mos ki turp për këtë se fjala me fal zbut zemërimin.
Mundohu të krijosh gjithmonë ambient gazmor për të, që të gëzohet kur është me ty dhe dëgjoje me respekt kur flet dhe kur të flasësh mos fol gjëra pa vend dhe gjëra që të dëmtojnë dhe asnjëherë mos i trego asgjë nga e shkuara jote nëse ke diçka nga gabimet, edhe nëse ta kërkon, se mund të beje rrezik për acarimin ndërmjet jush dhe ndarje. Unë di që njeri e ka ndarë gruan mbas 20 vjet martese, se një ditë i ka treguar që kur ka qenë para martese ka pas lidhje me një djalë.
Mundohu që ta ftosh për të dalë në natyrë mbasi ke përgatitur ushqimet që do hani atje, se kjo ndryshon shumë nga marrëdhëniet tuaja dhe bëja këtë gjë sidomos kur diçka nuk shkon mirë mes jush.
Mundohu të zbulosh tek burri juaj çfarë i pëlqen më shumë atij dhe t’ia plotësosh shpesh dhe ti je ajo që jeton me te dhe ke mundësi me përdor shumë mënyra e rrugë të mira në forcimin e marrëdhënieve bashkëshortore dhe me kryesorja t’i frikësohesh Allahut ne çdo kohe, kudo që je, se Ai të shikon dhe di çdo gjë për ty, edhe nëse nuk të sheh dikush nga njerëzit, shto nga lutjet se lutjet zbusin edhe zemrat me të ashpra, fali namazet në kohë dhe lutu në sexhde se aty ti je më afër me Allahun dhe çfarë t’i kërkosh të realizohet inshalla. Lexo nga librat me histori të nënave të besimtarëve (gratë e të Dërguarit të Allahut ﷺ) se ato janë shembulli më i mirë, histori për gratë e sahabeve, e motrave muslimane, lexo Kuranin dhe komentet e tij që të kuptosh çfarë të urdhëron e çfarë të ndalon Allahu, që të jesh në zbatim të tyre dhe kush është me Allahun nuk ka kush e humb. Shto nga kërkimi i faljes fjalën “estagfirullah” se kush shpeshton nga kjo fjalë, Allahu e nxjerr nga çdo vështirësi dhe e furnizon nga nuk ia pret mendja.
Mënyrat janë të shumta. Këto ishin disa këshilla dhe më falni për zgjatjen, por që t’i jepja diçka më të qartë.
Dhe falënderimet janë vetëm për Allahun e paqja e Tij qoftë mbi të Dërguarin e Tij alejhi selam. Allahu na ndihmoftë dhe Ai është më i Dituri.
Murat Basha
—————————–
[1] Tirmidhiu
[2] Buhariu
[3] Buhariu
[4] Buhariu