Pyetja:

A lejohet në këtë rast, hoxhë i nderuar, nëse të vjen të teshtish dhe je duke u falur e të thuash “el hamdulilah”? A prishet namazi?

***

Përgjigjja:

Muauije Bin el Hakm es Selemi ka thënë: “Falesha me të Dërguarin e Allahut ﷺ, një person teshtiu e i thashë: ‘Allahu të mëshiroftë!’ Njerëzit  me shikimin e tyre dukeshin sikur po më flakëritnin dhe u thashë se çfarë ka që shikoni nga unë? Filluan të godasin me duart  mbi kofshët e tyre, e kuptova  ata kërkonin që të heshtja. Kur Profeti ﷺ mbaroi namazin, nuk kam parë mësues më të mirë se ai. Vallahi, nuk urreu, nuk më goditi e nuk më shau, por më tha: ‘Në namaz nuk pranohen fjalët e njerëzve, ai është tesbih, tekbir dhe lexim  Kurani’.” [1]

Shafiu dhe Maliki e të tjerë veç tyre thonë: “Atij që i vjen të teshtijë në namaz, e ka të pëlqyeshme që të falënderojë Allahun pa zë.”

Ibn Umer, En Nekhaij dhe Ahmed thonë: “E falënderon Allahun me zë.”

E para është më e qartë, sepse ajo është dhikr dhe sunneti për dhikrin në namaz është në fshehtësi…” En Neueui.

Hadithi i Muauijes tregon se Profeti nuk e urdhëroi atë që të përsëriste namazin.

Tomor Boriçi

—————————————————————————————-

[1] Muslimi.