Pyetja:
A ka në islam ndonjë gjykim për përdorimin e fjalës “zotëri” gjatë bisedës?
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nëse s’e përdor më mirë është, po ama nëse e përdor nuk ka gjë që bie ndesh me sheriatin, sepse te përdoruesit e kësaj fjale nuk kuptohet asgjë tjetër vetëm se respektimin e personit që i drejtohesh dhe se nuk e ka kuptimin se ti po e konsideron atë si Zot përveç Allahut. Argument për këtë është shumësi dhe femërorja e kësaj fjale.
Kaq mjafton përsa i përket gjuhës shqipe, ndërsa në arabisht është mëse e qartë se mund të përdoret dhe është përdorur në tekstet hyjnore, madje termi “inehu rabij” po të përkthehej fjalë për fjalë “me të vërtetë ai është Zoti im”. Bëhet fjalë për Jusufin alejhi selam kur kishte për qëllim ministrin ose kur tha: “Udhkurni inde rabike\më kujto tek zoti yt – mbreti.”
Ose përdorimi i fjalës “sejid” në gjuhën arabe. Nuk kemi parë për përdorimin e saj te njerëzit problem siç e përdori vetë Profeti ﷺ kur tha: “Kumu i la sejidikum” – “çohuni te zotëria juaj.”
Kështu habitem megjithë këto argumente të qarta kur dëgjoj për disa injorantë të cilët madje kanë botuar libra ku i bëjne qafira ata dhe ato që e përdorin këtë shprehje në bashkëbisedimet e tyre.
E injoranca nuk ka brirë!
Ahmed Kalaja