Pyetja:

Para disa ditëve jam diagnostifikuar me tumor, por kjo ende nuk është konfirmuar plotësisht, sepse duhet bërë biopsinë. Vazhdimisht fal namaz, kjo ështe një sprovë që duhet të qëndrojë stoikisht. Çfarë ibadete të bëj që të afrohem te Zoti?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

”Të Allahut jemi dhe tek Allahu do të kthehemi.”

Allahu ka marrë shpirtrat e të dashurve të Tij përderisa Muhamedi ﷺ e la këtë botë dhe e dorëzoi shpirtin tek Krijuesi i Tij e ky është ngushëllimi i çdo besimtari dhe besimtareje.

Padyshim, ajo që besimtari do të gjejë tek Zoti i Tij është më e mirë se ajo që lë. Allahun e lus që të shërbejë kjo që të dalësh para Tij e shlyer nga mëkatet në gradat e shehidëve!

Po, po, Allahu e pranon pendimin, kthimin, çdo vepër të mirë derisa shpirti s’ka ardhur në fyt. Unë do të thosha, derisa gjendja është kjo, ki parasysh:

1. Ji e kënaqur me kadanë dhe kaderin e Allahut.

2. Beso se kjo është më e mirë për ty.

3. Ajo që Zoti ka përgatitur për ty është më e hajrit.

4. Falëndero Zotin që kjo të gjeti me besim.

5. Lute Allahun që të shlyejë gjynahet.

6. Pendohu tek Allahu me sinqeritet.

7. Mos i humb shpresat kurrë prej Tij.

8. Laj borxhet.

9. Nëse s’ke mundësi shkruaji.

10. Çfarë të drejtash gëzojnë të tjerët tek ti shkruaji.

11. Lër testamentin.

12. Lër amanetet e qarta.

13. S’e di, nëse mendon se do të bëhen bidate ditën e funeralit, sqaroji gjërat apo nëse bëjnë të shtatat, dyzetat, 6 muajt, vitin etj.

14. Të trajtojnë në larje, qefinosje, varrim si myslimane. Lër amanet kush të kujdeset për funeralin tuaj që të shkojë sipas kënaqësisë së Allahut.

15. Jep sadeka me nijetin e shërimit.

16. Bëj dua.

17. Sa më shumë dhikër.

18. Frikësohu për atë që ka kaluar.

19. Po ama më shumë të  shpresosh atë që Zoti ka premtuar për vepërmirët se ti në këto kohë je prej tyre, sigurisht.

20. Mendo mirë për Allahun se kush ndërron jetë duke menduar mirë për Allahun ka për të gjetur mirë. Kur të kuptosh se fuqitë po të lenë shpeshto fjalën: LA ILAHE IL ALLAH.

21. E nëse fuqia të lë më shumë e s’mund ta thuash me gojë, atëherë me mendje dhe me gisht.

Allahu të shëroftë!

Të jesh i/e sigurt se Allahu të ka dashur fort që ti e ke mësuar këtë të vërtetë, se ka njerëz që janë duke shkuar drejt vdekjes me sëmundje të tilla dhe ata s’dinë asgjë, as s’u jepet shansi të pendohen as nuk ju tregon kush sepse kalojnë në çmendinë. Ty Allahu ta ka hedhur sëmundjen pasi të hodhi më parë shërimin për çdo sëmundje: DASHURINË PËR ALLAHUN, PËR XHENETIN, PËR PROFETIN.

Allahu përgatittë për ty gradën e shehidit!

Imam dr. Ahmed Kalaja