Pyetja:

Një i afërm i imi, ka dy vite që është martuar me një vajzë prindërit e së cilës jetojnë të ndarë prej se vajza ka qenë e vogël.

Arsyeja që jetojnë të ndarë sipas disave është ajo që thonë për çështje morale.

Vajza e mbetur me babain, nënën e saj nuk e ka parë prej atëherë dhe nuk ka pasur ndonjë lidhje me të.

Tash pas martesës nëpërmjet disa lidhjeve nëna e vajzës ka arritur t’i telefonojë të afërmit tim (burrit të vajzës) në mënyrë që të ketë kontakt me vajzën, ky në bisedime me babain e vajzës e ka refuzuar të emën që ta takoj vajzën apo të flas me të.

Unë dëshiroj ti ndihmojë të afërmit tim në mënyrë që ai të mos bëj ndonjë gabim pasi që bëhet fjalë për një çështje delikate. Çfarë është më së miri të veprohet në këtë rast pasi që bëhet fjale për nënën e vajzës dhe a duhet asaj t’i mohohet takimi me vajzën e saj?

***

Përgjigjja:

Kjo është një çështje delikate, përpara se të jap përgjigje dua të di: nena e saj e akuzuar për punë të keqe, sa është e vërtetuar kjo, e para dhe e dyta çfarë bën? Në bazë të përgjigjes do të të kthej përgjigje.

***

Përgjigjja e pyetësit: 

Fatkeqësisht, kjo ka qenë një ngjarje rreth 20 vite më parë dhe ka ndodhur në një familje ku ne i kemi lidhje miqësore dmth., atëherë ne as që i kemi njohur ata. Ata kanë jetuar në gurbet dhe atje janë ndarë.

Dy arsye janë folur se kanë qenë shkak për ndarje të tyre:

Sipas burrit i cili thotë se janë ndarë për arsye se gruaja nuk ka dashur te kthehet te jetoj me të në katund nga gurbeti (kjo më duket arsye e dobët por këtë ka mund ta perdorë per shkak të fëmijëve që të mos ndihen të fyer) dhe e dyta nga të afërm të tij që tregojnë se problemi ka qenë për çështje morale atje ne gurbet. Allahu e di më së miri.
Dhe te ne siç është zakon në raste të ndarjeve dalin arsye te shumta prej njerëzve dhe ndryshohen arsyet madje edhe prej vet burrit apo gruas. Sipas informatave nëna është martuar me tjetër burrë dhe ka fëmijë te tjerë.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk ke të drejtë t’ia mohosh kësaj vajze në asnjë mënyrë takimin me të ëmën e saj edhe nëse i ati i saj s’është dakord, madje duhet ta ndihmosh, vetëm nëse vëren dhe vërteton se takimi i saj me të ëmën mund ta dëmtojë atë në fe apo moral, atëherë çështje tjetër. Allahu e di më së miri. Allahu e lehtësoftë!

Imam dr. Ahmed Kalaja