Pyetje

Pasi mbajtja e lidhjeve farefisnore është me rëndësi në Islam, a mund të shkëputet në rastin si vijon, apo duhet mbajtur gjithsesi, pavarësisht situatës që do ta përshkruaj:

Jetojmë në mërgim. Kunata (motra e burrit) dëshiron të martohet dhe të bëjë kurorë me një mashkull shqiptar ortodoks. Megjithëse ia kemi thënë (si unë, ashtu edhe burri im – vëllai i saj) se e ka të ndaluar, me argumente fetare (Kur’an dhe Sunet), nëse mashkulli paraprakisht nuk konvertohet në Islam, por kjo nuk ka pasur sukses, me pretekstin se: “Nëse dëshiron Allahu, bëhet musliman, inshaAllah”, plus që ajo nuk mund të bëjë fëmijë, kështu që nuk do të ketë pasardhës që do të shkojnë hapave të babait ortodoks.

Kjo nuk qëndron, sepse martesa në Islam ka kushte dhe rregulla që të pranohet. Sidoqoftë, ajo çka dua të pyes është: nëse i mbajmë lidhjet, unë po ashtu nuk dua që fëmijët e mi të shkojnë në shtëpi të saj, megjithëse burri e ka motër dhe ndoshta mund ta vizitojë e të kemi vajtje-ardhje.

A bëj mëkat nëse refuzoj ta vizitojmë? Si të veprohet me këtë rast?!

Allahu ju shpërbleftë.

Përgjigje

Fillimisht ju përgëzoj që brengoseni për fetarinë e të afërmve tuaj. Allahu ju shpërbleftë. Vazhdoni kështu duke e këshilluar kunatën, gjegjësisht motrën, dhe mos hiqni dorë e as mos u dorëzoni derisa ta bindni që të heqë dorë nga kjo lidhje me këtë jomusliman.

Së dyti: martesa e femrës muslimane lejohet vetëm me burrë musliman dhe me asnjë burrë tjetër; qoftë që i përket ndonjë besimi tjetër pos Islamit, qoftë ateist, agnostik e të ngjashëm. Ky vendim është shumë i prerë dhe bazohet në Kur’an, në fjalët e Pejgamberit dhe në konsensusin e të gjithë dijetarëve islamë. Andaj, për faktin se një martesë e tillë është e ndaluar, as që ka hapësirë të diskutohet.

Së treti: ju e keni për obligim, dhe po ashtu të gjithë ata që e njohin këtë vajzë, t’i flisni dhe ta këshilloni, ndoshta edhe bindet që të heqë dorë nga kjo lidhje, e cila sipas mësimeve të Islamit nuk konsiderohet kurorë martesore valide, por lidhje jashtëmartesore (zina) dhe është prej mëkateve të mëdha.

Së katërti: nëse kjo vajzë nuk bindet të heqë dorë dhe vazhdon në lidhje me atë jomusliman, prapë duhet t’i flisni dhe ta këshilloni që të pendohet dhe të largohet prej tij. Kurdo që ajo e bën këtë pendim, është mirë për të dhe i pranohet.

Së pesti: qëndrimi juaj karshi saj, nëse ajo vendos ta mbajë lidhjen me atë jomusliman, varet prej situatës. Nëse mbajtja e lidhjeve me të jep shpresë që ajo herët a vonë të vetëdijesohet për gjynahun e madh që e ka bërë dhe të largohet prej atij jomuslimani, atëherë është më mirë t’i mbani lidhjet me të, por jo lidhje shumë të ngrohta dhe shumë të afërta, jo sikurse i mbajmë me farefisin musliman. Kjo, në mënyrë që ajo ta kuptojë edhe përmes sjelljeve tona se ka bërë një vepër shumë të shëmtuar dhe që kjo sjellje ta nxisë së paku të mendojë për pendim.

E nëse ajo nuk dëshiron të dëgjojë fare për këshillë, as që i bën përshtypje se a e vizitoni apo jo, dhe as që mendon të heqë dorë prej lidhjes me jomuslimanin me çfarëdo çmimi, atëherë bojkotimi i saj në këtë rast nga farefisi do të ishte veprim më i qëlluar.

Allahu e udhëzoftë që ta kuptojë peshën e rëndë të gjynahut që po do ta bëjë dhe të heqë dorë prej tij!


/Hoxhë Rasim Haxha/