Pyetja:

A e krijoi Zoti njeriun nga dheu i kësaj toke apo nga dheu i një toke tjetër?

***

Përgjigjja:

Nëse u qasemi studimeve kur’anore të kësaj fushe, materies së krijimit të Ademit, lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, praktikisht llojit të lëndës së krijimit, hasim se Kur’ani përdor disa terminologji mbi këtë lloj materieje, ndër to:

Një: El-erd – tokë. Ja disa fakte kur’anore:

“…Ai di më së miri për ju edhe para se t’u krijojë edhe kur e filloi krijimin tuaj nga toka-dheu…” (En-Nexhm: 32)

Dy: Et-turabë – dhe. Ja disa fakte kur’anore:

Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu….” (Ali Imran: 59)

Tre: Et-tin – baltë. Ja disa fakte kur’anore:

Ai është që ju krijoi nga balta…” (El-En’am: 2) 

Katër: Salsalë – baltë e tharë. Ja disa fakte kur’anore:

“Unë po krijoi njeriun nga balta e tharë…” (El-Hixhr: 28)

Pesë: Ham’ë mesnun – baltë e zezë aromatike. Ja disa fakte kur’anore:

Ai tha: Nuk është për mua t’i bëj sexhden një njeriu që e krijove nga balta e terur, e zezë e me erë.” (El-Hixhr: 33)

Të gjitha këto lloje të lëndës së krijimit të njeriut të parë që i përmend Kur’ani janë nocione dhe sinonime që kanë një emërues të përbashkët, se krijimi i Ademit alejhi selam është bërë në tokë nga përzierja e llojit të ndryshëm të dheut të kaluar në këto etapa:

Etapa e parë: Dhe i përzier i shndërruar në baltë, e cila ngjitet.

Etapa e dytë: Baltë e zezë aromatike.

Etapa e tretë: Baltë e terur dhe e pjekur. Nga këtu dhe mori emërtimin Adem-krijesë nga dheu.

Bazuar në komentet e shumta lidhur me krijimin e njeriut të parë, dijetarët islamë kanë sjellë konkluzione lidhur me llojin e tokës nga e cila është krijuar Ademi alejhi selam. Konkretisht, a kemi të bëjmë me planetin tonë apo bëhet fjalë për ndonjë planet tjetër? Ka disa mendime:

1- Disa mendojnë se fjala është për një planet tjetër, jashtë planetit Tokë.

2- Disa të tjerë, pjesa dërrmuese, mendojnë se fjala është për planetin Tokë ku ne jetojmë, ngase Allahu xh.sh. kur i njoftoi engjëjt se do ta krijojë njeriun e parë në Tokë, u tha:
“(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj në tokë një zëvendës…” (Bekare: 30). Gjithashtu, referuar thënieve profetike të shumta kuptojmë se toka për të cilën po flitet është planeti Tokë ku ne jetojmë.
Ebu Hurejra shënon se Pejgamberi, [ﷺ], ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin nga një grusht (dhe) të marrë nga e gjithë toka, ndaj dhe bijtë e Ademit erdhën sipas llojit të saj…” [1]

3- Ndërsa një pjesë tjetër kanë heshtur lidhur me këtë çështje.

Konsideroj se mendimi më i saktë është mendimi i mesëm, se Ademi alejhi selam është krijuar nga dheu i planetit tonë.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Sadat Rrustemi

————————-

[1] Tirmidhiu