Pyetja:

Cila është dispozita e namazit të xhumasë para zevalit, apo pasi të hyjë koha e namazit të ikindisë për shkak të kohës së ngushtë që të përfshihet edhe hutbeja edhe namazi në kohën e drekës në disa vende, në veçanti në kohën e dimrit, apo për shkak të pamundësisë së faljes së namazit të xhumasë në kohën e vet për shkak orarit shkollor apo punës. Kjo mund të bëhet vetëm nëse falet ma herët apo ma vonë prej kohës së vet?

***

Përgjigjja:

Pjesa dërmuese e juristëve islamë janë unanim në qëndrimin se koha e namazit të xhumasë është në kohën e namazit të drekës, e që do të thotë:Prej kur të largohet dielli prej kupës së qiellit në mesditë-zeval e deri sa të bëhet hija e çdo sendi sa veti, me përjashtim të hijes së zevalit. Nuk lejohet që xhumaja të falet para kësaj kohe apo pas saj.

FLEKSIBILITETI I HANBELITËVE NË KOHËN E PARË

Hanbelitët e kanë zgjeruar kuadrin e kohës së parë dhe fillimit të kohës së namazit të xhumasë. Kështu, sipas disa juristëve hanbelitë, koha e namazit të xhumasë fillon në kohën kur fillon edhe namazi i bajramit, gjegjësisht pas ngritjes së diellit diku afër dhjetë minuta apo një çerek, dhe vazhdon derisa të mbarojë koha e drekës. Disa tjerë, janë të mendimit se koha e xhumasë është një orë para se dielli të jetë në kupën e qiellit-zeval. Ata këtë qëndrim e mbështesin në hadithe të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe në praktikën e sahabeve.

Autori i veprës “El-Mubdiu” ka thënë: ”Koha e parë e xhumasë është koha e namazit të bajramit. Kështu në mënyrë tekstuale është shprehur Ahmedi, e këtë qëndrim e mban edhe El-Kadi (Gjykatësi) dhe nxënësit e tij. Ky konstatim mbështetet në thënien e Ibn Sejidanit: ”E kam falur namazin me Ebu Bekrin, e hutbeja dhe namazi i tij ishte para mesdite. Pastaj e kam falur xhumanë edhe me Omerin, e hutbeja dhe namazi i tij ishte derisa thoja: U bë mesditë. Pastaj, e kam falur xhumanë edhe me Othmanin, e hutbeja dhe namazi i tij ishte derisa thoja: Mbaroi dita, e nuk e kam parë që dikush ta kritikojë apo ta mohojë një veprim të tillë”. Këtë transmetim e ka shënuar Darekutniju dhe Ahmedi, dhe këtë e ka marrur për argument.

Imam Ibn Kudame, në librin e tij “El-Mugnij” duke i komentuar fjalët e Hurekijut: ”Nëse e falin xhumanë para zevalit-para se dielli të jetë në kupë të qiellit, në orën e gjashtë, namazi është tamam”, ka thënë: ”Ora e gjashtë është ora para zevalit. Kështu, nëse dreka është në orën dymbëdhjetë të mesditës, ora e gjashtë fillon prej orës njëmbëdhjetë”. Ibn Kudame më pas ka shtuar:” Nga fjalët e Hurekijut shihet qartë se nuk lejohet të falet xhumaja para orës së gjashtë. Është transmetuar prej Ibn Mes’udit, Xhabirit, Sei’dit dhe Muavijes, se ata e kanë falur xhumanë para zevalit-para se dielli të largohet prej kupës së qiellit në mesditë. El-Kadi dhe nxënësit e tij kanë thënë: Lejohet të falet xhumaja në kohën e namazit të bajramit. Këtë e ka transmetuar Abdullahu, djali i imam Ahmedit prej babait të tij, gjegjësisht ka transmetuar se babai i tij ka thënë: ”Jemi të mendimit se xhumaja është si namazi i bajramit”.

Muxhahidi ka thënë: ”Njerëzit bajramin e kanë falur vetëm në fillim të ditës”.

Atau ka thënë: ”Çdo festë falet kur të shtrihet paradita:edhe xhumaja, edhe dy bajramet. Kjo, ngase është transmetuar prej Ibn Mes’udit se ka thënë:”Bajrami çdo herë është falur në fillim të ditës. I Dërguari i Allahut ﷺ na e falte xhumanë nën hijen e Hatimit. Këtë e ka transmetuar Ibn El-Behteriju në “El-Emali” me zinxhirin e tij të transmetuesve.

Është transmetuar prej Ibn Mes’udit dhe Muavijes se këta dy e kanë falur xhumanë paradite, dhe kanë thënë: ”Shpejtuam nga frika që mos t’ju kap nxehtësia e madhe”. Hadithin e Ibn Mes’udit e ka transmetuar El-Ethremi.

Ata kanë pohuar se edhe xhumaja është festë, për këtë edhe lejohet të falet në kohën e festës-bajramit.

Për atë se edhe xhumaja është festë, dëshmon thënia e të Dërguarit të Allahut ﷺ: ”Allahu e ka bërë këtë ditë festë për muslimanët”. Poashtu, në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Në këtë ditë, juve u janë tubuar dy festa”.

Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit se koha e xhumasë është në kohën e namazit të drekës, por preferohet që të shpejtohet të falet në fillim të kohës bazuar në thënien e Seleme ibn El-Ekveit: ”Mblidheshim me të Dërguarin e Allahut ﷺ kur dielli e kalonte kupën e qiellit, e pastaj ktheheshim duke i ndjekur hijet”. [1]

Enesi ka thënë: ”I Dërguari i Allahut ﷺ e falte xhumanë kur dielli e kalonte kupën e qiellit”. [2]

Poashtu, ata këtë qëndrim e kanë arsyetuar me atë se të dy këto namaze, edhe dreka edhe xhumaja, janë namaze të kohës, për atë edhe koha e tyre është e njëjtë, si namazi i shkurtuar dhe i plotë. Më tej, këto namaze janë zëvendësim i njëri-tjetrit dhe e zënë vendin e njëri-tjetrit, dhe i përgjasojnë namazit të shkurtuar dhe të plotë në të njëjtën kohë.

Në drejtim të kohës së fundit, koha e fundit e tyre është e njëjtë, që do të thotë se edhe koha e parë e tyre është e njëjtë, siç është rast me namazin që falet kur nuk je në udhëtim dhe kur je në udhëtim.

Ibn Kudame ka thënë: Lejimin e faljes së namazit të xhumasë në orën e gjashtë, ne e mbështesim në sunet dhe konsensus. Kështu, prej sunetit e kemi transmetimin e Xhabir ibn Abdullahut i cili ka thënë: ”I Dërguari i Allahut ﷺ, e falte-ka për qëllim xhumanë-, e pastaj shkonim tek devet tona dhe i lenim të pushonin derisa të largohet dielli prej kupës së qiellit”. [3]

Është transmetuar prej Sehël ibn Sa’dit se ka thënë: ”Ne, në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, pushimin e kajlules dhe drekën e hanim vetëm pas namazit të xhumasë”. [4]
Ibn Kutejbe ka thënë: ”Pushimi i kajlules dhe ushqimi i drekës, nuk quhen kështu nëse bëhen pasi dielli të largohet prej kupës së qiellit-pas zevalit”.

Është transmetuar prej Selemes se ka thënë: ”E falnim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, namazin e xhumasë, pastaj shkonim, e muret nuk kishin hije që të mund të ecim në hijet e tyre”. [5]

Prej Ixhmasë-Konsensusit, e kemi transmetimin e imam Ahmedit prej Vekiut, e ky prej Xhaëfer ibn Burkanit, i cili e ka përmendur hadithin e mëparshëm të Abdullah ibn Sejidanit, e në të qëndron: ”Nuk pashë se dikush ia zuri për të madhe këtë që bëri dhe as që ia mohoi një veprim të këtillë”. Pastaj ka thënë: ”Poashtu, është transmetuar edhe prej Ibn Mes’udit, Xhabirit, Sei’dit dhe Muavijes se janë falur para zevalit. Hadithet e tyre flasin se i Dërguari i Allahut ﷺ, e ka falur xhumanë pas zevalit në pjesën më të madhe të kohës. Nuk kontestohet se pas zevalit lejohet të falet dhe se kjo kohë është më e preferuar për xhumanë. Por, hadithet të cilat i përmendëm ne, flasin se xhumaja lejohet të falet para zevalit. Këto dy palë hadithe nuk janë në kundërshtim mes veti.

Ndërkaq, kur është në pyetje koha në fillim të ditës, më e saktë është se në këtë kohë nuk është e lejuar të falet xhumaja. Ky është qëndrimi i pjesës më të madhe të dijetarëve, të cilët edhe kanë përmendur argumente për këtë qëndrim. Koha e namazit nuk mund të knofirmohet ndryshe por se me argument tekstual ose diç të ngjashëm me të, e nuk është vërtetuar se i Dërguari i Allahut ﷺ, apo kalifët e tij e kanë falur xhumanë në fillim të ditës.

Nga ana tjetër, fillimi i ditës bie poshtë marrë parasyshë se koha e xhumasë është koha e namazit të drekës, por është lejuar të falet edhe para kësaj kohe bazuar në argumentet e përmendura, gjegjësisht mund të falet më herët vetëm në orën e gjashtë, e nuk lejohet që të falet para kësaj ore. Allahu e di më së miri.

Sikur të falej namazi i xhumasë në fillim të ditës, pjesa më e madhe e njerëzve nuk do të mund ta falnin, ngase është e zakonshme që të tubohen për namazin e xhumasë posa dielli ta kalon kupën e qiellit. Në kohën e paraditës, për namazin e xhumasë mund të vinë vetëm disa individë apo një numër i vogël njerëzish. Në këtë kontekst, është transmetuar prej Ibn Mes’udit se ka shkuar ta falë namazin e xhumasë dhe ka gjetur se para tij kishin shkuar katër vetë. Kur i kishte parë, kishte thënë: I katri i të katërve, e i katri i të katërve, nuk është larg”.

Mirëpo, arsyetimi i Ibn Kudames se nëse falet në fillim të ditës, shumë njerëz do të ngelin pa e falur, kundërshtohet me faktin se nëse në një vend merren vesht për kohë të caktuar, dhe këtë e publikojnë, atëherë askujt nuk i ik xhumaja dhe as që u shkakton vështirësi, ngase të gjithë shpejtojnë ta kryejnë në kohën e duhur.

Duhet theksuar se ne nuk e lejojmë faljen e xhumasë në fillim të ditës pos se në rast të domosdoshmërisë, apo të një nevoje e cila merr tretmanin e domosdoshmërisë. Duhet kufizuar vetëm në këto raste dhe duhet vlerësuar drejtë, konform domosdoshmërisë bërja e një veprimi të këtillë.

FLEKSIBILITETI I MALIKITËVE NË KOHËN E FUNDIT TË XHUMASË

Nga ana tjetër, shkolla juridike malikite e ka zgjeruar kuadrin e kohës së xhumasë në mbarim të kohës. Kështu, disa dijetarë malikitë e kanë lejuar që koha e xhumasë të vazhdojë deri në perëndim të diellit, apo pak para perëndimit të diellit, e që në përcaktimin e kësaj pak para perëndimit kanë qëndrime të ndryshme.

Ibn El-Kasimi ka thënë: ”Koha e fundit është derisa nuk ka perënduar dielli, edhe nëse një e pjesë e namazit të iqindisë nuk falet pos pas perëndimit të diellit”.

Sipas Suhnunit, kjo kohë përfundon para perëndimit të diellit aq sa të mund të mbahet hutbeja, të falet xhumaja dhe ikindia”. Disa tjerë kanë thënë: ”Derisa të skuqet dielli…”, etj.

Në dritë të asaj që përmendëm, munnd ta shfrytëzojmë fleksibilitetin e të dy shkollave juridike, asaj hanbelite dhe malikite, nëse vërejmë se muslimanët njëmend kanë nevojë për diçka të tillë, me qëllim që muslimanët të cilët jetojnë jashtë vendeve islame mos e humbin namazin e xhumasë. Namazi i xhumasë është i një rëndësie të veçantë për muslimanët dhe duhet t’i kushtojnë interes të madh, ngase ky namaz çon në forcimin e lidhjeve mes muslimanëve, çon në forcimin e lidhjeve ndërmjet besimit dhe obligimeve praktike, i rikujton muslimanët nëse harrojnë, i forcon nëse dobësohen, e konfirmon identitetin e tyre dhe e forcon vëllazërinë e tyre.

Së këtejmi, nëse muslimanët mund ta falin namazin e xhumasë në kohën e pranuar nga të gjithë, gjegjësisht pas zevalit e deri në ikindi, kjo është më mirë dhe më e sigurtë, e prijësit muslimanë e kanë obligim që komunitetin e tyre ta udhëheqin në atë që është e pranuar unanimisht e ta largojnë nga ajo që është kontestuese, nëse ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë.

Por, nëse një veprim i këtillë bie ndesh me rrethanat dhe kushtet e muslimanëve në disa vende apo në disa kohë, apo në disa raste, atëherë nuk ka problem që të merret qëndrimi i shkollës juridike hanbelite që namazi i xhumasë të falet para zevalit-para se dielli të largohet nga kupa e qiellit, apo bile edhe në kohën e namazit të bajramit në rast të domosdoshmërisë-daruret, ngase gjërat e domosdoshme-daruratet i kanë dispozitat e tyre të veçanta.

Poashtu, nuk ka pengesë që të merret qëndrimi i shkollës juridike malikite në lejimin e vonimit të namazit të xhumasë deri pas iqindije, marrë parasyshë nevojën dhe me qëllim të realizimit të këtij interesi fetar.

Mirëpo, në rast se bëhet diçka e këtillë, duhet që të bëhet publike dhe ta dinë muslimanët, të arrihet pëlqim për një veprim të tillë, me qëllim që të tubohen e ta falin xhumanë, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij.

Dr. Jusuf El-Kardavi

Përktheu: Bashkim Aliu

(Pjesë e shkëputur prej librit: Fetava mua’sire-Fetva bashkëkohore pjesa: III)

———————————–

[1]  Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu

[3] Muslimi

[4] Ebu Davudi

[5] Buhariu dhe Muslimi