Pyetja:

A lejohet martesa me personin me të cilin jemi nga i njëjti vend?

***

Përgjigjja:

Martesa ndalohet me personat e afërt nga gjaku, gjiri dhe miqësia. Nuk ekziston ndalim në martesë, sipas mësimeve të Sheriatit, për shkak të vendbanimit. Pra lejohet martesa me personin nga i njëjti vendbanim.Por një gjë duhet të kihet parasysh. Në shumë vendbanime e lokalitete, sidomos në disa fshatra, mund të mos jetë traditë që banorët e atij fshati të martohen ndërmjet veti. Kjo, në shikim të parë duket se i kundërshton rregullat e Sheriatit, pra ndalon atë që Allahu nuk e ka ndaluar. Shumë në rregull se ne nuk guxojmë ta ndalojmë dhe ta trajtojmë si të ndaluar atë që e ka lejuar Allahu. Mirëpo njerëzit sikur i kanë vu disa rregulla të martesës brenda një lokaliteti me qëllim që të rinjtë e atij vendbanimi të mos e shikojnë njëri-tjetrin me sy dashuria apo bashkëshortësie. Dhe përderisa kështu kanë vepruar, janë ruajtur nga gjynahet ndërmjet veti. Pra, edhe ata që kanë rënë në imoralitet prej djemve ta marrim shembull, një gjë të tillë nuk e kanë bërë me banoret e fshatit. Ngjashëm edhe femrat. Allahu na ruajttë prej imoralitetit! Dhe në bazë të mësimeve të Sheriatit del se imoraliteti mes njerëzve të afërt e sidomos fqinjëve është edhe më i dënuar se sa me më të largëtit. Kjo është bërë me qëllim të parandalimit të imoralitetit dhe gjërave të tjera negative. Jo se kam guxim të them se është e ndaluar martesa me banorët e një vendbanimi, por nëse ekziston ashtu ndonjë rregull i pashkruar dhe nëse një martesë e tillë sjell shumë thashetheme, le të respektohet mundësisht ajo rregull, jo se është e ndaluar me Sheriat në mënyrë të drejtpërdrejt, por në emër të “Largohu prej asaj që është e dyshimtë, e përmbaju asaj që nuk është e dyshimtë” dhe si masë preventive për ta penguar të shëmtuarën duke e ditur mentalitetin e shoqërisë sonë, e që në emër të martesës së lejuar të mos hapet dera e imoralitetit të ndaluar në atë vendbanim, i cili sjellë pasoja të paparashikuara negative që mund të përfundojnë me vëllavrasje. Si do të jetë ky është sugjerim e jo ndalim i të lejuarës. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku