Pyetja:

Dua të di nëse kam diçka ndonjë magji ose shejtan në trup, kam shkuar në shumë hoxhollarë. Njëri më ka kapur, ndërsa tjetri e ka shti dorën përfundi, nuk kam ditur se është keq. Ma kanë shkatërruar jetën kam shumë gjëra të këqija në jetë por në përgjithësi jam njeri pa sherre. Më kanë përdhunuar, s’ka qenë me dashjen time. Nuk di çfarë të bëj më! Nuk kam shpresa për asgjë. E lus Zotin të më ndihmoj dhe jam shumë e hidhëruar nga ky fat i keq! Dua të mbytem se çdo kush thotë që nuk t’i fal Zoti gabimet. Gjashtë vjet kam pasur kontakt me një djalë 4 vjet rresht pastaj është martuar me tjetër sot e kësaj dite paraqitet më thotë se do të kthehet po unë kam frikë prej Allahut dhe ja kam mbyllur lidhjet jam shumë e penduar! Po të kisha hequr dhe këtë shejtan qe e kam në trup.

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërsit!

Fillimisht dua të them ty dhe motrave të tjera që kërkojnë përgjigje për problemet e tyre (pa marrë parasysh se çfarë janë ato) që t’i sqaroni pyetjet mirë, detajisht sepse ne në bazë të kuptimit të pyetjes ua japim edhe përgjgjjen. Për këtë ka mundësi nganjëherë që të mos jetë përgjigjja adekuate për ju për shkak të pamundësisë së kuptimit të pyetjes në detaje. Andaj, kërkojmë nga ju që të jeni sa më të qartë në pyetje.

Njeriu gjithmonë është në një luftë në mes tij dhe epshit të tij, epshi i cili e ngacmon çdo herë që të futet në vepra të liga. Çdo njeri është gabimtar, mirëpo, gabimet e tyre ndryshojnë. Disa kanë gabime të mëdha përderisa disa kanë gabime më të vogla; disa kanë gabime të dukshme e disa kanë gabime të padukshme. Nuk ka mundësi njeriu të shpëtojë nga gabimet. I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Çdo bir i Ademit është gabimtar dhe më i miri prej jush është ai që pendohet.”

Allahu thotë në Kur’an për ata të cilët e kanë ngarkuar veten me mëkate dhe e kanë humbur shpresën në mëshirën e Allahut: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues!” (Zumer: 53)

Ne do t’i japim disa këshilla  që do të bëjnë dobi në të ardhmen tënde inshallah:
– Të pendohesh tek Allahu me një pendim të sinqertë. Allahu thotë në Kuran: ”O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë”.

– Dije se Allahu i do ata që pendohen sinqerisht tek Ai.

– Edhe nëse janë mëkatet sa shkuma e detit dhe sa kodrat, Allahu i shlyen ato me pendim. Transmetohet se një njeri para Pejgamberit, ﷺ, i kishte mbytur 100 persona dhe kur u kthye tek Allahu dhe u pendua Allahu ia pranoi pendimin.
– Pendimi është kompentencë e Allahut dhe askush nuk guxon që të  ndërhyj në të. Transmetohet nga Pejgamberi, ﷺ, se një njeri e këshillonte vëllain e vet duke i thënë se Allahu nuk do t’ia falë mëkatet e tij kurrë. Atëherë, Allahu shpalli:
”Kush është ai i cili flet për Allahun pa dije. Ia kam falur atij që ka bërë gabim ndërsa ia kam zhdukur punët atij i cili ka thënë se Allahu nuk do t’ia falë”. Nuk duhet askush të hyj në kompetencat e Allahut dhe të flas pa dije.

– Të këshilloj që jetën tënde ta kalosh sa më shumë në ibadet dhe në përmendje të Allahut, dhe mundohu që mos të përkujtosh të kaluarën e hidhur që të ka ndodhur.

– Mos shko nëpër falltorë të ndryshëm apo nëpër ata që e quajnë veten hoxhallarë dhe mirren me hajmalija apo me falle të ndryshme.

– Të këshilloj të shkosh tek ndonjë hoxhë i cili shëron me Kuran dhe me gjëra të lejuara (e edhe në perëndim ka njerëz të tillë të cilët shërojnë me Kuran dhe me sunnet, por duhet t’i kërkosh).

– Mundohu që të largosh veset e shejtanit nga vetja jote.

– Mos mendo asnjëherë në mbytjen e vetes sepse ky është një mëkat i madh; mos dëgjo fjalët e njerëzve dhe thashethemet e tyre, por bindju Allahut dhe ktheju Atij, kryej urdhërat e Tij si: namazi, agjërimi, etj..

– Të brengosesh për atë nëpër të cilën ke kaluar gjatë jetës tënde dhe t’ia japësh besën Allahut se asnjëherë nuk do të kthehesh në gjendjen që ke qenë më herët.

Dhe në fund dua ta përsëris hadithin kudsij ku Allahu thotë: “Sikur bijtë e Ademit mos të bëjnë gabime do t’i shkatërroj ata dhe do të sjell një popull i cili bën gabime pastaj më kërkon mua falje dhe Unë ia fali atij.”

Shaban Murati