Pyetja:

Disa njerëz, në çështjet që u pëlqejnë, thonë: “Po të ishte sot i Dërguari i Allahut ﷺ, edhe Ai kështu do të vepronte.” Ndërsa nganjëherë, në çështjet që nuk u pëlqejnë thonë: “Profeti im nuk thotë kështu!”, e sakaq e japin menjëherë gjykimin e tyre në lidhje me atë çështje. Si i vlerësoni ju këto komentime në emër të të Dërguarit të Allahut ﷺ? Nëse mund të thuhen me të vërtetë këto fjalë, cilat janë disa prej veçorive që do të kërkojmë tek ai person që i thotë?

***

Përgjigjja:

Ju mund ta analizoni çështjen edhe duke i parë me vëmendje se në cilat rrethana dhe situata e thotë një njeri diçka të këtillë. Profeti ynë i Dashur ﷺ, përveçse ishte një profet/ i dërguar i Allahut dhe fjalës së Tij në tokë, ishte edhe një vendimmarrës për çështje të ndryshme, të cilat ne mund t’i shohim nëpërmjet sunetit të Tij veprimor, fjalëve të Tij dhe atyre gjërave që Ai i ka miratuar vazhdimisht. Andaj ne, duke iu afruar çështjes me syrin se, në kohë dhe vende të ndryshme, Atij i është dashur të marrë vendime në lidhje me probleme nga më të ndryshmet, nëse themi: “Po të ishte Profeti ynë në ditët e sotme, kështu do të vepronte edhe Ai.”, besoj se nuk është ndonjë qasje tejet problematike. Madje, për një fjalë të këtillë ju mund të gjeni edhe një kuptim të fortë mbështetës. Kjo duke e menduar se koha është komentuesja më e mirë. Ajo luan rolin e një akrepi përzgjedhës për komentimin dhe interpretimin e disa problemeve sipas kushteve dhe koniunkturës. Me fjalë të tjera, disa fusha brenda Kuranit dhe Sunetit u janë lënë në dorë si amanet njeriut, e komentimi a interpretimi i është lënë kohës, që shërben si gjykues në këto raste. Mirëpo sipas kohës dhe kushteve në të cilat ndodhen, njerëzit që do t’i komentojnë këto çështje, duhet të dinë mirë fillimisht se Kurani dhe Hadithi nuk janë nga ndonjë fjalë dosido, e këtë duhet ta mësojnë duke e studiuar me kujdes. Sepse për ato që thuhen në Kuran apo në Hadith as që mund të sillet nëpër mend e kundërta. Edhe sikur bashkimi i tërë dijetarëve të një kohe të ketë bërë vaki, në një çështje të caktuar, prapë nuk pranohet një fjalë, e cila të jetë në kundërshtim me to. Edhe sikur disa të thonë se bashkimi i tyre nuk është kusht, Ai ka thënë: “Umeti im nuk bashkohet në çudhëzim.” [1]
“Fuqia dhe ndihmesa e Allahut është me xhematin.” [2]
“I kërkova Allahut që umeti im të mos bashkohej në shthurje, dhe Ai ma pranoi këtë lutje.” [3]
Këto janë nga një argument i mjaftueshëm. Përveç kësaj, pjesëmarrja e disa njerëzve me mendje, zemër, ndërgjegje dhe ndjenja të qashtra në një çështje pa ndonjë qëllim të keq e të ngjashme, është një argument logjik dhe i arsyeshëm për domosdoshmërinë e bashkimit në një mendje.

Kështu që, ashtu siç nuk mund të dilet kundër fjalës së Librit dhe Sunetit, ashtu edhe nuk mund të dilet kundër argumentit të bashkimit në një mendje, që na tregon neve se si duhet të kuptohen këto tekste, si mund të komentohen e si mund të interpretohen. Të bësh sikur nuk di gjë për ekzistencën e këtyre burimeve e të flasësh mbarë e prapë si ta ka dëshira është gjë tjetër, e të jesh i lidhur fort pas burimeve të njëmendta, duke folur me gjithë njohurinë e plotë që nevojitet për të folur mbi një çështje, është diçka tjetër. Prandaj, si për problemet personale dhe ato familjare, por edhe në ato shoqërore, politike a ekonomike, duhet rendur fillimisht pranë Kuranit dhe Sunetit. Nëse nuk gjendet një zgjidhje as në to, duhet pasur kujdes që vendimi juaj të mos bjerë ndesh me ato që janë thënë deri më tani mbi to prej disiplinave përkatëse.

Zemrat duhet të dridhen ndërsa marrin një vendim

Nga ana tjetër duhet ditur mirë se, problemet që shfaqen në anë të ndryshme të jetës, për t’u gjetur nga një zgjidhje sipas vendimmarrjeve dhe gjykimeve të mëhershme, përveçse duhet të jesh i specializuar në atë fushë, duhet të ekzistojë edhe shqetësimi se mos po them ndonjë fjalë që bie ndesh me fjalën apo dëshirën e Allahut, duhet që zemrat të kërcejnë përpjetë nga ky shqetësim, madje edhe të përpëliten në dridhje. Sepse, në të kundërt, patjetër që nuk mund të pranohet që një njeri që jeton i hallakatur, e rend menjëherë për nga ajo që të vjen më lehtë, që flet për gjërat përherë ashtu si t’i vijë, që jeton me mendimin të tregohem me gisht prej të tjerëve, e që rreket përherë që të gjejë mundësinë që të tjerët të flasin për të, të japë një mendim të tijin, e gjoja po tregon si argument mbështetës fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ duke thënë: “Nëse do të ishte Profeti ﷺ këtu, në këtë çështje do të vepronte kështu”, ndërsa në çështjet që i vijnë të rënda: “Profeti ﷺ nuk vepronte kësisoj.” Në fakt, këta njerëz, teksa thonë: “Po të ishte Profeti ﷺ në këtë kohë do të vepronte kësisoj”, hasha ue kel’la, sikur kanë aty pranë një profet imagjinar, që e bëjnë të flasë e të lëshojë leje e gjykime sipas dëshirave e kuturisjeve të tyre vetjake.

Mirëpo çështjet fetare që janë të lidhura me lumturinë e kësaj bote, por edhe asaj të përtejmes, nuk durojnë dot kurrfarë hallakatjeje. Të parët tanë kanë vepruar aq me kujdes për sa i përket gjykimit dhe vendimmarrjes, saqë kur ndodhte që t’u pyetej një çështje e caktuar, e mbaronin njëherë Kuranin nga fillimi gjer në fund për t’ia gjetur përgjigjen. Veç kësaj, njerëz të lartë si Imam Ebu Hanifja, vetëm e vetëm për të zgjidhur një problem të vetëm, janë mbledhur me ditë të tëra me nxënësit e tyre për të bërë diskutime dhe shqyrtime të përbashkëta. Diskutimin e tyre nuk mund ta ngatërroni aspak me debatet dhe përplasjet që bëhen sot nëpër televizione. Sepse diskutim nuk do të thotë që të thuash medoemos të kundërtën e asaj që thotë ai që ke përballë. Ajo do të thotë që të gjesh çdo gjë të dukshme, por edhe të fshehtë në lidhje me atë çështje. Me një fjalë, në një çështje të lidhur me fenë, ajo është më tepër diçka e ngjashme me “kjo çështje është në dukje më e lidhur me aksh fjalë, aksh ajet është më i përshtatshëm dhe i lidhur me të… etj. ”, që do të thotë t’u gjesh edhe atyre një zgjidhje të ngjashme. Nganjëherë, pas ndonjë diskutimi të këtillë, nxënësit binin në një mendje me fjalën që kishte thënë Ebu Hanifja, duke thënë: “Po, kjo çështje është siç thua ti.” Mirëpo, mendja e ndritur i merrte sërish nëpër mend ato që ishin thënë, i shqyrtonte edhe njëherë, i përballte edhe njëherë me mendimet e veta, dhe kur dilte pranë nxënësve të tij ditën tjetër, u thoshte: “Ju u pajtuat dje me mendimin tim, por unë isha gabuar se nuk i kisha parë edhe këto argumente. Çështja qëndron ashtu siç mendonit ju.” E thoshte, dhe jo vetëm që e thoshte, por edhe me një drejtësi për t’u pasur zili, hiqte dorë nga mendimi i tij për të pranuar mendimin e një a disa prej nxënësve të tij.

Si shembull tjetër ideal të kërkimit të së drejtës mund të japim edhe Ebu Hasen el Esh’ariun, një njeri që e njihte mjaft mirë Kuranin dhe Sunetin, që kishte një aftësi të fortë të shprehuri, orator i zoti. Njëherë kishte kaluar me mutezilët. Por mesa duket, vetëm me një shenjë të dikujt ai ndërron qëndrim prej pikëvështrimit se “çdokush është krijuesi i veprimit të vet.” Deri atë ditë kishte qëndruar përherë në krye për sa i përket dijes. Aq sa fama i ishte përhapur tejendanë. I mbledh të gjithë njerëzit, dhe u thotë: “Gjithë sa ju kam thënë gjer më sot ka qenë e gabuar. Ja, kjo është e vërteta”, – dhe saora kthehet nga botëkuptimi i njerëzve të sunetit dhe xhematit.

Ata që i kanë hyjnizuar epshet e tyre

Fatkeqësisht, sot ne shohim aq shumë qasje aspak serioze, saqë ngrihen edhe mohojnë edhe ekzistencën në Kuran të çështjeve si mbulesa, e cila urdhërohet në disa sure të ndryshme, por që ka parë edhe trajtim prej sa e sa sahabësh, tabiinësh dhe dijetarësh deri në imtësitë më të thella. Edhe nëse ne nuk themi dot gjë prej kujdesit dhe mosdëshirës për konflikte, për këta mohues të atyre parimeve, për të cilat të parët tanë kanë qenë të gjithë të një mendjeje, gjykimi i atyre gjërave për të cilat ajetet flasin haptazi është i përcaktuar dhe i qartë.

Andaj nëse do të arrihet në ndofarë vendimi në lidhje me çështje personale, familjare, shoqërore, politike dhe administrative, fillimisht duhet njohur më së miri Kurani dhe Suneti i Fortë, e mandej të kalohen përpara syve edhe gjykimet dhe arritjet e kulluara të dijetarëve të ndryshëm prej të parëve tanë. Fillimisht duhen parë burimet kryesore, e mandej edhe të kërkohet ndonjë zgjidhje në lidhje me problemin, pasi të jenë parë mirë edhe kushtet në të cilat është thënë ky apo ai gjykim.

Për shembull, Kurani këshillon që të zgjidhet një gjykues për çiftet, të cilat janë ndarë, por që duan të ribashkohen. Dhe ndërsa e thotë këtë, përmend ajetin: “Paqja është më e mbarë.” (Nisa: 28)
Duke parashtruar kësisoj një disiplinë të diskutimit të çështjeve. Edhe në suren Huxhurat jepet këshilla e pajtimit të dy grupeve që janë në konflikt me njëri-tjetrin. Andaj, duke e parë çështjen nëpërmjet teksteve të bekuara, mund të gjendet zgjidhje edhe për probleme ndërmjet shoqërish apo edhe ndërmjet shtetesh të ndryshme. Sepse nëse është arritur paqja në familje, e cila është edhe molekula më e vogël përbërëse e një shoqërie, edhe gjendja mes grupeve të ndryshme shoqërore, kulturave të ndryshme, rrymave a popujve, medoemos që ka për të qenë e mbarë. Aq sa e madhe të jetë çështja, aq më tepër rëndësi fiton edhe paqja. Sepse në rastet e prishjes së marrëdhënieve ndërmjet bashkëshortit dhe bashkëshortes, atëherë gruaja ka për të ikur në një anë, burri në një tjetër, e nëse kanë edhe fëmijë, ata kanë për të mbetur jetimë. Mirëpo kur përplasen dy shoqëri me njëra-tjetrën, nëse nuk gjendet zgjidhja, atëherë edhe dëmi do të jetë i dimensioneve të mëdha. Prandaj, zemrat besimtare të ditëve tona duhet të gjejnë rrugët e paqes për zgjidhjen e problemeve të ndryshme shoqërore, duke i vlerësuar siç duhet edhe kushtet në të cilat ndodhen. Të ngrenë ura dialogu, të formojnë platforma mirëkuptimi, madje nëse është e nevojshme, edhe të ngrenë grupe relatore për këto.

Ajo që doja të përmendja këtu është diçka që mund të shqyrtohet më së miri në disiplinën e kijasit, krahasimit në metodologjinë e fikhut. Siç e dini, krahasimi i koncepteve quhet metoda e përdorur për të gjetur zgjidhje për një çështje a problem të caktuar, duke u nisur nga të ngjashmet apo të njëjtat që kanë ndodhur më herët. Kur kjo ndërmerret për një çështje që ka të bëjë me të drejtën dhe me fenë, edhe sikur të jetë gabim, prapë i përfton shpërblim njerëzve. Sepse nëse e rrok zgjidhjen ai që merr një vendim të caktuar, fiton dyfishin, ndoshta njëqind shpërblime vetëm sepse e goditi në shenjë çështjen. Ndërsa kur gabon merr vetëm shpërblimin e performancës dhe përpjekjes, që ka treguar. Ndërsa për ata që mundohen t’i zgjidhin çështjet vetëm sipas kënaqësive të tyre, Kurani shprehet: “A nuk e pe atë njeri, që me gjithë dijen e falur prej Allahut e hyjnizoi epshin e tij, e prandaj Allahu e çudhëzoi atë.” (Xhathije: 23)

Me pak fjalë, fjala për të gjitha problemet personale, familjare dhe shoqërore i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Detyra që u mbetet njerëzve atje ku gjendet fjala e tyre, është të heshtin. Kështu që çdokush që flet duke iu bindur dëshirave dhe epsheve të veta aty ku është edhe fjala e Allahut (xh.xh.) dhe të Dërguarit të Tij, ta dijë se ka hyjnizuar epshin e vet.