Pyetja:

Jam një person 17 vjeç që i fal 5 vakte namaz, por shqetësimi im është që nuk po përqendrohem mirë në namaz. Allahu më drejtoftë, sapo lidhem në namaz, menjëherë krejt tjetër gjë më sillet nëpër mend, jo ndonjë gjë që t’i bëj keq ndokujt (Allahu mos e bëftë!), po njëherë te shoqëria, njëherë te pasuria, njëherë qysh kam për t’ia kaluar kur të rritem e kur të bëj familje. Nëse dini ndonjë thënie të Muhamedit ﷺ më këshilloni, Allahu ju shpërbleftë!

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Çështja e moskoncentrimit në namaz, është njëri nga preokupimet që i brengos pothuajse çdo falës, përveç atyre që Allahu i ka mbrojtur nga vesveset e këtilla.

Prandaj fillimisht dëshiroj të vërtetoj se për të shpëtuar muslimani nga kjo problematikë, vërtet duhet mund dhe sakrificë. Shejtani nuk e le të qetë robin e Allahut, pasi është përbetuar se me të gjitha format do të mundohet ta devijoj njeriun. Allahu i Lartësuar thotë: “(Iblisi) Tha: ‘Për shkak se më humbe mua, unë do t’u ulem atyre (do t’u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë. Mandej, do t’ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që do të falënderohen (të besojnë)’.” (Araf, 16-17)

Dijetarët kanë folur për këtë problem shumë dhe i këshillojnë ata që vuajnë nga kjo me disa metodologji praktike dhe teorike. Ne do të mundohemi t`i përmbledhim këto në pika të shkurtra:

  1. Të prezantosh në faljen e namazit me xhemat.
  2. Të jetë prezenca jote më herët, kështu që të parapërgatitësh veten se do të qëndrosh para Allahut të Lartësuar, Sunduesit absolut, Ai në dorën e të cilit është çdo gjë dhe Ai që i di veprat tona të hapta dhe të fshehta.
  3. Kur të marrësh abdes, ta bësh atë me përkushtim dhe t`i plotësosh të gjitha farzet sa më mirë dhe sunetet, gjithashtu.
  4. T`u paraprish namazeve farze, sunetet e tyre dhe të lexosh Kuran, si dhe të bësh dhikër para farzit.
  5. Të mundohesh që ta kesh mendjen e përkushtuar në atë që lexohet, në domethënien e tyre dhe ta qetësosh veten në namaz.
  6. Para se të fillosh leximin e Fatihasë të kërkosh mbrojtje nga Allahu i Lartësuar, duke thënë: “Eudhu bilahi semi-il alim minesh shejtani raxhim min hemzihi ue nefhihi ue nefthih”.
  7. Ta lusësh Allahun me zemër të përkushtuar që të t`i largojë këto vesvese.
  8. Nëse këto vesvese janë të shumta, atëherë kërkon mbrojtje te Allahu i Lartësuar, duke thënë: “Eudhu bilahi minesh shejtani raxhim” pastaj pështynë nga ana e majtë te këmba tri herë. Me këtë, inshallah, Allahu i Lartësuar i largon vesveset.
  9. Pastaj vëlla i dashur vetdijësoje veten se çfarë fiton nga kjo, vetëm se largim nga mirësia e adhurimit, për shkak se siç e përmendni edhe ju, zakonisht gjërat, për të cilat mendon njeriu në ato momente, janë të pavlerë dhe nuk mund të ndikojnë në atë formë të ndryshoj gjë.

Këto ishin këshillat që arritëm t`i përmbledhim në këtë përgjigje. Lus Allahun e Lartësuar të japë sinqeritet në vepra dhe përkushtim në adhurime, amin!

Alaudin Abazi